FATOS LUBONJA
“Pervers është ai që jeton në një botë pa të tjerë”
Gilles Deleuze
Duke u nisur nga përshkrimet që i janë bërë miqësisë sime me Edi Ramën në vitet ’90 (ku ka shumë manipulim dhe pak thellim për të vërtetën e kësaj miqësie dhe të shkaqeve e dinamikës së prishjes, ndonëse kjo ka qenë goxha publike) një numër jo i vogël të njohurish, në një mënyrë apo në një tjetër, më kanë rekomanduar të rivendos lidhjet me të, tani që është edhe kryeministër. Më të respektueshmit për mua kanë qenë ata që kanë shprehur mendimin se mund të ndikoj për mirë me kritikat e mija. U kam kthyer përgjigje jo vetëm duke u thënë se kritikat më mirë se kudo i kam shprehur në shtyp, duke u përmendur parimin e Montanelit “larg atyre gazetarëve që hanë e pinë me politikanë”, por edhe duke u thënë se miqësia e vërtetë, prandaj dhe komunikimi i vërtetë, me këtë njeri, ku hyn edhe dëgjimi i kritikave, më ka rezultuar se nuk është i mundur. Madje, për hir të së vërtetës, një tentativë ndërhyrjeje e kam bërë, nën ndikimin e një të njohuri të përbashkët, kur mësova se ky kishte vendosur të prishte Stadiumin Qemal Stafa, por duke vënë bast se nuk do të funksiononte. Edhe mënyra se si u soll me Stadiumin ishte provë e asaj që i kisha thënë këtij miku se, që të mund të dëgjojë e pranojë kritika ky njeri, duhet më së pari të kurohet, kurse në kushtet e tij psikike kjo vetëm mund të prishë punë. Prandaj, kur kam shkruar një shkrim asokohe mbi prishjen e Stadiumit, kam thënë se, që të kryesh një masakër të atillë, përvese “injorant”, “i korruptuar”, “mashtrues i paturp” (dhe “kryeministër”, sigurisht) duhet të jesh edhe i sëmurë psikik. Siç do ta shtjelloj në këtë shkrim këto karakteristika nuk duhen parë të ndara tek Edi Rama, pasi janë të lidhura ngushtë me sëmundjen e tij psikike.
***
Nuk më shqitet nga mendja një thënie që i atribuohet Paul Miliesi-t, doktorit të Enver Hoxhës, sipas së cilës, kur e kanë pyetur nëse ka konstatuar ndonjë sëmundje psikike tek diktatori ky është përgjigjur se “ka një sëmundje që në krye të familjes ta kesh të bën gjëmën jo më në krye të shtetit”. “Se non e vero e ben trovato” – thonë italianët. Kush ka lexuar për historinë e shumë njerëzve që kanë bërë keq, në krye të të cilëve shumica do të vendosnin Hitlerin, e di se sa analiza janë bërë duke kërkuar të gjejnë shpjegimin e të keqes tek problemet e tyre psikike. Pyetja që kam ngritur shpesh me vete, duke parë manifestimin gjithnjë e më dramatik të simptomave të Ramës është: në një kohë kur jemi në demokraci pse duhet të presim të ndodhë e keqja deri në fund, për të folur për sëmundjet psikike të njerëzve që kanë në dorë fatet tona? Më ngacmoi për këtë edhe një letër që një duzinë psikologësh i kanë dërguar New York Times-it mbi shëndetin mendor të Trumpit – duke thyer madje një rregull të heshtur midis specialistëve të fushën – në të cilën shkruajnë se “instabiliteti i tij i rëndë emocional” e bën të papërshtatshëm për rolin e presidentit. Më ngacmoi edhe një shkrim i Hufington Post ku, mes tjerash, autori shkruante se Trump-i vuan nga një sëmundje e rrezikshme, “narçizizëm malinj”, që është bash patologjia e Ramës që kam njohur dhe që po e njohim përditë.
Në shkrime apo prononcime të mijat i kam përmendur herë pas here disa karakteristika të sëmundjes së Ramës, duke ruajtur një lloj etike megjithatë, por edhe duke i shoqëruar me arsyetimin se problemi është se kjo kategori njerëzish, shoqërisht të rrezikshëm, që normalisht duhet t’i çojmë të kurohen, ne i ngremë në struktura pushteti. Vazhdoj të mendoj se problemi mbetet i shoqërisë, por, kur flasim për shoqërinë, duhet të kemi parasysh edhe kulturën tonë të heshtjes ndaj problemeve që krijojnë, që nga familja e deri në jetën politike, të sëmurët psikikë që na rrethojnë.
Prandaj vendosa ta shkruaj këtë shkrim mbi psikikën e Edi Ramës dhe rrezikshmërinë që paraqet me shpresën se do të ndërgjegjësojë shumë vetë që ushqejnë patologjinë e tij, pa menduar për pasojat që ajo po i sjell një shoqërie të tërë. Shtoj, nga ana tjetër, se nuk do ta merrja këtë mundim sikur të mos mendoja se nuk kemi të bëjmë me një rast të veçantë, por me një sëmundje shumë të përhapur në shoqërinë shqiptare, pa të cilën fenomene si ai i Ramës nuk do të mund të ndodhnin.
Narçizisti si borderline
Teodor Keko dhe Andi Bejtja, të cilët në vitet ’90 drejtonin të përjavshmen kulturore Aks, tregonin asokohe se, një fundjavë që u kishte dalë një punë, ia lanë mbylljen e gazetës Ramës, që ishte bashkëpunëtor i faqes së pikturës. I kishin përcaktuar kryetitujt e faqes së parë dhe thuajse gjithçka, por, kur u kthyen, panë se në variantin e dalë nga shtypi Rama kishte ndryshuar gjithçka. Në faqe të parë ky kishte vënë një foto të madhe të vetvetes dhe në faqen e pikturës kishte promovuar një ekspozitë të vetën. Mesa më kujtohet këtë histori e tregonim duke qeshur, madje duke e quajtur të ekzagjeruar vendimin e Kekos që ky të pushohej nga puna që kryente. Por asokohe askush nuk e mendonte se ky njeri, me çrregullime të dukshme narçiziste të personalitetit, mund të dilte në krye të shtetit dhe do të bënte me Shqipërinë atë që bëri me gazetën AKS një fundjavë të vetme që iu la në dorë. Ka pasur megjithatë nga ata që e kanë parandjerë.
Sipas psikologëve të gjithë njerëzit duhet të kenë një dozë narçizizmi që do të thotë një investim të libidos (energjisë së dashurisë) tek vetvetja. Kjo lloj dashurie e shëndoshë për veten na bën të jemi më kërkues në jetë – thuaj po deshe më ambiciozë, – por dhe të sillemi në harmoni me principet tona morale. Ndërkaq, kuptohet se tek historia e Kekos dhe Bejtes nuk kemi të bëjmë me këtë lloj narçizizmi. Ajo flet për një njeri të cilin dashuria për vetveten e çon në shkapërcimin e normave elementare të sjelljes, ku hyn edhe ndjenja e turpit për t’ua kaluar e hedhur të tjerëve duke shkelur çdo rregull. Tek ky shkapërcim bien në sy qartazi “çrregullime narçiziste të personalitetit” që, sipas psikologëve, shfaqen kur dashuria për vetveten përmbyt gjithçka ose, thënë me gjuhë psikologësh, kur tek pacienti kemi një hiperinvestim të libidos tek vetvetja. Më kujtohet se kur Rama hyri në politikë një njeri që e kishte njohur shumë mirë thoshte: sikur 0,0001 % të asaj dashurisë së madhe, të stërmadhe, që ka ky për veten ta shpenzonte për t’u dhënë pak dashuri edhe shqiptarëve do të bënte mrekullira, por ai nuk e ka as atë 0,0001 %.
Po cili është shkaku i këtij çrregullimi?
Pa u zgjatur në teori, aq më tepër duke mos qenë specialist i fushës, do të kufizohem në një skicim të bazuar në leximet e mija si dhe në vëzhgime të sjelljeve të Ramës.
Çrregullimet narçizistike të personalitetit bëjnë pjesë në kategorisë që cilësohen me termin “borderline organisation personallity” (organizim bordeline i personalitetit). Quhen borderline sepse janë në kufijtë që ndajnë organizimet neurotike të personalitetit (neurotikët kanë një dallim të qartë midis vetes dhe realitetit) me ato psikotike (që i konfondojnë këto). Si të tillë aftësinë e arsyetimit dhe një lloj sensi realiteti këta e kanë të paprekur, çka e bën më të vështirë për t’i dalluar si të sëmurë. Është një gjë që vihet re edhe tek Rama. Argumentimet e tij janë të kthjellëta, nuk u mungon logjika dhe as mbështetja në fakte. Problemi i borderlineve është se ata kanë vështirësi për të realizuar atë që quhet integrimi i Vetes (identitetit). Integrimi i Vete-s është aftësia për t’i njohur aspektet kontradiktore të vetes tonë (të mirat dhe të këqijat, aftësitë dhe paaftësitë, talentet dhe jo talentet) si dhe për t’i mbajtur ato në unitet. Për shkak kryesisht traumash që kanë kaluar në fëmijëri, si psh. kur kanë pasur prindër jo afektivë apo me qëndrime tejet kritike apo deri zhvleftësuese ndaj tyre, këta kanë pësuar një frenim në ndërtimin e identitetit (Vetes) në kuptimin, pra, të integrimit të aspekteve kontradiktore të vetes. Ata ose e idealizojnë veten ose e zhvleftësojnë, shpesh duke u luhatur nga idealizimi tek zhvleftësimi, çka i bën të përjetojnë emocione ekstreme pozitive ose negative. Kush e ka njohur Ramën nga afër, por edhe kush i ka ndjekur sjelljet e tij publike me këtë këndvështrim i njeh mirë lëkundjet “e pashpjegueshme” të humorit të tij nga ekzaltimet që kulmojnë edhe me batare sharjesh në depresionet deri në marrje fryme dhe vice-versa. Të njëjtën gjë, idealizimin ose zhvleftësimin, borderline-t bëjnë edhe me të tjerët. Ata nuk arrijnë t’i shohin të tjerët në kompleksitetin e tyre, në dritëhijet e tyre, veset dhe virtytet, por ose i idealizojnë ose i zhvleftësojnë. Këtë Rama e ka edhe më të dukshme sepse raporti me të tjerët është edhe më i ekspozuar e sa ai me vetveten. Ai është i mirënjohur për faktin se të tjerëve u drejtohet ose me superlativa: “sa i madh je ti” ose me epitete talljeje dhe përqeshjeje. Në fakt kjo ndarje e anëve negative të vetvetes dhe të tjerëve nga ato pozitive bën pjesë në mekanizmat mbrojtës që përdorin borderline-t ndaj emocioneve negative që provojnë. Kur akuzohen për ndonjë të keqe këta nxitojnë ta ndajnë atë nga vetja dhe t’ia veshin akuzuesit. Ky aspekt vetëmbrojtës i Ramës duket qartë tek reagimet e tij me gazetarët që e intervistojnë. Edhe përballë të vërtetave më evidente ai reagon duke i akuzuar se janë injorantë, se gënjejnë apo se punojnë për kundërshtarin.
Narçizisti patologjik
Në rastet ekstreme borderline-t ku dominon vetzhvleftësimi arrijnë të kryejnë akte autolezionizmi deri edhe vetëvrasjeje, kurse ata ku dominon narçizizmi zhvillojnë forma të rënda dhe të rrezikshme të patologjive narçizistike.
Rama ashtu siç e kam njohur dhe ashtu siç e manifeston përditë, hyn në atë nënkategori boderline-sh të cilët, për t’u mbrojtur nga pasiguritë dhe kaosi i brendshëm, që u buron nga mungesa e integrimit të Vetes, i ikin me sa munden vetëzhvleftësmit duke u kapur fort tek idealizimi i vetvetes. Këta individë zhvillojnë një Vete grandioze patologjike të cilën e ushqejnë me fantazi grandioze mbi veten dhe të tjerët, kurse çdo shfaqje negative të vetes e projektojnë jashtë saj. Kjo rëndom u zhvillon mitomaninë, që i shtyn të falsifikojnë realitetin duke treguar historira fantastike me të cilat kërkojnë të tërheqë vëmendjen e të tjerëve për të ushqyer vanitetin dhe nevojën e ekzagjeruar për t’u admiruar. Besoj se gjithkush që e ka njohur do të konstatojë se po i afrohem edhe më karakterit të njeriut për të cilin po shkruaj, sepse historirat me tregimet e barcaletat e tij të zbukuruara dhe ndryshuara darkë pas darke, sipas mikut që ka në tryezë janë bërë tashmë proverbiale. Por edhe pa e njohur personalisht mjafton të lexosh librin Kurbani për t’i gjetur këto simptoma. I gjithë libri, është ndërtuar në funksion të ndërtimit të Vetes së tij grandioze dhe nevojës për tu admiruar. Nëpërmjet përshkrimit të situatave apo bisedave të transformuara me fantazitë e tij apo edhe krejt imagjinare, aty sheh se si oligarkët shqiptarë si Koço Kokëdhima apo Fidel Ylli, të mahnitur nga projektet e tij për Tiranën, filluan të bëjnë punë gratis për pastrimin e Lanës, me paratë që do të kishin dhënë nga ryshfetet që do të kishin paguar sikur të mos ishte Rama në Bashki. Aty lexon se si e magjepsi drejtorin e Bankës Botërore që vendosi të financojë shtesën e Bashkisë, edhe pse kjo s’përputhej me projektet e Bankës, pasi e bindi se në katin e parë të asaj shtese do të luftohej korrupsioni që gëlonte deri më atëherë në zyrat e Bashkisë.
Por prapa këtyre historirave fantastike që, jo pa sukses, arrijnë të ngjallin edhe admirim për rrëfimtarin, veçanërisht në njohjet e para, ka edhe një faqe tjetër të errët. Ky lloj i sëmuri lëviz në një realitet të rrezikshëm sepse ka frikë se në çdo moment ideja e madhështisë që ka për veten mund të zhvleftësohet. Prandaj, nevoja për tu siguruar, për të mbajtur të paprekur imazhin grandioz që ka për vetveten, më një anë e shtyn të ndjejë nevojën ekstreme për admirim, por, më anë tjetër, për tu mbrojtur nga “rreziku” i mosadmirimit, e shtyn t’i mbajë larg ata të tjerë që, sipas tij, nuk e vlerësojnë siç meriton. Jo vetëm, por shpesh edhe kjo distancë nuk i mjafton. Për tu mbrojtur nga emocionet negative dhe ndjenjat e inferioritetit dhe pasiguritë e ngulitura thellë ai zhvillon një ndjenjë zilie të thellë ndaj këtyre të tjerëve duke i bërë automatikisht objekte inati dhe zhvleftësimi. Në këtë mënyrë të tjerët humbasin në vetëdijen e tij çdo ekzistencë jashtë të qenit ose “shpëtimtarë” që ata i shfrytëzojnë për të ushqyer vlerësimin e vetes ose rivalë të urryer. Kjo ua bën narçizistëve patologjikë të pamundur një ndërtim marrëdhëniesh normale me të tjerët.
Nga përvoja personale mund të kujtoj se si nga intelektuali “i madh” me të cilin ndante vizione të përbashkëta, ndër të cilat edhe ato për një kthim të Tiranës në identitet, kundër ndërtimeve të larta, u ktheva në “shpifësin profesionist’, “urbanistin popullor” dhe “moralistin” që duhej përqeshur e që veç tjerash shkruan edhe aq keq. Në këtë kontekst, po ta shohësh, libri i tij Kurbani, si anë tjetër të ngritje së Vetes së tij grandioze nëpërmjet historirash të sajuara apo zbukuruara, ka edhe zhvleftësimin me lloj lloj historirash dhe epitetesh denigruese të kritikëve të tij.
Megjithatë, pa analizuar etjen për pushtet dhe sjelljen në pushtet të Ramës nuk mund të cekim aspektin më të rëndë të patologjisë së tij. Një narçizist patologjik mund të jetë edhe ai që izolohet nga të tjerët dhe zhytet në një vetmi të thellë madhështie duke e konsideruar veten si gjeni të moskuptuar; mund të jetë edhe ai që punon për veten në mënyrë tepër egoiste; ai që mburret me prestacionet e tij të jashtëzakonshme seksuale; apo ai që ve në dukje pasurinë e madhe që ka. Mund të ishte edhe thjesht një megaloman mitoman qesharak me historitë e të cilin tallen të gjithë. Do të kishim qenë fatlumë sikur patologjia e Ramës të ndalej deri në këtë nivel mbarëshqiptar të narçizizmit. Por, fatkeqësisht, “aftësia” e tij për të manipuluar, gënjyer, mashtruar, intriguar në funksion të kapjes së pushtetit dhe pastaj për të mos mbajtur asnjë fjalë të dhënë, madje për të bërë krejt të kundërtën, pa njohur as ndjenjën e turpit dhe as ndjenja të tilla njerëzore si empatia apo ndjenja e fajit, janë simptoma të një patologjie më të rëndë.
***
Por, përpara se të hyj tek patologjia e tij, po hap këtu një parantezë që lidhet dhe me synimin e këtij shkrimi. Ky shkrim nuk mund të mos ngrejë një pikëpyetje të rëndësishme. A duhet ta fusim Edi Ramën në atë kategori që në terma juridike formulohen si “të aftë për të kuptuar rëndësinë e veprimeve të tyre dhe të pasojave që vijnë prej tyre” apo jo? A duhet ta konsiderojmë atë si “të aftë për t’i kontrolluar veprimet e tija” apo jo? Në italisht formula është “capacita di intendere e volere” dhe në thelb do të thotë: a duhet ta konsiderojmë përgjegjës për ato që ka bërë e po bën apo jo? Sepse një përshkrim i çrregullimeve të personalitetit të Ramës mund të lexohet edhe si një justifikim, apo si një zhveshje nga përgjegjësia, pasi aktet e tij janë kryer nën efektin e patologjisë. “Të kuptosh gjithçka do të thotë të justifikosh gjithçka” – thotë një fjalë e urtë. Lidhur me këtë aspekt, pa qene specialist i kësaj fushe ku takohen juristi me psikologun, mendimi im është se kemi të bëjmë me një rast borderline ku përgjegjësia dhe papërgjegjësia takohen. Prandaj mendimi im i shprehur edhe publikisht më shumë se një herë ka qenë se ky njeri duhet larguar nga politika. Këtë mendim ia kam shprehur edhe atij veçmas dhe publikisht disa herë. Së fundmi edhe në komunikimin që përmenda në hyrje të këtij shkrimi duke i thënë: “uroj të dalësh nga politika për të mirën tënde dhe të të gjithëve se me këtë që po bën me Stadiumin tregon se ke prekur fundin.”
Duke mos hequr dorë nga ideja se përgjegjësia morale dhe ligjore për heqjen e pushtetit nga duart e këtij të sëmuri nuk është vetëm e personit në fjalë, por edhe e shumëve që e kanë mbështetur apo përdorur, duke u bërë bashkautorë në dëme të pallogaritshme në jetën ekonomike, politike, shoqërore, e kulturore të vendit, po kaloj në përshkrimin e mëtejshëm të patologjisë së tij si narçizizëm pervers ose malinj dhe rreziqet që ajo mbart.
Narçizizmi pervers ose malinj
Sikur çrregullimi i Ramës të ishte ndalur tek patologjia e individit, i cili strehohet në idenë e madhështisë e mitomanisë duke u vetizoluar, me shumë gjasa do ta kishim parë të tërhequr në studion e tij të piktorit duke pritur aty vetëm adhuruesit e veprave të tij dhe duke treguar historira fantastike për suksesin e tyre. Nuk di të them për vlerat artistike që mund të kishin këto. Ndoshta edhe mund të kishin, por kam dyshime pasi mendoj se artisti i vërtetë ka nevojë edhe për aftësinë për të dëgjuar kritika edhe për një humanizëm që e tejkalon shumë herë dashurinë vetëm për vetveten. Por, sidoqoftë, nuk do të kishte qenë kurrsesi kaq i dëmshëm për krejt shoqërinë, ku përfshihen edhe kolegët e tij artistë. Problemi është se ai bën pjesë në kategorinë e atyre narçizistëve ku kapja fort tek ideja e madhështisë dhe mitomania kombinohen me agresivitetin. Është ky kombinim që zhvillon “narçizizmin malinj”, siç e ka quajtur Otto Kernberg, studiuesi i sëmundjes dhe krijuesi i termit. Është ky që e ka çuar edhe tek etja për pushtet.
Në këtë rast ekstrem idesë së madhështisë i shtohen edhe aspekte të omnipotencës dhe shfaqje paranojake që e shtyjnë narçizistin malinj të mendojë se është qenie speciale, superiore, se atij duhet t’i kënaqet çdo tekë e dëshirë, se mund të bëjë ç’të dojë, sepse për të rregullat nuk vlejnë. Por ka edhe më: omnipotencën ai e përforcon fort edhe me ndjenjën e triumfit ndaj të tjerëve që e çon deri në shijimin e situatave kur arrin t’u shkaktojë dhimbje atyre. Nuk mund të shpjegohen shumë sjellje të Ramës, si lehtësia me të cilën shpërfill normat shoqërore më elementare, shkel ligjet e shtetit, bashkëpunon me kriminelë për të arritur synimet e tij, pa delirin e omnipotencës. Nuk mund të kuptohen talljet, përqeshjet dhe poshtërimet që u bën kundërshtarëve pa ndjenjën e triumfit deri në shkaktim dhimbjeje – kujtoni cilësimin “dele” dhe “budallenj” për votuesit e opozitës, apo heqjen e fotos së Presidentit dhe lëshimin e lukunisë së tij kundër tij duke i përmendur deri edhe defektet fizike. Nuk po hyj këtu të përmend historitë e poshtërimeve që u bën njerëzve që ka pranë e i servilosen të cilat tregohen, në ambiente gazetareske veçanërisht, si barcaleta për të qeshur dhe për të qarë.
***
Por ka akoma edhe më: psikologët e kanë quajtur narçizizmin malinj edhe “narçizizmi pevers” dhe të sëmurin shpesh e quajnë edhe “manipulatori pervers.” Me pervers duhet të kemi parasysh atë që thotë Deleuze: njeriun për të cilin nuk ka të tjerë në botë. Jo se të tjerët nuk ekzistojnë fizikisht, por sepse, siç e thashë më lart, të tjerët nuk ekzistojnë ngase e vetmja qasje që ka ky ndaj të tjerëve, i vetmi motiv për të hyrë në marrëdhënie me ta, është seduktimi dhe manipulimi i tyre në funksion të idesë së tij të madhështisë. Dhe duhet pranuar se këtu Rama shkëlqen. Nga njohja personale mund të them se ai shkëlqen në simulimi i dashurisë të kombinuar me miklimin e vanitetit të tjetrit, që i vijnë edhe nga ndarja që i bën borderline-i të tjerëve në njerëz që i do dhe njerëz që i urren. Kjo i funksionon thuajse gjithmonë duke pasur parasysh se sa pak sens vetëkritik kemi ne, bij të një shoqërie ku dominon kultura narçizistike. Një arme tjetër e suksesshme e tij në fushën e manipulimit, është sensi i humorit, më saktë seduktimi nëpërmjet humorit. Po ta vesh re me kujdes është një humor që mban brenda simptomat për të cilat po flas. Ai konsiston në gjetje batutash që venë në lojë, tallin apo përqeshin një situatë, një person apo grup personash, që i përgjigjen ndjenjave që ka edhe grupi që qesh sëbashku me të për këtë situatë person apo grup personash. Jemi përsëri në ndarjen e bordeline-it në të mirët që përqeshin të këqijtë, pa ndonjë sens kritik apo nuancë grije në mes.
Problemi është se duke qenë se më së shumti ky humor i buron nga nevoja për të denigruar personin apo personat që ka kundërshtarë dhe jo idetë apo principet që ata përfaqësojnë nesër mund të mbetesh i befasuar sepse mund ta gjesh sëbashku me ata duke të përqeshur ty. Duket sikur ke të bësh me dy njerëz por në fakt ke të bësh me një borderline narçizist që tjetrin e sheh vetëm në funksion të krijimit të ndjenjave pozitive për vetveten. Kush është çuditur me Ramën teksa e ka parë të bëjë miq ata për të cilët nuk ka lënë gjë pa thënë deri dje, duhet të kuptojë se narçizisti patologjik miqësinë e kupton vetëm si mundësi manipulimi. Kush është çuditur se një ditë ka hyrë në kafene e ka përqafuar duke i treguar admirim e dashuri e një ditë tjetër as nuk e ka vënë re se ekziston duhet të kuptojë se në të dy ditët ka takuar të njëjtin njeri: por në të parën, për një arsye apo një tjetër përqafimi i është dashur, kurse në të dytën jo. Në thelb kemi të bëjmë me një parvertim të komunikimit njerëzor, me humbjen e dimensionit të njeriut si qenie sociale, me njeriun i cili – siç thotë Deleuze – jeton në një botë ku nuk ka të tjerë.
Edhe në raportet afektive duke qenë, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, thjesht e vetëm manipulatorë ndjenjash, narçizistët perversë janë në thelb të vetmuar. Bëjnë sikur dashurojnë, por nuk kanë asnjë lloj ndjenje. E manipulojnë viktimën me përkëdhelje e dashuri të shtirur dhe, pasi e fusin në rrjetë, fillojnë e keqtrajtojnë duke e goditur në pikat e dobëta, që vetë viktima ua ka rrëfyer, e mbajnë vazhdimisht nën kritika, insinuata, tallje, denigrime që kanë si qëllim final t’i shkatërrojnë stimën për vetveten deri në atë pikë sa viktima të besojë edhe vetë se është i/e tillë dhe se nuk i mbetet rrugë tjetër veçse të adhurojë denigruesin e vet. Ndjenja të tilla si empatia nuk ekzistojnë për këta lloj të sëmurësh, sepse ata nuk vihen dot në lëkurën e tjetrit pasi mendojnë se janë superiorë ndaj tyre, se u lejohet gjithçka, se të tjerët ekzistojnë vetëm për të dashuruar dhe admiruar ata. Po për të njëjtat arsye, kur raportet e tyre afektive përfundojnë në mënyrë dramatike për partnerin, atyre u mungon edhe ndjenja e fajit.
Nuk kam ndërmend të hyj këtu në manifestimet e sindromës së manipulatorit pervers në jetën personale të Edi Ramës. Problemi është se narçizistët patologjikë si ai jetojnë dhe veprojnë në shoqëri, madje janë shumë aktivë edhe në politikë, dhe se manifestojnë të njëjtën mënyrë sjelljeje me të gjithë ata që kanë përreth, qofshin miq, kolegë vartës apo superiorë. Problemi është se sipas psikologëve tek kjo “mënyrë sjelljeje” mashtrimi, gënjeshtra, intriga janë stil jetese, buka e tyre e përditshme; se vetëdijshëm apo pavetëdijshëm, këta sillen si Doktor Jackly dhe Mister Hyde njëherësh – shfaqen të dashur dhe të respektueshëm ditën, kur i ke përballë, por natën, prapa shpine, të thurin intriga dhe hakmarrje gjithfarëshe. Problemi është se ideja e madhështisë e kombinuar me agresivitetin, omnipotencën dhe nevojën e sëmurë për të triumfuar mbi të tjerët i shtyn të ngrenë rrjete të rrezikshme manipulimi duke bërë që ta kthejnë manipulimin në një art. Dhe problemi i problemeve është se këtë “artist të manipulimit ne e kemi jo në një vend ku këto raporte perverse i ka vetëm me familjen, as vetëm me një grup të ngushtë miqsh e të afërmish, por me të gjithë shoqërinë. Kjo bën që viktima e dëmtuar dhe e rrezikuar prej tij të mos jetë më një person i vetëm, me të cilin ndan shtratin, as ndonjë grup miqsh e shokësh, me të cilët ndan tavolinën, por një shoqëri e tërë.
Narçizizmi si patologji e shoqërisë shqiptare
Shqiptarët që shfaqin simptoma të mosintegrimit të identitetit, të paaftësisë, pra, për të pranuar anët kontradiktore të vetes, – për të integruar edhe “hijen” e tyre në vetëdije, siç thotë Jungu – janë të shumtë. Janë të shumtë ata që shfaqin qartazi, nëpërmjet megalomanisë dhe mitomanisë, se kanë ndërtuar një Vete grandioze me të cilën mbrohen nga vetja e tyre e vërtetë; që të tjerët i shohin ose vetëm si miq ose vetëm si armiq; që e kanë të pamundur të shohin edhe nuancat e grisë përveç të bardhës e të zezës e të pranojnë kritikën, që mbajnë afër vetëm njerëzit që i admirojnë, apo që i kanë nën vete. Janë aq të shumtë saqë mund të thuash se shoqëria shqiptare duket e gjitha si një shoqëri narçizistësh patologjikë në një ndërveprim të vazhdueshëm. Sigurisht jo të gjithë e kanë në gradën që e ka Rama patologjinë, por, gjithsesi, gjykoj se dëmet që ka sjellë dhe rrezikon të sjellë Edi Rama me patologjinë e tij narçizistike, nuk mund të kuptohen pa pasur parasysh se dalja në krye të pushtetit e një narçizisti malinj vështirë se mund të ndodhte jashtë një terreni kulturor tejet të frytshëm për lulëzimin e narçizizmit patologjik. Duhet pasur po ashtu parasysh se këta të sëmurë, më anë tjetër, jo vetëm e pasqyrojnë, por njëherësh edhe e thadrojnë shoqërinë, sepse sjellja dhe ndërveprimi i tyre thadron modele komunikimi, mënyra qasjeje ndaj jetës, vlerave, pushtetit, dashurisë, miqësisë, pronës etj. duke bërë që problemi i tyre të mos jetë vetëm psikik, por dhe social, politik dhe kulturor.
Prandaj sëmundja dhe dëmet e Ramës duhen parë si një e keqe të cilës i duhen kërkuar rrënjët shoqërore për të kuptuar më mirë fenomenin ashtu sikurse edhe dëmet e tij.
Keqtrajtimi i fëmijëve
Në kërkim të rrënjëve psikologjike të kulturës narçizistike mendoj se duhet ndalur fort tek kultura e keqtrajtimit të fëmijëve. Ndër manifestimet më të rëndomta të këtij keqtrajtimi do të përmendja rritjen e tyre në shoqërinë tonë me një frymë që sintetizohet në shprehje të tilla si “më mirë mut se i vogël”, apo “druri ka dalë nga xheneti”; me qortime e kërcënime të vazhdueshme; apo vendosjen e tyre përballë modelesh referimi apo imitimi të paarritshme, që shoqërohen shpesh me përqeshje apo mëshirime tallëse, kur këta nuk arrihen. Ky keqtrajtim bëhet shkak i atyre traumatizimeve që çojnë në patologjitë borderline të zhvleftësimit të vetvetes apo të idealizimit narçizistik: te mitomania dhe megalomania, që janë në thelb sajim i historirave fantastike për të treguar se janë në lartësinë e pritshmërisë që kanë për ta prindërit apo ambienti ku rriten. Janë këta fëmijë që, kur bëhen vetë prindër, “hakmerren” ndaj të vegjëlve të tyre duke u sjellë në të njëjtën mënyrë e duke transmetuar këtë kulturë brez pas brezi. Në kontekstin e këtij keqtrajtimi duhet të analizojmë edhe ata “njerëz “të vegjël” që, në thelb, për t’u mbrojtur nga vetvetja e përjetuar si e dobët në traumat e fëmijërisë, adhurojnë në mënyrë syverbër ata që i konsiderojnë njerëz të mëdhenj, luftëtarë, artistë, shkrimtarë etj., dhe janë të gatshëm t’i nxjerrin sytë kujtdo që thotë një fjalë kundër tyre sepse këtë e përjetojnë si një sulm kundër vetes. Thellë thellë, duke u identifikuar me këta “të mëdhenj”, edhe këta i ikin vetes së tyre të vërtetë, që e kanë të fiksuar të vogël e të dobët nga traumat në fëmijëri e në vazhdim.
Janë këta fëmijë të rritur që manifestojnë atë kulturë dominante të shoqërisë shqiptare që në shkrime të tjera e kam quajtur “e manipulim simulimit” ku, në vend të kërkimit të së vërtetës, të njohjes së vetes dhe të të tjerëve me të mirat dhe të këqijat, dobësitë dhe forcën, frkërat dhe kurajon, rëndom i sheh – deri edhe figurat më të njohura të kombit, – të na shfaqen vazhdimisht me një maskë vetëmburrjeje të ushqyer me mitomani e megalomani, veçanërisht kur rrëfejnë jetën e tyre, të simulojnë heronjtë që nuk janë, të mos pranojnë asnjë kritikë, por t’i hidhen në fyt kujtdo që nuk u ushqen Veten grandioze – “veten fallco” siç e quajnë psikoanalistët.
Konsumizmi – shoqëria e spektaklit
Këtij faktori bazë të kulturës narçiziste të shoqërisë sonë do t’i shtoja edhe një faktor tjetër të pas komunizmit: kalimin e shoqërisë shqiptare, nga kolektivizimi i detyruar në një kapitalizëm të përqafuar pa asnjë frymë kritike, të kuptuar si individualizëm ekstrem, si sukses individual nëpërmjet konkurrencës, garës për pasuri, që ka zhvilluar në formën më groteske kulturën e konsumizmit, kulturën e reklamës dhe vetëreklamimit, të suksesit, të dukjes me çdo kusht e me çdo mjet, “shoqërinë e spektaklit” siç e quan Gui Debord, apo “kulturën narçizizte” – sipas studiuesit amerikan Christofer Lasch. Kjo kulturë, manifestohet veçanërisht me etjen e panginjëshme të shqiptarëve të sotëm për të demonstruar pasurinë, suksesin, bukurinë trupore, bërjen i famshëm nëpërmjet daljeve në televizion, nëpërmjet suksesit jashtë shtetit etj..
Edhe ky humus i ri kulturor i duhet shtuar terrenit të patologjisë narçizistike të fëmijëve të keqtrajtuar në shoqërisë sonë.
Arsimimi dhe edukimi i dobët
Një faktor i tretë i zhvillimit të narçizizmit deri në patologji është arsimimi dhe edukimi shumë i dobët. Sikurse e thashë, narçizizmi deri në një farë mase dhe deri në një farë stadi është normal dhe i shëndetshëm, pasi investimi i libidos tek vetvetja na shërben për tu rritur. Problemi është se këtë rritje duhet ta shoqërojë një arsimim dhe edukim i mirë si i prindërve, edhe i fëmijëve gjatë rritjes. E, në këtë drejtim, ne investojmë jo vetëm shumë pak, por edhe shumë keq.
Kur flas për arsimimin dhe edukimin si antidot ndaj kulturës narçizistike kam parasysh çfarë kam shkruar në artikullin “Kulti i dhunës, rilindësit dhe shteti”(Panorama, 9 mars 2016). Artikulli fillon me një citim të Pietro Nenit, i cili, kur e kanë pyetur se cili është gabimi më i madh që bëjnë të rinjtë është përgjigjur: “ai që kujtojnë se historia fillon me ta” – tipar ky par exellence i narçizit. Pyetja që kam ngritur është se si shpjegohet që tek ne, njerëz si Edi Rama e jo vetëm, sa më shumë rriten në moshën biologjike aq më shumë sillen jo vetëm sikur historia fillon me ta, por edhe sikur do të mbarojë me ta. Pa dyshim një nga përgjigjet është mungesa e aplikimit të tre këshillave që jep Pietro Neni për tu larguar nga ky gabim: “njohja e historisë”, “largimi nga kulti i dhunës” dhe “bërja e punëve bashkë me të tjerët”. Janë tre gjëra që lidhen ngushtësisht me arsimimin dhe edukimin. Sepse nëpërmjet arsimit dhe edukimit ndërtohet njeriu që sa më shumë di, aq më shumë kupton se nuk di sikurse thotë Sokrati; njeriu që i thotë vetes: “Po të mos dua veten si mund të dua të tjerët, por po sikur të dua vetëm veten pse të jem fare” siç thotë Ekleziasti; njeriun që, nëpërmjet dialogut me të tjerët zhvillon aftësinë kritike dhe vetëkritike dhe mëson se “Sapientis est mutare consiglium” (I mençur është ai që di të ndërrojë mendim) siç thonë latinët; njeriu që kupton se “dhuna shpesh është instrument kompensimi i atij që i mungon e vërteta dhe forca.” siç thotë Gëtja.
E pra, pa këta tre faktorë, që ushqejnë këtë terren kulturor, narçizistët malinjë si Edi Rama do ta kishin të vështirë të lulëzonin deri në atë pikë sa t’ia impononin patologjinë e tyre një shoqërie të tërë, sepse nuk do të na dukeshin normale dhe të pranueshme sjellje si ato të kryeministrit tonë.
Pasojat dhe rreziqet e manipulatorit pervers në pushtet
Vrasja e shpresës si degradim i marrëdhënieve njerëzore. Ashtu si ajo viktima individuale e manipulatorit pervers që ka rënë pre e tij duke humbur stimën për vetveten, duke menduar se nuk bën dot pa atë që e denigron e poshtëron përditë, edhe shoqëria shqiptare po bije poshtë e më poshtë, duke u bërë gjithnjë e më apatike e më e paaftë për të reaguar ndaj të keqes. Gjithnjë e më shpesh i dëgjon shqiptarë të përdorin shprehjen “Shqipëria nuk bëhet”. Ky dëshpërim është pasojë e faktit se pushteti – që sipas romakëve është shkalla më e lartë e shërbimit – nuk përdoret nga narçizisti malinj për tu shërbyer njerëzve, por për të ushqyer dashurinë e stërmadhe, të panginjëshme për vetveten. Kjo ka, si anë tjetër të medaljes, zero dashuri për të tjerët, kthimin e tyre në zero që shërbejnë vetëm për t’iu shtuar njëshit për t’i rritur atij vlerën. Po ashtu, rrënimin e shpresës duhet ta gjejmë edhe në faktin se njeriu në duart e manipulatorit pervers në pushtet përdoret si instrument kundër njeriut. Kjo e degradon besimin tek njeriu, dhe humbja e shpresës ndryshe s’është gjë tjetër veçse humbje e besimit të njeriut tek njeriu, çka është pervertimi më i rëndë i marrëdhënieve njerëzore. Kështu pra, duke u ndjerë të paaftë për të dalë nga kjo grackë mosbesimi dhe poshtërimi të vazhdueshëm, shqiptarët kanë zgjedhur ose braktisjen e vendit, dmth. të bashkëkombësve, ose nënshtrimin ndaj dhunës dhe denigrimit që bije mbi ta.
Përçarja e thellë shoqërore e politike është një tjetër dëm i madh i shkaktuar nga ndarja që i bën narçizisti malinj në pushtet shoqërisë. I shtyrë nga sëmundja e tij e projektimit të së keqes gjithmonë tek të tjerët ai e ndan shoqërinë midis vetes së idealizuar e atyre që e adhurojnë më një krah dhe atyre që i kthen në armiq të urryer, që duhen denigruar, poshtëruar, asgjësuar, më krahun tjetër. Kjo krijon një shoqëri manikeiste ku palët, sa kohë që ekzistojnë, identifikohen me të mirën që lufton të keqen, dhe hyjnë në konflikt pa asnjë reflektim për veten. E ushtruar në politikë, kjo psiko-patologji ka përhapur një kulturë të delegjitimimit, denigrimit dhe të poshtërimit të tjetrit, duke i fshirë thuajse krejt praktikat e respektimit dhe të dialogimit me kundërshtarin. Dëmet e saj janë të pallogritëshme. Përçarja e vendit me emocione të forta dashuri – urrejtje është thelluar me Ramën në pushtet dora dorës që po harrohet zhvillimi i mendimit kritik dhe dhe i politikave racionale e largpamëse.
Degradimi i moralit shoqëror e politik. Mjaft të kesh parasysh historinë e relacioneve shoqërore dhe politike të Ramës me Metën për të parë se çfarë ndodh me moralin politik e shoqëror të një shoqërie kur instrumentet kryesore të bërjes politikë janë ato të manipulatorit pervers: mashtrimi, intriga, pabesia, mungesa e çdo koherence dhe fjalëmbajtjeje. Të gjithë tregojnë sot se si ndërkohë që thurte me Metën plane për ta eliminuar Nanon (kur ky lançoi katarsisin) Rama, prapa shpinës, i çonte armikut të përbashkët lule në spital; se si pasi i kurdisi 21 janarin, që tronditi vendin me tragjedinë që shkaktoi, pas një viti i shkoi në Gjirin e Lalëzit dhe iu përgjërua të bashkohet me të, se si tani, që janë së bashku, ditën i sillet si Doktor Jackly, duke i shkuar në zyrë e kërkuar bashkëpunim dhe natën si Mister Hyde duke i thurur intriga me ambasadorë e me gazetarë për ta eliminuar. Këto lloj sjelljeje, ku Meta duhet parë jo si viktimë, por si pasqyrë e Ramës, kanë kontribuar në mënyrë dramatike për të ulur nivelin e moralit shoqëror e politik të shoqërisë sonë në shkallë të paimagjinueshme degradimi. Modeli i shqiptarit që në skenë shahet e bëhen copë, gjoja për principe, dhe në prapaskenë bëhet vëlla me të sharin për interesa meskine, që bën të kundërtën e asaj që ka premtuar, pa ndjerë pikën e turpit, që lufton për të fituar simpatinë e njerëzve me synim që të rrisë çmimin e bythës së tij që ta shesë pastaj sa më shtrenjtë, fatkeqësisht duket se është bërë modeli dominant i të rinjve të inspiruar nga maestrot si Rama.
Sjellja e krimit në pushtet. Përpara nevojave ulëritëse të patologjisë së tij, Rama ka kohë që nuk dëgjon më zërat që i thonë se krimineli në pushtet është një rrezik për shoqërinë. Nevoja e sëmurë për të mbajtur në këmbë veten gjithmonë të kërcënuar nga pasiguritë irracionale, që e bën ta përjetojë çdo kritik e kundërshtar si armik dhe dashakeq ndaj të cilit duhet triumfuar me çdo mjet; nevoja për ta shijuar këtë triumf nëpërmjet denigrimit dhe poshtërimit të tyre, e çon narçizistin malinj të kërkojë aleatë kudo. E çon veçanërisht tek të fortët e shoqërisë tonë, që janë kryesisht të pasurit dhe, kur s’mjaftojnë këta, edhe tek kriminelët. Mbushja e Parlamentit dhe e bashkive me kriminelë dhe bashkëpunimi me njerëzit më të zinj të kësaj shoqërie, këmbëngulja për t’i mbajtur ata pranë, edhe kundër ligjeve të miratuara, kanabizimi i gjithë Shqipërisë, nuk mund të shihet pa lidhje me këtë patologji.
Shkatërrimi i institucioneve. Ajo që i ndodh rëndom një institucioni që ka në krye një narçizist malinj është personalizimi i tij, shndrrimi i tij në një instrument të Vetes grandioze të shefit. Në rastin Rama kjo ka arritur kulmin pasi ai i ka dhënë edhe një pamje vizuale këtij fenomeni duke e kthyer edhe vetë godinën e Kryeminstrisë në një vend kulti të personalitetit të tij. Katin e parë të zyrave e shndërroi në galeri arti ku ekspozon veprave të miqve të tij që e mbështesin. Muret e sallës kryesore të pritjes i leu me ngjyrën e kuqe, që është shija e tij, duke transformuar edhe historicitetin e ndërtesës monument kulture. Katër muret e zyrës së vet i ka mbushur me veprat e tij. Kur dërgon urime nga institucioni dërgon objekte që përmbajnë veprat e tij artistike. Ka venë edhe një kosh basketbolli në një sallë të kryeministrisë që të ushtrohet. Janë gjëra të paimagjinueshme që kolegët ia pranojnë me një servilizëm të paimagjinueshëm. Por, përtej kësaj pamjeje vizuale, dëmi substancial është shumë i rëndë. Personalizimi i institucionit bën që nga një organ shumëqelizor që duhet të rigjenerohet vazhdimisht e të jetojnë pavarësisht nga drejtuesi i radhës, institucioni të shndërrohen në një zgjatim të narçizit i destinuar të vdesë sëbashku me të, pa ruajtur as përvojë dhe as memorie institucionale. Kështu ka ndodhur me Ministrinë e Kulturës ku nuk mbeti njeri pasi iku, kështu ka ndodhur me Bashkinë e Tiranës, kështu po ndodh me Partinë Socialiste, kështu do të ndodhë edhe me Kryeministrinë që drejton.
Por pasoja më e rëndë mbi institucionet shtetërore ka të bëjë me atë që, në një demokraci, duhet të ekzistojnë institucione kontrollues të njëri tjetrit. Paaftësia për të pranuar kritikën, ngase kjo e destablizon, e shtyn të manipulojë me ngulm për kapjen dhe eliminimin e këtij funksioni. E ndihmon në këtë aktivitet edhe omnipotenca që e shtyn të mendojë se është qenie speciale, superiore, se mund të bëjë ç’të dojë, sepse për të rregullat dhe ligjet nuk vlejnë ose se ligji është ai vetë. Sot i ka mbetur pa kapur Presidenti dhe drejtësia, për çka po punon, duke rrezikuar të na fusë në një situatë edhe më të rëndë, përsa i përket lirive dhe të drejtave themelore.
Kapja e medieve. Raporti i Ramës me mediet, është ndoshta më problematiku sepse ato janë instrumenti më i rëndësishëm i vlerësimit apo zhvlerësimit të Vetes së tij grandioze. Ato janë për të një person admirues apo zhvleftësues i shumëzuar me mijëra. Prandaj ato duhet të punojnë maksimalisht jo për të vërtetën me dritë hijet e saj, por në funksion të ngritjes sa më lart të murit të Vetes grandioze me të cilin mbulon dobësitë e vetes reale. Kësisoj, mediet e kapura prej tij na kanë ngritur një mur ku në njërën anë bien dritat e ekraneve që lartësojnë figurën e tij, kurse më anë tjetër bije hija mbi gjithë të vërtetat që, sipas narçizistit, kërkojnë të errësojnë madhështinë e tij, – nga smira e gazetarëve, nga padituria apo pse u shërbejnë armiqve të tij. Veçanërisht në shoqërinë tonë të spektaklit, ku imazhi është më i rëndësishëm sesa realiteti dhe ku mediet zotërohen nga pronarë të varur ekonomikisht nga pushteti, mediet janë bërë instrumenti kryesor i manipulatorit pervers. Në rrjetin e manipulimit, madje, ai nuk ka futur vetëm mediet kryesore të vendit, por punon ngulshëm edhe me mediet ndërkombëtar, deri duke venë në veprim edhe paratë e mafies për të promovuar jashtë shtetit imazhet e gatuara në studiot e tij e për t’ua rikthyer pastaj shqiptarëve prej andej, më të lartësuara, lustruara e legjitimuara. Ndërkaq, siç merret me mend, “të tjerët”, ata që e kritikojnë, i hedh menjëherë matanë murit. Mesazhet që u dërgon edhe personalisht gazetarëve kritikë (ku bëj pjesë edhe unë) janë të tipit: “ka vite që nuk i lexoj shkrimet e tua”, ose: “I kam dhënë urdhër shoferit që gazetën ku boton ti ta hedhë në Lanë përpara se të më sjellë shtypin.”
Nuk mjafton kjo, por, duke qenë se etja për admirim e manipulim veçse i rritet, së fundi ka krijuar edhe televizionin e vet në internet, E(di)R(ama)TV, për të cilin i shkruan një komentuesi: “Ky është televizion […] për këdo që do të shikojë e të dëgjoje mbi reformat, punët dhe sfidat e qeverisjes!” Siç pritet nga patologjia, për “të tjerët” i thotë se “nëpër studiot e debateve e nga banakët e analizave televizive” nga “profesionistët e llafpërhapjes”, “vetëm për problemet e njerëzve nuk flitet.” Nuk është larg Musolinit që thoshte se në Itali shtypi ishte më i lirë dhe më i vërtetë se në çdo vend tjetër sepse atje mbështeste regjimin.
Dy janë dëmet më të mëdha që ka sjellë ky qëndrim ndaj medieve: zhvleftësimi i rolit të tyre informues, investigues e korrigjues dhe kthimi i shumë njerëzve të penës në “laro të penës”, siç do t’i quante Konica, duke varfëruar kësisoj në kulm kontributin intelektual kritik në shoqërinë shqiptare.
Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore. Aktet që i përmbledhin në mënyrën më gjithëpërfshirëse të tëra simptomat e narçizizmit malinj të Ramës janë sjelljet e tij me monumentet e trashëgimisë kulturore. Kjo edhe pse tek monumentet projektohet, ndoshta në mënyrën më të spikatur, ideja e madhështisë. Patologjia e tij u manifestua ndaj tyre sapo vuri këmbën në Bashki kur e ktheu qendrën e Tiranës nga zonë monument kulture në sheshin më të madh të ndërtimit të qytetit me synimin, siç i thoshte para shumë vjetësh gazetares amerikanë Jane Kramer, që të ngritje atje kullat që ia krahasonte me “obeliskët që kanë ngritur papët”. Ky delir, i kombinuar në mënyrë të pandashme me manipulimin dhe bashkëpunimin korruptiv me ndërtuesit, filloi të materializohet me shkatërrimin e lulishtes prapa Skënderbeut për ta zëvendësuar me një lulishte që do të kishte vulën e tij. Ka vazhduar pastaj me shkatërrime të shumëçkaje nga qendra historike e Tiranës, për t’i zëvendësuar me ndërtime gjigante krejt pa lidhje me qytetin, dhe po vazhdon me projektet e të ashtuquajturës “rilindje urbane” nëpër qendrat e qyteteve kryesore të Shqipërisë duke arritur kulme si shkatërrimi i Stadiumit Qemal Stafa, apo ndërtimi i Velierës në Durrës. Tek shkatërrimi deri fizik i monumenteve për t’i zëvendësuar me veprat e tij (si tek Stadiumi) apo tek varrosja e tyre duke u vënë pranë vepra gjigante si kullat apo Veliera i gjen pra të gjitha simptomat e sëmundjes. Gjen idenë e madhështisë (sepse kërkon të indetifikohet me to). Gjen omnipotencën (sepse shumicën e këtyre akteve i ka bërë pa përfillur ligjet e mbrojtjes së monumenteve të kulturës, të urbanistikës etj.). Gjen nevojën e triumfin ndaj të tjerëve deri në pikën e triumfit edhe mbi ata që kanë bërë historinë, çka e shprehu në mënyrën më groteske Kryetari i Bashkisë së Durrësit, kur tha, duke folur për Velierën, – me të cilën varros një zonë arkeologjike dhe mbulon Kullën veneciane që është simboli i qytetit, – se po punojnë për turizmin që do bëjnë brezat që do të vijnë pas treqind vjetësh. Gjen edhe shijimin e shkaktimit dhembje tek shumë njerëz që i janë kundërvënë këtyre projekteve sepse këto objekte i kanë të shtrenjta.
Si rezultat, Shqipëria po humbet dita ditës copa të rëndësishme nga trashëgimia e vet kulturore, kujtesa e vet materiale, identiteti i vet.
Pervertimi i artit . Të përkufizosh artin është e vështirë, por zor të mos pajtohesh me dy ide: Së pari, se arti është komunikim, që prek pjesët më të thella të shpirtit e të mendjes së njeriut e se, me këtë aspekt, ai është edukues i empatisë, i aftësisë së njeriut për të hyrë në lëkurën e tjetrit. Së dyti, duke pasur parasysh raportin e artit me pushtetin, veçanërisht pas përvojave totalitare të shekullit XX, vështirë se sot mund ta shohim me simpati një art dhe një artist aleat të pushtetit, përkundrazi.
E pra, gjëja më e rrezikshme që mund t’i ndodhë artit në të dy këta aspekte është një artist narçizist patologjik, që kap edhe pushtetin politik. Duke qenë se shtysat më të thella që e çojnë këtë tek arti janë përdorimi i tij për të ushqyer Veten grandioze, pasi artistët apo shkrimtarët i sheh si njerëz të cilëve u ngrihen monumente, për një artist të tillë nuk ka rëndësi komunikimi, përcjellja e emocioneve të veta, por ekspozimi, nuk ka rëndësi vepra, as procesi krijues që çon tek ajo, por suksesi, fama, lavdia që i jep ajo, si nevojë konfirmimi. Po të vesh re aktivitetin e Ramës piktor, e vetmja gjë që i ka interesuar dhe intereson është ekspozimi jashtë shteti jo publiku i tij shqiptar për të cilin s’mbahet mend se qysh kur nuk ka hapur një ekspozitë. Kjo i bën veprat t’u mungojë komunikimi me shqiptarët, tu mungojë empatia, të jenë manipulative të ftohta, pa një filozofi jete; në thelb prostituim me njeriun dhe artin dhe jo vepra që burojnë nga një dashuri e vërtetë për njeriun dhe artin. Duke i shtuar këtij aspekti edhe manipulatorin pervers që tenton dhe kap pushtetin, arrijmë tek artisti që për të arritur famën, suksesin, nuk ndalet përpara asnjë rregulli moral, i gatshëm të rrëmbejë edhe autorësinë e një vepre që s’është e tija siç ka bërë shpesh Rama, apo të përdorë pushtetin për të ekspozuar veprat e tij jashtë shtetit siç po bën kohët e fundit.
Le ta ilustroj këtë me veprën më të reklamuar: lyerjen e fasadave të pallateve të Tiranës, e kurorëzuar me një video të Anri Salës që shëtit nëpër botë me mesazhin se vepra u bë për tu ngjallur shpresën qytetarëve të Tiranës. Në fakt vepra reklamon një të vërtetë fallco dhe është në thelb e ngjashme me veprat e artit propagandë të kohës së komunizmit. Ashtu si ato, ajo fsheh realitetin që duhet të shohin e kërkojnë artistët e vërtetë prapa atyre fasadave: faktin që, nën drejtimin e Edi Ramës, Tirana pësoi shkatërrimin më të madh të trashëgimisë kulturore, shkatërrimin më të madh të hapësirave publike, të parqeve dhe fushave të sportit, ndotjen më të madhe të ajrit – çka ka ndikuar shumë edhe në humbjen e shpresë dhe braktisjen e vendit nga tiranasit. Së dyti ajo punon për kultin e personalitetit të pushtetarit e tij jashtë shtetit. Lyerja filloi jo rastësisht në rrugën e Durrësit që është ajo nga vijnë të huajt nga aeroporti. Vetë videoja e Salën nuk është shfaqur asnjëherë në Tiranë të bëhet objekt diskutimi i artistëve dhe intelektualëve shqiptarë për vërtetësinë e vlerat e saj. Së treti është dëshmi e korruptimit të artistëve me në krye Anri Salën, që u ftuan të marrin pjesë në këtë projekt, e që kësisoj, në vend se të punojnë për të vërtetën, për të cilën kishin e kanë aq nevojë shqiptarët, punuan e vazhdojnë të punojnë për pushtetin e korruptuar. Aq i rëndë është ky bashkëpunim pervers saqë edhe zyrën e Ramës, që, me të katër muret të mbushur vetëm me veprat e tij, është shprehja më evidente e një politikani autoreferencial, personalizues të institucionit, që punon natë e ditë vetëm për idenë e tij të madhështisë, në thelb i izoluar nga të tjerët dhe me rezultate pune kundër të tjerëve, e shesin jashtë si vepër e një politikani artist që bashkëbisedon me popullin e tij dhe që e emancipon përditë e më shumë këtë popull nëpërmjet punës dhe artit të tij.
Rama e ka çuar në ekstrem modelin e artistëve dhe shkrimtarëve që bashkëpunuan me regjimin e djeshëm. Për të arritur suksesin, ai nuk është mjaftuar me një anëtarësim në parti apo deputetllëk, por ka kapur edhe majën e politikës dhe, në rreth vicioz, dikton që andej jetën artistike në vend, në funksion të pushteti të tij. Ky pervertim i politikës dhe artit po i sjell dëme të mëdha, të pallogaritshme zhvillimit të artit dhe artistëve të vërtetë në Shqipëri. “Regjimi i dytë” i Ramës & Co një pjesë të mirë artistësh i komprometon, kurse ata që mbeten ose i injoron ose i largon jashtë shtetit ose i zhyt në varfëri e depresion.
Si përfundim
Tu japësh pushtet njerëzve me patologjinë e narçizizmit malinj është një punë e rrezikshme për të gjithë shoqërinë. Këtyre njerëzve, siç e kam shkruar edhe herë tjetër duke cituar Elias Cannetin, u duhet ndejtur gati për t’ua hequr spinën e pushtetit menjëherë, dhe jo t’u japësh në dorë butonat e pushtetit. Por, fatkeqësisht, edhe kur ua heqim spinën disave, shohim se vendin e tyre e zënë sivëllezër të tyret, nganjëherë edhe më të këqij. Kjo ka bërë që gjatë këtyre 25 vjetëve të dëgjojmë gjithnjë e më shumë shqiptarë të dëshpëruar që thonë se ne s’bëjmë dot shtet sepse na dalin në krye gjithmonë njerëz që sakrifikojnë krejt shoqërinë për egon e tyre, se zhytemi në një konfliktualitet shkatërrues midis këtyre njerëzve dhe taborreve të mjeranëve që i ndjekin ata, në një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve. Madje një pjesë e paraqitin këtë si një mallkim të racës sonë. Në fakt, nuk kemi të bëjmë me ndonjë mallkim të skalitur në ADN-në tonë biologjike, por me një “mallkim” të skalitur në AND-në tonë kulturore. Është lloji i energjisë kulturore që prodhojmë, për shkak të patologjive narçiziste që përshkrova, ai që derdhet në prizën ku futet spina që e ripërsërit fenomenin e njeriut për të cilin nuk ekzistojnë të tjerët. Prandaj ngulmoj edhe një herë se problemi i problemeve nuk është heqja e spinës, siç mendoj se duhet të veprohet me Edi Ramën sa më parë, por mbi të gjitha ndryshimi i llojit të energjisë kulturore që derdhet në prizën ku futet ajo spinë. Përndryshe do të jemi gjithmonë të predispozuar për të na dalë në krye një variant i kësaj patologjie shkatërrimtare në formën e një dhunuesi të lirisë, dinjitetit e mendimit tonë, apo në formën e konfliktualitetit shkatërrues midis dhunuesve. (Panorama, 3-4 prill 2017)