Ditën e sotme Tatimet i janë vërsulur televisionit opozitar Syri TV. Pretendohet se po kryente evazion fiskal, dhe për pasojë i kanë bllokuar llogaritë bankare. Kjo masë ndaj televizionit Syri Tv vjen si pasojë e intervistës së Arben Ahmetajt pak ditë me parë.
Televizioni i familjes së Berishës, që çdo ditë pretendon t’u japë leksione ligjshmërie dhe ndershmërie kundërshtarëve politikë, është kapur nga Tatimet duke pastruar parà cash, duke mos paguar sigurimet shoqërore për gazetarët, duke shmangur tatimet mbi të ardhurat dhe duke mos pagurar TVSH-në. Pasi Tatimet kanë bërë kallzim në prokurorinë e Tiranës dhe i kanë vendosur një gjobë, Syri Tv, me një veprim tipik ‘alla Berishë” nuk e ka pranuar masën administrative dhe si efekt të mospagimit të gjobës, Tatimet i kanë bllokuar llogaritë bankare. Një aksion i parashikuar nga ligji në rast të tillë dhe që zbatohet si detyrim ndaj çdo biznesi që nuk respekton ligjet dhe rregullat tatimore. Mbetet deri tani e paqartë çfarë po bën prokuroria e Tiranës lidhur me kallzimin për pastrim parash.
Në fund të kontrolleve Tatimet kanë dorezuar një Njoftim vleresimi për detyrimet me një gjobë totale prej 24 milionë lekë të reja ndaj shoqërisë pronare të televizionit dhe pak më shumë se 1 milionë ndaj OJF-së. Skandali brenda skandalit qëndron në faktin se televizioni ka si administrator Gazmir Spahinë, ish-drejtor i Tatimeve në kohën e Berishës (i sapoemëruar si drejtues edhe nga Rithemelimi) dhe përdor si konsulente Brisejda Shehajn (duke e paguar në të zezë), ish-drejtoreshë e Tatimeve në kohët e para të qeverisë Rama. Pra dy superekspertë të tatimeve që sot kapen duke drejtuar një shoqëri që akuzohet se bën pastrim parash dhe evazion fiskal, e financuar dhe e kontrolluar nga familja Berisha e që çdo ditë akuzon gjysëm e Shqipërisë për abuzime dhe paligjshmëri. Pas hetimeve nga Spak për privatizimin e Klubit Partizani, për 21 janarin dhe masakrën e Gërdecit, edhe gjendja e Syrit shfaqet si një skandal i ri tepër i rëndë mbi shpatullat e familjes Berisha. Tamam siç Spak ka dokumentuar gjatë hetimeve të ish klubit Partizani (dhe siç është verifikuar nga një investigim i Shqiptarja.com mbi aferat miliardere të studios ligjore të Argita Berishës) edhe te Syri qarkullon një lumë parash cash. Nga e kanë origjinën dhe ku përfundojnë?
Pasi ka marrë një gjobë totale prej 24 + 1 milionë lekësh (të reja), duket se Gazmir Spahija është konsultuar me Shkëlzenin dhe me Cim Pekën dhe të tre kanë vendosur të veprojnë siç bën përherë Sali Berisha, pra të injorojnë ligjin, të sfidojnë institucionet dhe të mos paguajnë gjobat. “Askush nuk guxon të prekë mediat e opozitës”, kjo është formula që kanë zgjedhur. “Po guxuan do të themi se jemi viktima të një hakmarrje politike”. Ndërkohë një gjobë që nuk paguhet (edhe nëse bëhet një apelim në gjykatë) vazhdon të prodhojë kamatvonesa dhe sot vlera e dy gjobave ka arritur shumën 53 milionë lekë të reja, mbi gjysëm milionë euro. Kështu Tatimet vendosën të bllokojnë llogaritë bankare të shoqërisë dhe të Ojf-së që administrojnë Syrin.
Televizioni dhe portali i Cim Pekës tani kanë të drejtë aktualisht të paguajnë vetëm rrogat dhe sigurimet shoqërore të vartësve (pasi e parashikon ligji edhe kur llogaritë bankare janë të bllokuara), natyrisht vetëm pjesën e deklaruar në bankë. Dyshimi, mbi të cilin janë në proces verifikimet nga Tatimet, është se te Syri të gjithë punonjësit (përfshi edhe vetë drejtorin-inkuizitor Cim Peka) marrin në bankë vetëm një pjesë të vogël të rrogës reale (mbi të cilën shoqëria llogarit sigurimet shoqërore), ndërsa pjesën tjetër e marrin në cash të shpërndarë me zarfa të bardhë, mbi të cilin shënohet emri i punonjësit që thirret dhe i jepet zarfi nga kryefinancieri E.S. vetëm në kohën kur ka disponibilitet të parave cash. Një shkelje që përbën jo vetëm evazion fiskal, por edhe një provë tjetër të pastrimit të parave. Në muajt e fundit Syri po vonon dhënien e rrogave dhe kur iu bllokuan llogaritë bankare, filluan të vonojnë edhe pagesat me zarfe duke shkaktuar protestën e punonjësve, shumë prej të cilëve janë të gatshëm ta denoncojnë publikisht këtë skandal.
Syri TV paguan në cash jo vetëm stafin e vet, por edhe analistët e programeve televizive (shumë prej të cilëve emra të njohur të gazetarisë, disa, moralistë pa moral, që çdo ditë pretendojnë se denoncojnë shkelje të ligjit nga të tjerët, por që pranojnë të bëhen bashkëpunëtorë në këto operacione evazioni dhe pastrimi parash duke marrë edhe ata zarfin që i jepet nga prezantuesi përkatës i emisionit) por edhe çdo shpenzim tjetër operativ dhe një pjesë të borxhit ndaj furnitoreve. Bëhet fjalë sigurisht për borxhe që kanë lidhje me blerje të faturuara, pasi në të vërtetë pjesa më e madhe e investimeve të bëra nga Syri që në themelimin e tij nuk janë bërë me faturë (pra janë paguar në cash) dhe për këtë arsye nuk janë të shënuara në bilanc.
Nga vijnë paratë cash që qarkullojnë te Syri dhe që përdoren për të mbuluar rrogat në të zezë dhe të gjithë shpenzimet e tjera? Shqiptarja.com po shqyrton me detajime pikërisht se në cilat dokumenta bazohet dyshimi i pastrimit të parave i denoncuar nga Tatimet dhe mbi të gjitha, në ç’pikë ka arritur hetimi i prokurorisë për këtë krim që, në të vërtetë, është kompetencë e Spak./shqiptarja