Droga në Portin e Durrësit, reagon policia: U arrestua pronari dhe shoferi i furgonit

Policia ka dalë me njoftim zyrtar në lidhje me kokainën që u gjet në Portin e Durrësit. Mësohet se janë gjetur 7 pako me lëndë narkotike kokainë, me peshë totale 7 kilogramë e 300 gramë. Në pranga ka rënë pronari i furgonit dhe drejtuesi i fugonit ku u gjet lënda narkotike.

“Shërbimet e Policisë Kufitare, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe në inteligjencën informative të siguruar nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë, në dalje, automjetin furgon që drejtohej nga shtetasi A. D.

Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në pjesën e poshtme të sediljes, në një vend të fshehtë të krijuar për këtë qëllim, 7 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar kokainë, me peshë totale 7 kilogramë e 300 gramë.

Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës kanë arrestuar në flagrancë shtetasit:

-A. D., 40 vjeç, banues në Tiranë, shoferi i furgonit;

-M. Ç., 28 vjeç, banues në Tiranë, pronari i furgonit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 7 kilogramë e 300 gramë lëndë narkotike kokainë, 4 celularë, fugoni, 3950 euro, 21 700 lekë, 150 korona suedeze dhe 60 franga.

Ndërkohë, strukturat hetimore të DVP Durrës, në drejtimin Departamentit të Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë punën për zbardhjen e plotë të këtij rasti, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë rast”, njofton policia./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne