Duhet bërë diçka për Policinë e “Shtetit”

Rasti i përdhunimit në Kavajë i shtohet listës së gjatë të ngjarjeve që në vend se të tërhiqnin vëmendje për problemet sociale që përfaqësojnë, del në sipërfaqe si ilustrim i keqfunksionimit të Policisë së Shtetit.

Njësoj si në rastin e para disa muajve të Xhisela Malokut edhe ky i Kavajës u raportua nga ish-kryeministri Sali Berisha. Policia e Shtetit nuk ka përcjellë asnjë komunikatë për të duke tradhëtuar rëndë uniformën dhe misionin që pretendon se përfaqëson.

Për një ministër të Brendshëm, sidomos kur ky është një katolik fytyrë arbëror dhe me grada gjenerali, humbja e garës së informimit është shumë e rëndë. Ne sot e shohim përherë e me më shumë mosbesim Policinë e Shtetit, ne shohim tek ajo uniformë ca gjobvënës dhe njerëz fytyrëprishur që po t’u heqësh rrobën mund t’i ngatërrosh me lloj lloj kontigjenti, që vetëm për qytetarin nuk kujtohet.

Zoti Lleshaj nuk preferon të flasë për këtë që ka ndodhur. Ai është i qetë sepse kështu ja ka kërkuar shefi i vet, kryeministri, i cili e vuajti shumë faturën e rastit të Xhisiela Malokut.

Por policia ka një sfidë, që është raporti me qytetarin, raport i cili është në krizë besimi. Policia që duam, që kaq shumë na u trumbetua sa na u shurdhuan veshët është kjo polici që fsheh ngjarjet, që në qindra raste nuk bën as detyrën minimale të regjistrimit të kallëzimit penal, që është e mbushur me oficerë që bëjnë presion për tërheqje dëshmie si në rastin e procesit për vrasjen e Marvi Mihalit.

Kjo është një polici që ka frikë edhe për vete përveçse tradhëton qytetarët e vet. Emisioni i para disa javëve i Top Channel për situatën në Vlorë evidentonte se kishte raste kur kallëzimet bëheshin në Fier për shkak të mosbesimit për policinë e Vlorës. Çfarë e ndan këtë trupë nga përkufizimi i një bande të armatosur?

Kjo polici ka frikë për veten teksa një komisariat i tërë dëshmon të kundërtën e saj që ka ndodhur siç ishte rasti i Armando Prengës. Kjo është një polici, ish-titullari politik i së cilës, ish-ministri Sajmir Tahiri është në hetim dhe cilidoqoftë përfundimi nuk ka vendim që ta zhbëjë më njollën që ai I ka vënë këtij vendi. Është një trupë që u mbush nga drejtues që tashmë janë në kërkim, trafikantë dhe mbikëqyrës trafiku të drogës, të cilët kanë bërë zap qetësinë e të gjithë qytetarëve.

Kjo është një forcë e cila është përmbytur nga njerëz që vijnë nga kategori të pashkolluara, njësoj si ushtria. Kjo për arsye nga më të ndryshmet. Por pikërisht për këtë arsye kërkohet tjetër qasje që të pagdhendurit të kuptojnë se nuk mund të kapardisesh se ke një kobure pas bythe. DUhet t’u bëhet kurs histore punonjësve të rinj të policisë, t’u kujtohet p.sh se ato kapele që mbajnë sot në kokë e në emër të të cilave keqtrajtojnë njerëz të thjeshtë, dikur, para 21 vjetësh i shikoje kanaleve dhe rrugëve. Kishte një kohë kur polici fshihej e nuk dilte, pështyhej dhe përdhunohej në imazh, jo pse ka ndonjë ndjenjë kundër shtetit, por sepse kur sillesh si bandë duhet ta parashikosh se do të t’i vënë këmbët bigë dikur.
Ka një thashethem që thotë se z. Lleshaj bëri një gafë të vockël. Ai krijoi një grup messenger në ëhatsapp të quajtur Policët Katolikë. Në këtë grup ai ftonte policët e besimit katolik të luteshin për kolegët që ishin në aksione të caktuara. Mund të jetë spekullim keqdashës, lajm i pakonfirmuar, por zotëria që na u shit me kredenciale morale si askush tjetër duhet së paku të mos bëjë të mefshtin e as të fshihet, se punë relae prej tij pakkush pret.

Në planin politik është emergjente që diçka të bëhet në këtë drejtim. Ministria e Brendshme është një problem serioz që në vend se të jetë aktor në qetësinë publike, e provokon atë me sjelljet e veta dhe përfshirjen e hapur në krim dhe trafiqe.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne