Eksportet bien me 17% për shtatë mujorin e parë, tekstilet e këpucët me krizën më të madhe

Eksportet kanë vijuar rikuperimin edhe përgjatë muajit korrik, në raport me muajin e mëparshëm, por mbeten ende larg niveleve të një viti më parë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në Korrik 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 miliardë lekë, duke u ulur me 11,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 6,2 %, në krahasim me Qershor 2020.

Rënia me bazë vjetore e korrikut ishte më e lartë sesa e qershorit, ku u shfaqën sinjale se eksportuesit po e rimerrnin veten.

Në qershor, rënia në krahasim me të njëjtin muaj të një viti më parë ishte 9.7%, pas tkurrjes së fortë në në mars (-36.2), prill (-44%) dhe maj (-22.7%). Ndërsa në dy muajt e parë, përpara fillimit të pandemisë, tendenca kishte qenë pozitive (+6.3%).

Për 6 mujorin, tendenca është negative prej -16.8% me bazë vjetore, gjithsesi me një ngadalësim të rënies, në krahasim me 17.7%, që ishte tkurrja për 6 mujorin.

Efektin kryesor në këtë tkurrje e ka dhënë reduktimi i eksporteve të industrisë së tekstileve e këpucëve, që ka ndikuar në më shumë se gjysmën e rënies për 7 mujorin.

Dy grupet me ecurinë më pozitive janë ushqime, pije dhe duhan, të cilat nuk e kanë ndier pandeminë dhe makineri e pjesë këmbimi, që pas një ngërçi në muajin e parë të pandemisë, pothuajse i janë rikthyer normalitetit.

Sipas INSTAT, Rënia vjetore e eksporteve prej 11,6 %, këtë muaj është ndikuar nga grupet: “Tekstile dhe këpucë” me -6,6 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,6 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -1,3 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +0,8 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje, pjesë këmbimi” me +0,1 pikë përqindje.

Për 7 mujorin, Grupet që kanë ndikuar kryesisht në uljen vjetore të eksporteve, janë: “Tekstile dhe këpucë” me -8,8 pikë përqindje, “Materiale ndërtimi dhe metale” me -4,0 pikë përqindje, “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -3,4 pikë përqindje. Në ndryshimin vjetor të eksporteve ka ndikuar pozitivisht grupi: “Ushqim, pije, duhan” me +0,7 pikë përqindje dhe “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +0,1 pikë përqindje.

Tekstilet e kanë më të lehtë të përshtaten, sesa këpucët

Tekstilet dhe këpucët janë grupi më i eksportuar në vend, me një të tretën e totalit, por edhe më i godituri nga pandemia. Varësia e këtij sektori nga Italia, me mbi 70% të totalit bëri që shumë kompani të shihnin anulimin e porosive ose shtyrjen në pagesa. Të dhënat e INSTAT tregojnë se për 7 mujorin, eksportet e këtij grupi ranë me 22 për qind.

Në korrik, tendenca tkurrëse ka vijuar, me -15.6 përqind.

Sektori i tektileve e ka pasur më të lehtë përshtatjen, pasi një pjesë e madhe e kompanive po punojnë për prodhimin e maskave, ose veshjeve të punës. Në qershor, psh, eksportet e tekstileve arritën nivelin e një viti më parë, ndërsa këpucët ishin 18% më të ulëta se qershori 2019.

Eksportet totale drejt Italisë ranë me 23.4% për 7 mujorin, duke dëshmuar pasojat e varësisë së lartë që ne kemi ndaj këtij vendi, ku shkojnë mbi 50% e totalit të eksporteve (pjesa më e madhe e të cilave janë tekstile e këpucë).

Lëndët djegëse dhe mineralet, rekuperim i ngadaltë

Eksportet e mineraleve dhe lëndëve djegëse ranë me 22% në korrik. Për 7 mujorin, ky grup është tkurrur po me 22%.

Bankers Petroleum, eksportuesi më i madh në vend, i cili ndërpreu përkohësisht prodhimin në prill e maj, njoftoi se nga fundi i muajit maj, akttiviteti iu rikthye gradualisht normalitetit. Kompania njoftoi më herët se në qershor pothuajse 95% e puseve në fushën Patos-Marinza janë rivënë në punë dhe kanë rifilluar operacionet e prodhimit të naftës papërpunuar.

Gjithsesi, edhe në korrik eksportet ishin me rënie, teksa shitjes drejt Spanjës, që është destinacioni kryesor i Bankers ranë me 7.3%.

Negativisht ka ndikuar dhe rënia e prodhimit të energjisë elektike, si rrjedhojë e motit të thatë.

Eksportet e produkteve bujqësore, me rritje, kalojnë në grupin e tretë kryesor
Bujqësia ka vijuar punën e pashqetësuar nga pandemia dhe është e vetmja që ka pasur një vit të mbarë.

Në korrik, eksportet e “Ushqime, pije dhe duhan” u rritën me 7.3 %, ndonëse ritmet janë ngadalësuar ndjeshëm në krahasim me qershorin. Për 7 mujorin, ky grup shënoi një zgjerim prej 5.7, duke shënuar performancën më të mirë për janar-korrik nga të gjithë sektorët.

“Ushqime, pije dhe duhan” kaluan në grupn e tretë më të eksportuar në vend për 7 mujorin, me 14% të totalit, nga 11% në të njëjtën periudhë të një viti më parë (shih grafikun).

Materiale ndërtimi dhe metale, rënie të fortë edhe në korrik

Eksportet e “material ndërtimi dhe metale” ranë me 22 % në korrik. Për 7 mujorin tkurrja është 25.4%.

Kurum, prodhuesi kryesor i këtij grupi dhe eksportuesi i dytë më i madh në vend, pas Bankers Petroleum, po rikuperon aktivitetin, pas një ndërprerjeje të përkohshme në fillimet e pandemisë. kërkesa në Maqedoni dhe Kosovë, që janë tregjet kryesore të eksportit është rritur. Por, bursat e metaleve mbeten shumë dobët dhe çmimet kanë shënuar ulje, kjo e ka ndikuar negativisht kompaninë, pasi po hyn më më shumë hekur nga importi.

Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi rimarrin veten

Grupi i “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”, që vitin e kaluar ishte me rritje dy shifrore për shkak të zgjerimit të investimeve në montimin e pjesëve elektrike të industrisë automotike, shënoi rënie prej 14% në maj.

Ndërsa në qershor, aktiviteti filloi të rekuperohej, me eksportet që u rritën me 1.6%. Në korrik, ky grup u zgjerua me 1.2% Për 7 mujorin, eksportet ishin pozitive, me një zgjerim prej 2.2%, të ndikuar dhe nga performanca e mirë e dy muajve të parë dhe rikuperimi i qershorit dhe korrikut.
Nga qershori fabrikat iu rikthyen aktivitetit pothuajse me kapacitet të plotë.

Koreanojugorët e “Yura Corporation”, kanë filluar prodhimin “test” në Fier. “Forschner” po punon me kapacitet të plotë, por me turne, duke iu përgjigjur kërkesave të partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa “Delmon Group Albania” është optimist për vijimin, duke pritur një rritje deri në 20% për vitin 2020. “PSZ Albania” gjatë pandemisë ka vijuar normalisht punën.

Ulet deficiti tregtar

Sipas INSTAT, në Korrik 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 25 mld lekë, duke u ulur me 11,6 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u rritur me 6,2 %, në krahasim me Qershor 2020. Importet e mallrave arritën vlerën 56 mld lekë, duke u ulur me 5,6 %, në krahasim me një vit më parë dhe duke u rritur me 8,3 %, në krahasim me Qershor 2020. Deficiti tregtar i këtij muaji është 32 mld lekë, duke u ulur me 0,3 %, krahasuar me Korrik 2019 dhe duke u rritur me 9,9 %, në krahasim me Qershor 2020.

Në shtatëmujorin e 2020 eksportet e mallrave arritën vlerën 150 mld lekë, duke u ulur me 16,8 %, krahasuar me një vit më parë dhe importet e mallrave arritën vlerën 328 mld lekë, duke u ulur me 13,2 %, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 178 mld lekë, duke u ulur me 9,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019.
Ndryshon gjeografia e eksporteve dhe importeve

Sipas INSTAT, në muajin Korrik 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me Korrik 2019 janë: Cekia (14,7 %), Serbia (42,5 %), dhe Rumania (12,1 %).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (16,9 %), Kosova (13,4 %) dhe Spanja (7,3 %).

Gjatë këtij shtatëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (10,1 %), Serbia (8,1 %), dhe Franca (29,9 %).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (23,4 %), Kosova (25,5 %) dhe Spanja (10,8 %).

Në muajin Korrik 2020, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me Korrik 2019 janë: Turqia (23,1 %), Kina (3,3 %) dhe Maqedonia Veriut (29,8 %).

Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (7,6 %), Greqia (5,1 %) dhe Gjermania (3,6 %).

Gjatë këtij shtatëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Rusia (37,4 %), Maqedonia e Veriut (0,4 %) dhe Hollanda (8,9 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (18,1 %), Turqia (2,2 %) dhe Greqia (9,8 %).

/Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne