Dy reportazhet/ Si e manipuloi djallëzisht ERTV atmosferën tek Infektivi

Montazhi ka një aftësi djallëzore për t’i tjetërsuar filmimet përmes manipulimit të figurës apo të zërit duke nxjerrë në produktin final një peisazh krejt tjetër nga realiteti. Mjafton ndryshimi i një detaji, apo pak efekte speciale, që të krijohet një realitet i rremë, përmes të njëjtave material filmike. Dhe meqenëse manipulimi i realitetit është qëllimi kryesor i propagandës, atëherë montazhi hileqar i figurës dhe zërit është një nga pikat më të forta të punës televizive në kryeministri.

ERTV transmetoi një seri reportazhesh për të sjellë atmosferën në spitalet Covid, si një tentativë për ta riparuar imazhin e dëmtuar nga vetëvrasjet, dëshmitë e familjarëve të të sëmurëve, akuzat e opozitës për mungesën e pajisjeve dhe denoncimet e mediave për rastet e tmerrshme të neglizhencës në dyert e spitaleve.


Por pasi mbylli ciklin e 4 reportazheve të ERTV-së për 4 spitalet Covid, Edi Rama lejoi futjen në spitalin infektiv (COVID 1) të kryeredaktores së News24, Anila Jole. Materialin e saj, (mund të shihet KETU) Rama e publikoi në Facebook dhe e shoqëroi me një mesazh-hakërrim ku thërret “turp e përsëri turp, kush përhap panik tek njerëzit me shpifje”. Hakërrimi i Ramës vjen pasi reportazhet në ERTV u konsideruan propagandë e pastër, ndërkohë që në dukje materiali i NEWS24 nuk ndryshon shumë nga ERTV.

Fillimisht duket se punonjësi i kryeministrisë Alteo Hysi dhe gazetarja Anila Jole e News24 nuk kanë sjellë as më shumë e as më pak, se të njëjtin reportazh që do të kishte sjellë nga brenda spitalit çdo gazetar tjetër.

Alteo i kryeministrisë, intervistë me Najada Çomon. (MUND TE SHIHETKETU) Anila e News24, intervistë me Najada Çomon. Alteo në dhomat e të sëmurëve që falenderojnë mjekët dhe infermierët. Anila në dhomat e të sëmurëve që falenderojnë mjekët dhe infermierët. Dhe kështu njësoj në të dy materialet, fjalët për punën heroike të bluzave të bardha dhe thirrjet për kujdes. Madje Alteo, duke qenë se tashmë ka fituar eksperiencë në përgatitjen e materialeve filmike kishte përgatitur edhe një video-mesazh prekës për shefen e pavionit Najada Çomon nga vajza e saj.

Por në fakt nuk është kështu. Reportazhi i përgatitur në kryeministri ka një handikap shumë domethënës. Sepse në realitet, në dhomat e spitalit infektiv dëgjohet kudo një zhurmë e tmerrshme, që në materialin e ERTV është zhdukur.

Kur sheh reportazhin e ERTV-së, duket sikur nëpër dhomat e spitalit ku hyn dhe del punonjësi i kryeministrisë, dëgjohen kudo tingujt e këndshëm të një pianoje apo refreni i “Good Job” nga Alicia Keys. Vetëm në pak sekonda kur flasin të sëmurët, kuptohet se realiteti është krejt ndryshe, për shkak të zhurmës së fortë që uturin kudo. Kjo dallohet vetëm në pak sekonda, atëherë kur është e pamundur të eleminohet teknikisht.

E kundërta ndodh në materialin e Anila Joles së News24. Ndërsa gazetarja hyn dhe del nga dhomat e spitalit, kudo dëgjohet zhurma e fortë e respiratorëve që i ngjan një turbine në fuqi të plotë dhe që ushton kudo nëpër spital. Megjithëse nuk e përmend zhurmën dhe as nuk e ngre si problem, të paktën Jole nuk e ka manipuluar materialin e saj.

Kjo nuk është rastësi. Për këtë zhurmë që ushton ditë natë në spitalet covid është folur shumë ditët e fundit.

Mjeku Arjan Mezini tha se kjo zhurmë ishte se përse pacientët ishin të çoroditur, ndërsa e krahasoi me momentitn kur avionët ngrihen në fluturim. “Po të doni iu tregoj një video ku dëgjohet zhurma e madhe, është sikur po ulesh në një pistë avionësh. Po të kesh atë zhurmë oksigjeni, kur ndërkohë duke përdorur këtë aparat dhe ia çon oksigjenin aq sa e don pacienti. Unë këtë po them, këto nuk janë menduar kurrë, fut tre tuba dhe nxirr pesë tuba, ajo ka shumë zhurmë” tha Mezini në emisionin Open.

Edhe sipas gazetarëve që raportonin ditën kur pacienti 69-vjeçar u hodh nga kati i tretë i Infektivit, u përmend zhurma e fortë në dhomat e spitalit që shoqëron 24 orë në 24 të shtruarit në spital.

Këto hamendësime u kundërshtuan nga kryeministri Edi Rama, që në një konferencë për mediat i quajti qesharake pretendimet se zhurma në spital, ndikon në çorientimin dhe më pas nxit vetëvrasjen e pacientëve.

Pikërisht në këtë linjë ka qenë edhe reportazhi tek Infektivi në ERTV. Për ta zbukuruar realitetin, për të sjellë një ambjent sa më pranë përshkrimit propagandistik, punonjësi i kryeministrisë ka zhdukur këtë detaj “të papërshtatshëm” për reportazhin e tij duke shtrembëruar realitetin në spitalin “Covid 1”./Lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne