Efekti hashash?! Zhvlerësimi i frikshëm i euros, zbret në 135 lekë, niveli më i ulët në 7 vjet

Monedha e përbashkët ka shënuar një tjetër rënie të fortë gjatë ditës së sotme, duke zbritur në 135.07 lekë, 0.42 lekë më pak se një ditë më parë.
Ndonëse në bursat ndërkombëtare, euro e ka marrë veten sot, pasi dje arriti në nivelin më të ulët të 13 viteve, në tregun e brendshëm ajo ka vijuar me nënçmimin e thellë, duke arritur në nivelin më të ulët që nga tetori i vitit 2009. Aktorët e tregut pohojnë se rënia e euros gjatë ditës së sotme ka qenë më shumë reflektim i efekteve sezonale të brendshme, si kërkesa e lartë për valutë nga bizneset, që këmbejnë euro për të paguar taksat.

Në fundjavë, thonë ata, ka përgjithësisht një kërkesë më të lartë për të blerë lekë, meqë janë përpara dy ditë pushimi. Euro pritet të jetë e dobët dhe gjatë javës së ardhshme, si rrjedhojë e afrimit të datës 20, kur paguhen sigurimet, por edhe prurjeve sezonale nga emigrantët që pritet të vijnë për festa. Përgjithësisht, thonë aktorët e tregut, rënia e euros vijon deri nga datat 25-26 dhjetor.

Më pas, janari tradicionalisht shënon forcim të euros. Ndonëse këta janë faktorë që ndikojnë gjithmonë, sjellja e euros këtë vit është jashtë normalitetit të viteve të fundit, ku ndonëse dollari forcohej në bursat ndërkombëtare, euro mbetej e fortë tek ne dhe ndryshimi i kursit reflektohej përmes mbiçmimit të monedhës së gjelbër (vitin e kaluar p.sh., euro mbeti në nivelet e 140 lekëve, ndërsa dollari u ngjit mbi 130 lekë). Mbetet e pamatshme se sa po ndikon euro që po hyn si rrjedhojë e shitjes së kanabisit në forcimin e pazakontë të lekut. Ndonëse sasia më e madhe e kësaj paraje vlerësohet të shkojë në ndërtim, sërish, një pjesë e saj kanalizohet në konsumin e përditshëm.

Hyrja e kësaj valute konsiderohet nga disa ekspertë si arsyeja kryesore që po e zbret euron në nivelin më të ulët të 7 viteve. Forcimi i monedhës së përbashkët është pozitiv për të gjithë kredimarrësit në euro, që kanë të ardhurat në lekë, por po rezulton tepër dëmtues për eksportuesit, që po arkëtojnë më pak para, për të njëjtën sasi të shitur.

Euro forcohet në bursa

Në tregjet ndërkombëtare, Euro, Jeni dhe Paundi u forcuan përkundrejt dollarit pas rënies me 3 pikë përqindje si reagim ndaj vendimit të Rezervës Federale, Bankës Qendrore të Shteteve të Bashkuar për të rritur normat e interesit në vitin e ardhshëm. Në mëngjes, në Londër, euroja po këmbehej me 0.3 pikë përqindje më lart 1 Eur = 1.0442 $. Tregjet financiare globale kanë qenë të lëkundur që kur Rezerva Federale prezantoi normat më të larta të interesit. Kjo solli dhe forcimin e dollarit, i cili thuajse e barazoi euron. /Monitor/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne