Ekskluzive për Ora News, Anne Singelton: Muxhahedinët po rekrutojnë të rinjtë shqiptarë

Anne Singelton, e prezantuar si aktiviste për të drejtat e njeriut, e cila është shkëputur nga grupi i muxhahedinëve, në një intervistë për Ora News tha se ky grupim të cilin e quajti terrorist, është tejet i rrezikshëm për Shqipërinë. Singleton tha se muxhahedinët po rekrutojnë të rinj shqiptarë për t’i përdorur për qëllimet e tyre. Nga ana tjetër grupimi muxhahedin në Shqipëri e quan Anne Singelton si një agjente të inteligjencës iraniane e cila përhap propagandë kundër opozitës demokratike të Iranit.

Në maj të vitit 2013, grupi i parë opozitar i pushtetit në Iran, të ashtuquajturit muxhahedinë, mbërritën në Shqipëri. Sot, në Shqipëri strehohen më shumë se 3000 muxhahedinë.

Ardhja e tyre në Shqipëri u shoqërua me debate të mëdha për shkak të njohurisë së pakët mbi aktivitetin e tyre pas akuzave për grupim terrorist, por me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, Shqipëria pranoi marrëveshjen për t’i strehuar.

Anne Singelton, britanike e prezantuar si aktiviste dhe konsulente për të drejtat e njeriut, mbërriti në Shqipëri për të ngritur shqetësimin për këtë grup. Anne pretendon se ka qenë pjesë e këtij grupi dhe është shkëputur pasi ka kuptuar se qëllimi i tyre ishte të përmbyste me dhunë regjimin iranian.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e muxhahedinëve në Shqipëri, e cilësojnë atë si një agjente iraniane e cila po përpiqet të demonizojë opozitën demokratike të regjimit iranian

Sipas muxhahedinëve në Shqipëri, Anne Singelton, bashkëshortja e Masoud Khondabandeh janë dy agjentë të Ministrisë së Inteligjencës të Iranit (MOIS), të cilët janë të vendosur në Londër.

Sipas muxhahedinëve, për ta është shprehur edhe Pentagoni i cili i ka quajtur si agjentë të shërbimeve të inteligjecës iraniane të rekrutuar nga grupi i muxhahedinëve të cilët përdoreshin si aktive kundër opozitës.

Cili është qëllimi i vizitës suaj në Shqipëri?

Kam ardhur në Shqipëri për shkak të skandalit nëse do ta quajmë kështu të prezencës së muxhahedinëve në Shqipëri. Po përpiqem të kuptoj se çfarë po ndodh dhe po përpiqem të ndihmoj anëtarët që duan të largohen nga kjo organizatë, për ta bërë në mënyrë të sigurtë.

Çfarë është kjo organizatë për ju?

Unë kam qenë anëtare e kësaj organizate për 20 vjet. U rekrutova si studente. Bëhet fjalë për një grup terrorist i cili beson në përmbysjen e dhunshme të qeverisë iraniane dhe për 40 vjet ka një histori dhune. Për 15 vitet e fundit jam munduar të ekspozoj natyrën e vërtetë të këtij grupi dhe të ndihmoj anëtarët që duan të largohen.

Përse kanë ardhur ata në Shqipëri sipas jush?

Muxhahedinët kanë ardhur në Shqipëri sepse janë përjashtuar nga Iraku. Pas vitit 2003 ata e humbën mbrojtjen e Sadam Hyseinit dhe prandaj u desh të largoheshin. Qeveria e Irakut mendoi se ata duheshin përjashtuar, sidoqoftë amerikanët menduan se muxhahedinët ishin në favor të axhendës së tyre anti-iran dhe me sa duket gjetën një vend të tretë, që ishte Shqipëria.

Pse Shqipëria?

Sepse asnjë nuk i pranonte ata. Qeveria juaj ka marrë para nga amerikanët për të strehuar një ish grup terrorist në kryeqytetin tuaj.

Ne nuk dimë shumë për marrëveshjen që Shqipëria ka bërë me Shtetet e Bashkuara. Përse janë ata kaq misteriozë? Pse nuk dimë shumë për ta?

Gjëja e parë që më kalon nëpër mendje është të them se çfarëdolloj gjëje që bëjnë është e paligjshme. Fillimisht u sollën nga Iraku në Shqipëri me një marrëveshje sekrete mes qeverisë amerikane, shqiptare dhe muxhahedinëve. Askush nuk e di se çfarë është kjo marrëveshje apo nëse ekziston. Ajo për të cilën jemi të shqetësuar është se muxhahedinët kanë ardhur përmes kësaj marrëveshje si grup, që do të thotë se nuk kanë status individual dhe në fakt ata nuk kanë asnjë status në Shqipëri. U është dhënë një copë letër ku thuhet se janë sjellë në zonë humanitare por kjo nuk do të thotë asgjë. Me të nuk mund të punosh, nuk mund të kesh akses askund, nuk mund të kesh pasaportë me të. Nëse ndjek këtë logjikë, ata u sollën në këtë vend ilegalisht sikur të ishin trafikuar. U trafikuan si grup pa asnjë status përmes kësaj marrëveshje për të cilën asnjë nuk di asgjë. Dhe muxhahedinët në vetvete janë një organizatë sekrete për shkak të natyrës okulte të grupit që në shqip e quajnë sekt.

Atëherë përse jetojnë në kushte të këqija? A janë të financuar dhe nga kush?

Muxhahedinët nuk kanë qenë kurrë një grup i pavarur. Ata financoheshin nga Sadam Huseini. Ai i paguante, i siguronte armët, ishin nën patronazhin e Sadam Hyseinit por përveç kësaj princat saudit e kanë financuar gjithmonë grupin. Ka patu fonde nga elementë që janë anti-iran, nga Amerika, Izraeli, janë të mbështetur nga ky front anti-iran por mund t’ju siguroj se këto para nuk shkojnë kurrë tek anëtarët. Ata nuk paguhen, janë në një farë mënyre, skllevër modernë, gladiatorë.

Cili është rreziku që po merr Shqipëria duke i strehuar ata?

Rreziku që po ndërmerr Shqipëria është më i madh nga sa e kuptoni, apo edhe nga sa e kupton qeveria juaj. Në nivele sipërfaqësore, muxhahedinët e paraqesin veten si demokratë, si mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe duan ta prezantojnë veten si një alternativë të regjimit iranian për të cilin thonë shumë gënjeshtra se sa shumë represiv është etj. Nuk po them se regjimi iranian nuk përdor metoda represive por jo në masën që muxhahedinët thonë. Realiteti është shumë i ndryshëm. Muxhahedinët asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga besimi i tyre, dhe është një besim i verbër i gjithë organizatës për ndryshimin e dhunshëm të regjimit. Si mund të thuash që janë demokratikë nëse besojnë në ndryshimin e regjimit me dhunë? Brenda organizatës, struktura e tyre është hierarkike. Ata kanë liderin i cili është i përjetshëm. Kjo është një organizatë që vepron jashtë ligjit. Ekspertiza e tyre, përveç terrorizmit, vrasjeve, sepse janë përfshirë në vrasjet e shkencëtarëve nuklearë në Iran, historia e vrasjeve të amerikanëve përpara revolucionit, kjo ekspertizë është përdorur nga ISIS, nga AL Qaeda, dhe lehtëson terrorizmin, edhe pse tani nuk mund të jenë në pozitën të ndërmarrin akte terroriste në Shqipëri, ata janë shumë ekspertë në trafikun njerëzor, pastrimin e parave. Ata kanë ekspertizën për të mësuar organizatat se si të manipulojnë anëtarët e tyre, të përdorin kamikazët, për të cilët ishin të parët që e shpikën. Përveç kësaj, si pasojë e natyrës okulte, ky grup përbën një rrezik për shoqërinë dhe pyesni si? Përse? I shohim në rrugë dhe nuk i bëjnë gjë ndokujt… Ata po rekrutojnë të rinjtë tuaj, të rinjtë shqiptarë t’i bashkohen kësaj organizate, siç bëra unë vite më parë, dhe të punojnë për ta për asgjë në këmbim.

Çfarë sugjeroni ju? T’i dëbojmë?

Lidershipi muxhahedin është shumë i lidhur me amerikanët, dhe amerikanët janë shumë të lidhur me qeverinë tuaj, pra… Bashkimi Europian është shumë i shqetësuar për muxhahedinët në Shqipëri për dy arsye, njëra sepse Shqipëria ka aplikuar për t’u bashkuar me BE, që nuk do të ndodhë për sa kohë ky grup gjendet në Shqipëri por përveç kësaj ata i njohin muxhahedinët mirë. Ata e dinë se ky grup është i rrezikshëm, e dinë se përfaqëson një kërcënim për demokracinë parlamentare dhe për shoqërinë dhe për këtë duan ta shohin të çmontuar, ose jo në Shqipëri.

/Oranews.tv/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne