E fejuara e Khashoggit thirrje udhëheqësve të shmangin samitin e G20-tës

Hatice Cengiz, e fejuara e gazetarit saudit të vrarë Jamal Khashoggi, të enjten u bëri thirrje udhëheqësve botërorë të mos marrin pjesë në samitin e këtij viti G20 në Riad të Arabisë Saudite.

Në një artikull në Washington Post në prag të përvjetorit të dytë të vrasjes së Khashoggit, Cengiz kujtoi se Arabia Saudite do të presë samitin vjetor të 15-të të drejtuesve të Grupit të 20 ekonomive në nëntor.

“Gjëja më logjike për të bërë udhëheqësit botërorë sot, ndëshkimi më i mirë për princin e kurorës saudite tani, edhe nëse vjen shumë vonë, është të mos merret pjesë në këtë samit virtual”, tha Cengiz në artikullin e saj me titull “Ne jemi privuar nga zëri i Jamal Khashoggit. Por heshtja e tij i thotë të gjitha”.

Ajo i referohej princit të kurorës Mohammed bin Salman, i cili me gjasë urdhëroi vrasjen e gazetarit, sipas raporteve të OKB-së dhe organizatave të tjera të pavarura.

“Kjo do të ishte një mënyrë për të shmangur dhënien e ndonjë legjitimiteti shtesë për administratën aktuale saudite që mban përgjegjësinë për këtë vrasje dhe ende po arrin t’i shpëtojë pasojave të saj”, shtoi ajo.

Khashoggi, kolumnist i “The Washington Post”, u vra dhe u copëtua nga një grup operativësh sauditë pak pasi ai hyri në konsullatën e vendit në Stamboll, më 2 tetor të vitit 2018.

Trupi i tij nuk u gjet kurrë.

Samiti do të mbahet praktikisht më 21-22 nëntor dhe do të kryesohet nga mbreti Salman./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne