Dyshohet se po shkëmbenin kokainë, arrestohet tre persona

Tre persona janë arrestuar nga policia e Durrësit, pasi dyshohet se ushtronin aktivitetin kriminal e trafikut të drogës.

Në kuadër të operacionit të koduar “Pure drugs” u arrestuan shtetasit A. G., 42 vjeç, A. N., 34 vjeç dhe F. D., 20 vjeç. Ky i fundit i dënuar më parë për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, banues në Durrës.

Policia thotë se këtyre personave iu sekuestrua një sasi prej 1 kg lëndë narkotike kokainë dhe municion luftarak.

“Gjatë operacionit, në bazë të informacioneve të siguruara se këta shtetas po tentonin të kryenin shitblerjen e një sasie kokaine, shërbimet e Policisë kanë konstatuar në një lokal në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, këta tre shtetas duke shkëmbyer 1 kg e 113.5 gr. lëndë narkotike të dyshuar kokainë.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. N., shërbimet e Policisë kanë gjetur një krehër dhe 33 fishekë. Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasve A. G., A. N., F. D. dhe sekuestrimi i lëndës narkotike dhe fishekëve”, thotë policia.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e municionit luftarak” kryer në bashkëpunim./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne