Ekspertët e psikiatrisë: Donald Tramp ka “sëmundje të rrezikshme mendore”

Donald Tramp ka një “sëmundje të rrezikshme mendore” dhe nuk është i përshtatshëm për të udhëhequr SHBA-në, ka paralajmëruar një grup psikiatrësh gjatë një konference në Universitetin Yale.

Ekspertët e shëndetit mendor pohuan se Presidenti ishte “paranojak dhe deluzionist”, dhe thanë se ishte përgjegjësia e tyre etike për të paralajmëruar publikun amerikan për “rreziqet” që gjendja psikologjike e z. Tramp paraqet për vendin.

Duke folur në një konferencë në Universitetin e Mjekësisë së Yales të enjten, një nga profesionistët e shëndetit mendor, Dr. John Gartner, një psikoterapeut praktikant i cili këshillon pacientët psikiatrikë në Shkollën e Mjekësisë Johns Hopkins, tha: “Ne kemi një përgjegjësi etike për të paralajmëruar publikun rreth sëmundjes së rrezikshme mendore të Donald Trampit.”

Dr. Gartner, i cili është gjithashtu një anëtar themelues i Detyrës për Paralajmërim, një organizatë e disa dhjetëra profesionistëve të shëndetit mendor që mendojnë se Trampi është mendërisht i papërshtatshëm për të qenë president, tha se deklarata e Presidentit se ai kishte pasur turmën më të madhe në një përurim ishte vetëm një nga shumë arsyet që shërbeu si paralajmërim për një problem më të madh.

“Më keq sesa thjesht të qënit një gënjeshtar apo një narcisist, përveç kësaj ai është paranojak, mashtrues dhe delirant, dhe ai e ka dëshmuar këtë që në ditën e parë që u bë President. Nëse Donald Trampi me të vërtetë beson se ai ka turmën më të madhe në histori, kjo është e çuditshme,” shtoi ai.

Kryetarja e këtij eventi, Dr. Bandy Lee, profesoreshë klinike në Departamentin e Psikiatrisë në Yale, tha: “Siç kanë shënuar disa psikiatër të shquar, [shëndeti mendor i Trampit] është elefanti në dhomë. Unë mendoj se publiku është duke filluar të flasë gjerësisht për këtë tani.”

James Gilligan, një psikiatër dhe profesor në Universitetin e Nju Jorkut, tha në konferencë se kishte punuar me disa nga “njerëzit më të rrezikshëm në shoqëri”, përfshirë vrasësit dhe përdhunuesit – por se ai ishte i bindur nga “rrezikshmëria” e z. Tramp.

“Unë kam punuar me disa nga njerëzit më të rrezikshëm që prodhon shoqëria jonë, duke drejtuar programet e shëndetit mendor në burgje”, tha ai.

“Unë kam punuar me vrasësit dhe dhunuesit. Unë mund të njoh rrezikshmërinë nga një milje larg. Nuk duhet të jesh një ekspert për rrezikshmërinë apo të kalosh pesëdhjetë vjet duke studiuar atë si unë, në mënyrë që të dish se sa i rrezikshëm është ky njeri”.

Dr. Gartner filloi një peticion online më herët këtë vit duke bërë thirrje që z. Tramp të largohet nga detyra, për të cilin pretendon se është “psikologjikisht i paaftë për të kryer me kompetencë detyrat e Presidentit”. Peticioni deri më tani ka mbledhur më shumë se 41,000 nënshkrime.

Ai deklaron: “Ne, profesionistët e shëndetit mendor (ju lutemi shënoni shkallën tuaj), besojmë në gjykimin tonë profesional se Donald Trampi shfaq një sëmundje të rëndë mendore që e bën atë psikologjikisht të paaftë për të kryer me kompetencë detyrat e Presidentit të Shteteve të Bashkuara.

“Dhe me respekt kërkojmë që ai të largohet nga detyra, sipas nenit 4 të amendamentit të 25-të të Kushtetutës, i cili thotë se presidenti do të zëvendësohet nëse ai është ‘i paaftë për të kryer kompetencat dhe detyrat e zyrës së tij’.”

Pretendimet e bëra në konferencë kanë tërhequr kritika nga disa persona në institucionin psikiatrik, të cilët thonë se akzuesit po shkelin “rregullin e Goldwater” të Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë, ku thuhet se psikiatrit nuk duhet të japin mendime profesionale për njerëzit që nuk i kanë shqyrtuar personalisht.

Ata janë dënuar edhe nga republikanët, përfshirë kryetarin e Partisë Republikane të Konektikatit JR Romano, i cili akuzoi grupin për “hedhjen e standardeve etike jashtë dritares, sepse nuk mund t’i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve”.

Duke iu përgjigjur kritikave, Dr. Gartner tha: “Ky nocion që ju duhet të intervistoni personalisht dikë për të formuar një diagnozë, në të vërtetë nuk bën sens. Për një gjë; hulumtimi tregon se intervista psikiatrike është mënyra më pak e besueshme statistikore për të vënë një diagnozë.”

Një zëdhënës i Universitit të Yales tha për The Independent se paneli gjatë konferencës u pajtua me rregullën Goldëater, por organizatorja u “shqetësua” nga “heshtja e debatit”.

“Paneli në Shkollën e Mjekësisë së Yales pajtohet me ’rregullin e Goldwater’. Psikiatër të shquar u ftuan të flasin për faktin nëse ekzistojnë rregulla të tjera etike që e anashkalojnë atë, si në praktikën e zakonshme,” tha zëdhënësi.

“Organizatorja, Dr. Bandy Lee, pajtohet me rregullin Goldwater por është e shqetësuar nga zgjerimi i tij i fundit (deri më 16 mars 2017) dhe nga heshtja e debatit. Ajo shpreson që publiku dhe politikanët të kuptojnë se çështjet e shëndetit mendor nuk janë për t’u përdorur si armë, ashtu siç nuk janë çështje të tjera shëndetësore.

“Dr. Gartner u ftua si një aktivist dhe nuk ishte në panelin aktual. Organizatorja thekson se ngjarja ishte e organizuar në mënyrë të pavarur dhe nuk përfaqësonte pikëpamjet e Universitetit të Yales ose Shkollës së Mjekësisë së Yales”.

Mjekët kanë thënë se edhe në qoftë se ai është në kundërshtim me standardet etike të psikiatrisë, ishte e nevojshme të thyenin heshtjen e tyre për këtë çështje, sepse ata kishin frikë se “ka shumë rrezik”.

Nuk është hera e parë që shëndeti mendor i z. Tramp është vënë në dyshim. Në shkurt, Detyra për Paralajmërim, e cila përbëhet nga psikiatër, psikologë dhe punonjës socialë, nënshkroi një letër të hapur duke paralajmëruar se gjendja e tij mendore “e bën atë të paaftë për të shërbyer në mënyrë të sigurtë si president”.

Letra paralajmëroi se tendenca e Presidentit për të “shtrembëruar realitetin” për të përshtatur “mitin e tij personal të madhësisë” dhe për të sulmuar ata që e sfidojnë atë me fakte, ka gjasa të rritet në një pozitë të pushtetit. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne