Eksperti amerikan Daniel Serwer: Arritja e marrëveshjes shumë e vështirë, Thaçi e Vuçiç s’pajtohen pa e marrë atë që duan

Profesori amerikan dhe eksperti, Daniel Serwer, në një intervistë për Kossev ka folur rreth përpjekjeve që po bëhen drejt arritjes së marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Njohësi i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor ka thënë se do të ketë një presion të madh nga SHBA-të që të nënshkruhet një marrëveshjes Prishtinë-Beograd deri në muajin shtator.

Serwer megjithatë thotë se kundërshton fuqishëm një marrëveshje që do të përfshinte korrigjimin e kufijve.
“Unë nuk jam kundër që të ketë marrëveshje, por jam kundër një marrëveshje që do të përfshinte ndarjen dhe që do të destabilizonte Ballkanin, Gjeorgjinë apo ndoshta edhe Moldavinë”, ka thënë Serwer.

Ai thotë se një marrëveshje e tillë përveç shkëmbimit të territoreve do të përfshinte edhe shkëmbim njerëzish dhe një gjë e tillë do të destabilizonte gjërat në Kosovë dhe Serbi.

Serwer në këtë intervistë ka thënë se mbase në marrëveshje nuk do të përfshihet shkëmbimi i territoreve, por thotë se flitet që për një ide të tillë është diskutuar dhe se ka presion në favor të një marrëveshje të tillë.

Serwer ka përmendur mohimin që Grenell ka bërë kur ka thënë se në tavolinën ku ka qenë prezent s’është diskutuar për korrigjim kufijsh, derisa thotë se Matthew Palmer nuk e ka mohuar një gjë të tillë.
“Ka shumë tym në këtë rast, që të mos ketë edhe pak zjarr”, ka thënë Serwer.

Megjithatë ai thotë se është shumë e vështirë që të arrihet një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij do të jetë shumë e vështirë që Thaçi të pranojë ofertën e Serbisë sepse në ofertë nuk do të përfshihet Lugina e Preshevës, dhe gjithashtu do të jetë e vështirë që Serbia të pranojë një ofertë nga Kosova në të cilën nuk do të përfshihet Mitrovica e Veriut.

“Pavarësisht nëse do të kemi një marrëveshje ose jo, unë nuk mendoj që amerikanët që janë të përfshirë në proces kujdesen për detajet. Gjithçka që duan është një ceremoni në “Kopshtin e Trëndafilave” në Shtëpinë e Bardhë”, ka theksuar Serwer për Kossev.

Sipas tij një gjë të tillë Trump e dëshiron për të mbuluar dështimet në disa çështje siç është Koreja e Veriut dhe Irani./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne