Shqiperia

Dueli i heshtur në PS Veliaj -Tahiri, Xhafa në favor të Veliajt

Lufta e heshtur brenda Partisë Socialiste, duket se është me fortë se ajo me opozitën, kjo pasi dy rivalët kryesor, Saimir Tahiri dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj vijojnë t’i ngulin shigjeta njëri-tjetrit.

Kryeministri Edi Rama, shpesh është munduar që t’i pajtojë këta të dy, madje jo vetëm që nuk ia ka arritur, por në Partinë Socialiste janë krijuar fraksione dhe grupe të forta. Një nga ”xhaketat” e vjetra në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafa, i njohur për miqësinë me Veliajn, ka nisur një sulm frontal ndaj paraardhësit të tij, Saimir Tahirit.

Ky i fundit, gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm, nga shtatori i vitit 2013 e deri në mes të vitit 2017, kishte dy objektiva, ose çfarë trumbetonte në publik:

(1) luftën ndaj mbjelljes së kanabisit dhe

(2) ndryshimin e imazhit të policisë.

Për të parën, lufta vijoi vetëm pak, me ndërhyrjen e policisë në ”Republikën e Kanabisit” në Lazarat. Ndërkohë për të dytën, gjatë gjithë kohës, ish-ministri Tahiri rekrutoi mijëra punonjës të rinj, ndërsa synoi edhe ndryshimin e uniformave.

Normalisht, të tilla ”fronte” kërkonin mbështetje të madhe nga kupola e qeverisë, por edhe një buxhet të madh financiar. Punonjësit e policisë rreshtoheshin për të dalë para kamerave dhe aparatave fotografikë të medias (me regji të shtetit) me ”fytyrë” të re.

Disa herë u prezantuan uniforma të reja, apo ato të vjetrat u rimodeluan. Megjithatë, shumë shpejt këtyre uniformave “u doli boja”, pasi punonjësit e policisë dolën kësaj herë para qytetarëve si ”leckamenë”. Me të drejtë, ministri i atëhershëm Tahiri inicioi një procedim penal për bërësit e uniformave. Por, shumë zhurmë për asgjë, pasi kjo çështje u pushua dhe vetë ish-ministri i Brendshëm nuk ankimoi vendimet e drejtësisë.

Në vitin e tretë dhe të katërt të Tahirit si ministër i Brendshëm, filloi edhe lufta brënda mazhorancës. LSI-ja, nëpërmjet grupit parlamentar por edhe nga disa ministrave, dolën në publik kundër Tahirit, në lidhje me kanabizimin e vendit. Në të njëjtën kohë, ndërkombëtarët filluan të lëviznin, teksa vendet e origjinës së tyre publikuan raporte të frikshme, sipas së cilave Shqipëria ishte kthyer në ”Kolumbinë e Europës”. Megjithatë, kryeministri Rama dilte krah për krah të Tahirit, duke bërë analiza se ishte pesëfishuar sekuestrimi i lëndëve narkotike. Sulmet kulmuan në vitin 2016, pasi informacionet e të gjithëve flisnin se në Shqipëri mbillej hashash me ”bekimin” e Policisë së Shtetit.

Në fund reagoi edhe opozita, e cila kërkoi ”kokën” e Tahirit. Dhe, pas ultimatumeve të opozitës, ndërkombëtarëve dhe LSI-së, kryeministri Rama u dorëzua, dhe shkarkoi Tahirin, duke emëruar në vend të tij një ”xhaketë” të vjetër të PS-së, Fatmir Xhafajn. Ky i fundit, i cili është një nga mbështetësit e Veliajt, nisi sulmet indirekt ndaj Tahirit, duke u fokusuar tek objektivi i shumëpërfolur, lufta ndaj kanabisit.

Për një muaj, me ”bekimin” e Xhafajt, Policia e Shtetit sekuestroi rreth 30 tonë kanabis në të gjithë Shqipërinë, madje edhe në origjinën e vetë Tahirit, në qarkun e Gjirokastrës. Magazinat e policisë u mbushën me hashash nga e Gjithë Shqipëria. Më pas, Xhafaj u ndal te drejtorët e policisë në qarqe, të cilët ishin të besuarit e Tahirit. Disa prej drejtorëve u ulën në detyrë dhe të tjerë u përjashtuan nga Policia e Shtetit. Me këto aksione, Xhafaj jo vetëm eleminoi një pjesë të mirë të kanabisit, por nga ana tjetër nxorri zbuluar parardhësin e tij, Tahirin.

Ndërkohë, kalojmë te objektivi i dytë i Tahirit, ndryshimi i “fytyrës” së Policisë. Ministria e Brendshme bëri disa tendera, rreshtoi punonjësit në sheshe, në pallate kulture, apo në Akademinë e Rendit, ku u prezantuan disa uniforma. Me regji qëndrore dhe profesionale, punonjësit e policisë dolën të ”rilindur”. Por, për shumë pak. Uniformat filluan të vjetëroheshin shumë shpejt.

Në muajin prill të këtij viti ministri Tahiri, i shoqëruar nga kryeministri Rama, dolën krah për krah njëri tjetrit, duke prezantuar uniformat e reja. Sërish me regji qëndrore, disa modelë prezantuan veshjet, të cilat ngjasonin me ato të vendeve perëndimore. Por, në atë kohë publiku nuk e dinte se sa ishte kostoja e kësaj ”fytyre”.

Tpz.al ka siguruar dokumentet e plota të atij tenderi, i cili është me dhjetë shifra. Fondi limit është plot 1 292 618 666 (10 milionë euro). Ky tender kishte burim financimi nga buxheti i shtetit dhe objekti  i kontratës “uniforma për policinë e shtetit, elementët që e plotësojnë dhe këpucë”. Kërkohej “uniforma konfeksione”, “këpucë lëkure”, “grada, shenja dhe stema”, “aksesorë” etj, për vitet  2017, 2018 dhe 2019. Në këtë tender ishin parashikuar veshje dimërore, verore, uniforma për stërvitje e shërbime, uniforma të vecanta, për grupet e hetimit, për ata që presin qytetarët, për policinë rrugore etj, etj (dokumentet bashkëlidhur).

Ndërkohë, pak ditë më parë, në Agjencinë e Prokurimit Publik, u shpall një njoftim. Sipas tij, ”Ministria e Brendshme njofton se procedura për blerjen e uniformave të Policisë së Shtetit, njofton se procedura që u zhvillua më datë 4 prill 2017 anulohet sepse asnjë nga ofertat nuk përputhet me kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit”. Pra, e gjithë ajo bujë u shua me katër rreshta të përgatitur nga vartësit e ministrit Xhafa. Deri më tani, Ministria e Brendshme nuk ka dhënë asnjë informacion për detajet e këtij anulimi. Madje, nuk ka bërë njoftim nëse ka pasur apo jo dyshime për korrupsion.

Përpos anës proceduriale, apo abuzimeve, anulimi duket se ka një linjë të qartë sulmesh ndaj Tahirit, për eleminimin  e tij nga Partia Socialiste, dhe për t’i hapur rrugë, kryebashkiakut Erion Veliaj./TPZ.AL/

OPINIONE