Edhe pa emigracionin, Shqipëria po shkon drejt shuarjes, shtesa natyrore e popullsisë ra 17% në tremujorin e tretë

Me numrin e lindjeve që po bie me ritme të larta, shtesa natyrore e popullsisë po tkurrjet ndjeshëm nga njëri tremujor në tjetrin, me ritme dyshifrore. Nëse kësaj tendence i shtojmë dhe emigracionin e rigjallëruar vitet e fundit (sipas OKB-së nga Shqipëria ikin neto 39 persona në ditë), nuk do të jetë e largët disa kur në vend do të mbeten shumë pak njerëz, pjesa më e madhe e të cilëve do të jenë të moshuar.

INSTAT bëri të ditur sot në treguesit demografikë se numri i lindjeve, për tremujorin e tretë 2019 rezulton 7.403, duke shënuar një rënie prej 9,9 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2018. Numri i vdekjeve, për tremujorin e tretë 2019 rezulton 4.716, duke shënuar një rënie prej 5,1 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2018.

Gjatë tremujorit të tretë 2019, numri i lindjeve tejkaloi me 2.687 numrin e vdekjeve. Shtesa natyrore e popullsisë, për tremujorin e tretë 2019 pasqyron një rënie prej 17,1 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2018.

Në tremujorin e tretë 2019, shtesa natyrore e popullsisë shënon vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës, ku numri i lindjeve tejkalon me 1.223 numrin e vdekjeve, ndërsa i vetmi qark me shtesë natyrore me vlerë negative është ai i Gjirokastrës, ku numri i vdekjeve tejkalon me 53 numrin e lindjeve.

Lindjet

Numri më i madh i lindjeve, për tremujorin e tretë 2019 regjistrohet në qarkun e Tiranës, me 2.410 lindje, të cilat shënojnë rënie me 11,3 % në krahasim me tremujorin e tretë 2018. Numri më i ulët i lindjeve, për tremujorin e tretë 2019 regjistrohet në qarkun e Gjirokastrës, me 115 lindje, duke patur një rënie prej 18,4 % në krahasim me tremujorin e tretë 2018.

Dhjetë nga dymbëdhjetë qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e tretë 2019, krahasuar me tremujorin e tretë 2018. Rëniet më të mëdha të lindjeve në përqindje, gjatë kësaj periudhe e shënojnë: qarqet Gjirokastër me 18,4 % dhe Elbasan me 14,9 %.

Qarqet, të cilat kanë pësuar rritje të numrit të lindjeve janë Kukësi me 1,1 % dhe Vlora me 0,5 %.

Vdekjet

Gjatë tremujorit të tretë 2019, numri më i ulët i vdekjeve regjistrohet në qarkun e Kukësit, me 113 vdekje, me një rënie prej 0,9 %, në krahasim me tremujorin e tretë 2018.

Njëmbëdhjetë nga dymbëdhjetë qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të vdekjeve, në tremujorin e tretë 2019, krahasuar me tremujorin e tretë 2018.

Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë kësaj periudhe e shënon qarku i Durrësit me 18,8 % dhe i Gjirokastrës me 9,7 %. Qarku, i cili ka pësuar rritje në përqindje të numrit të vdekjeve është ai i Beratit, me 2,9 %./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne