Edhe ish-vartësit e Saimir Tahirit kërkojnë lirinë: Na përfshini në pr/ligjin për amnistinë penale, po diskriminohemi!

144 të burgosur të hetuar nga SPAK, të shpallur fajtorë nga Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, pretendojnë se po diskriminohen nga ligjbërësit.

Në një letër të dërguar ministrit të drejtësisë Ulsi Manja, kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, kryetarit të opozitës Lulzim Basha si dhe Top Channel, të burgosurit e sigurisë së Lartë në Peqin kërkojnë që të përfshihen në projektligj edhe ata të burgosur që kanë vuajtur shumicën e dënimit, për akuzën e trafikut të drogës.

Duke e konsideruar veten të thjeshtë para zyrtarëve të korruptuar që janë dënuar apo janë nën hetim, të burgosurit e Peqinit shprehen se nuk mund të barazohen dhe të ndëshkohen për shkak të korrupsionit  në nivele të larta.

“Sepse po digjemi , po diskriminohemi  për disa raste të korrupsionit të lartë që ne nuk kemi asnjë lidhje”, ankohen më tej të burgosurit.

Në gabimin tonë e kemi shlyer shkruhet më tej dhe kërkojmë që në amnisti të përfshihen të dënuarit e SPAK për kanabis. Në listën me 44 emra kanë firmosur edhe ish-zyrtarët e policisë Sokol Bode e Gjergj Kohila, apo Arben Lekli i grupit që kultivoi kanabis në Skrapar dhe Adrian Xhibro, i dënuari i grupit të kanabisit në Sarandë.

Gjithashtu në emër të kultivuesve të kanabisit rezulton se kanë firmosur edhe të dënuar si grabitës apo të dënuar për rrëmbimin e Jan Prengës. Ligji i amnistisë nuk po aplikohen prej katër vitesh dhe së fundmi kundërshtimet ishin pikërisht me dispozitat e veprave që heton SPAK dhe që i dënon Gjykata e Posaçme.

Pak ditë më parë një peticion gati të ngjashëm firmosën edhe të burgosurit e Durrësit që u shprehën se amnistia po mbahet peng nga qëndrimet politike.

Sokol Bode ishte dënuar me 8 vjet burg, pasi akuzohet nga SPAK për implikim në trafikun e narkotikëve të kryer nga organizata kriminale e drejtuar prej vëllezërve Moisi dhe Florian Habilaj.

Bode, bashkë me ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela si dhe Gjergj Kohila, shefi i sektorit të luftës kundër krimit të organizuar, drejtuan drejtorinë e Qarkut Vlorë gjatë viteve 2015-2016, ndërsa akuzohen si të përfshirë në dosjen ‘Habilaj’ për trafikun e kanabisit. Akuza që qëndron mbi këta zyrtarë është ajo e mosveprimit ndaj kultivimit të kanabis sattiva në këtë qark.

Në 3 shkurt 2019, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda dosjen për gjykimin e të pandehurve Saimir Tahiri, Jaled Çela, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode, nën akuzën “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i strukturuar kriminal”,  si dhe “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Në 10 korrik 2019, gjykata vendosi pezullimin e gjykimit për të pandehurit Sokol Bode dhe Gjergji Kohila pasi nuk ishin gjetur, ndërsa ndau çështjen e tyre nga çështja nga Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela. Prokuroria kërkoi 12 vite burg për ish-ministrin Tahiri.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne