Ku gënjen Rama për vetëvrasjet në spitale?

Nga Ergys Mërtiri

Në vend të reflektimit dhe përgjegjësisë për vetëvrasjet në spitale, kryeministri Rama zgjodhi ta kalojë lumin sipas parimit strategjik: Mbrojtja më e mirë është sulmi.

Me një gjuhë agresive ai akuzoi opozitën dhe kritizerët e tij si mashtrues që po shfrytëzojnë rastin në mënyrë kriminale, për të bërë politikë duke përhapur panik e dëshpërim tek publiku. ‘Lehaqenie’, ‘flamë’, ‘marrëzi’, ishin termat me të cilat ai vlerësoi reagimet, që, sipas tij, vijnë nga ‘një çetë e çakërdisur personazhesh qesharakë’.

Në shpërfillje të plotë të përgjegjësisë, ai u përpoq ta trajtojë gjithçka si normale. Sipas tij, vetëvrasja për shkak të kovidit ndodh në të gjithë botën dhe nuk ka asnjë arsye për të fajsuar qeverinë. Për të argumentuar këtë ai iu referua një studimi të muajit maj, ku rezulton se gjatë këtij viti ka patur një rritje prej 32 përqind të numrit të përgjithshëm të vetëvrasjeve në rang global, si dhe një studimi në Itali, i cili numëron rritje të vetëvrasjeve nga 44 në 71 raste deri në muajin shtator të këtij viti.

Në fakt, e gjithë kjo është një abuzim i madh, që, i përdorur në kontekstin për të cilin flitet, kthehet në mashtrim flagrant. Në të vërtetë, me një kërkim në google gjithkush mund të vërtetojë se nuk rezulton asnjë rast vetëvrasjesh të pacientëve me kovid në spitalet europiane, amerikane apo vende të tjera të zhvilluara. Ka pasur, pa dyshim, raste vetëvrasjesh në shtëpi, apo edhe raste vetëvrasjesh tek mjekët (për shkak të presionit të madh psikologjik të ardhur prej situatës me të cilën ata janë përballur), por raste pacientësh që vrasin veten në spitale nuk ndeshen.

Raste të tilla rezultojne vetëm në Indi (vend ku banon një e shtata e botës) dhe në mënyrë sporadike në Indonezi, Xhamajke, Bangladesh e ndonjë vend tjetër, ku, për më tepër, në shumicën prej tyre theksohet si shkak mungesa përkujdesjes së duhur spitalore. Katër raste në një vend me 3 milion banorë, e me një numër kaq të pakonsiderueshëm të shtruarish janë vërtetë shumë.

Studimet për të cilat flet Rama, nuk kanë të bëjnë fare me vetëvrasjet në spitale, por me rritjen e përgjithshme të numrit të tyre në rang global, ku një shkak i rëndësishëm presupozohet të jetë natyrisht edhe pandemia. Por, edhe këtu, është vështirë të përcaktohet nëse kjo rritje ka ardhur më shumë nga sëmundja, apo, nga ankthi dhe depresioni i shkaktuar fillimisht nga karantina dhe paniku i krijuar prej mediave. Qeveria nuk po kritikohet pse nuk po ndal vetëvrasjet në përgjithësi, por përse nuk ofron standardet e duhura të shërbimit spitalor, të cilat mund ti bëjnë ato të shmangshme..

Kur një i sëmurë i jep fund jetës duke qenë nën kontrollin dhe kujdesin e mjekëve, kjo tregon se ka diçka që nuk shkon me spitalin. Sistemi shëndetësor duhet të ketë në vëmendje edhe gjendjen psiko-emocionale të pacientit, dhe, në raste problemesh, është elementare që ai të trajtohet të paktën me medikamente kundër ankthit, për të shmangur tragjedi të tilla. Kur rasti përsëritet për të katërtën herë brenda pak muajsh, kjo do të thotë se kemi të bëjmë tashmë me një fenomen që ka shumë për të vënë në diskutim mbi gjendjen e spitaleve.

Nuk është alarmi për spitalet ai që prodhon mosbesim në sistemin shëndetësor dhe panik e dëshpërim tek qytetarët, siç thotë Kryeministri. Ajo që e sjell këtë është pikërisht paaftësia për ti trajtuar problemet me seriozitetin e duhur, e mbi të gjitha, mosreflektimi dhe mosmbajtja përgjegjësisë kur ngjarje të tilla ndodhin. Kur rastet janë të përsëritura, kjo tregon se nuk ka pasur kurrfarë reagimi për të menduar sesi ato të shmangen dhe kjo sigurisht që tregon papërgjegjshmërinë e këtij shteti, përfshi këtu edhe institucionet shëndetësore.

Një qeveri e përgjegjshme nuk sulmon kritikuesit, por reflekton ndaj problemit. Një qeveri si kjo e Ramës, e kërkon gjithmonë zgjidhjen në propagandë dhe konflikt politik, ndaj dhe është e destinuar ti përsërisë problemet. Nëse ky shtet do ishte sjellë me seriozitet që me rastin e parë, duke hetuar dhe zbardhur ngjarjen, duke adresuar përgjegjësitë, e duke iu përgjigjur problemit me zgjidhjet e duhura, mund të kish kursyer tre të tjerët, si dhe vetë retorikën vulgare të fajësimit të kundërshtarit prej Kryeministrit apo shtrembërimet banale të fakteve për të justifikuar veten./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne