Kryetari i Gjykatës Supreme të Iranit: Marrëveshja EBA-Izrael, tradhti ndaj Islamit

Kryetari i Gjykatës Supreme të Iranit, Ebrahim Raisi, tha se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve e arritur midis Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Izraelit paraqet një “tradhti ndaj Islamit dhe çështjes palestineze”.

Raisi për televizionin shtetëror të Iranit tha se veprimi i fundit i autoriteteve të EBA-së paraqet tradhti ndaj mbarë botës islame.

“Ky akt i EBA-së është një tradhti ndaj Islamit, çështjes palestineze dhe gjithë botës islame. Kjo tradhti me siguri do të hasë në reagime të shumta. Autoritetet e EBA-së duhet të presin reagime të intensifikuara nga muslimanët në botë dhe madje edhe nga popullata e tyre”, ka thënë Raisi.

Ai theksoi se SHBA-të kishin mashtruar EBA me këtë marrëveshje me Izraelin. Ai gjithashtu theksoi se marrëveshja paraqet një bashkëpunim të qartë “me sionizmin që nuk mund të fshihet më”.

“Tradhtia e EBA-së ndaj çështjes palestineze nuk mund të harrohet ose të falet”, shtoi Raisi.

EBA dhe Izraeli më 13 gusht njoftuan arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe që kishin zhvilluar pas perdeve për vite me radhë.

Drejtuesit e të dy vendeve duhet të nënshkruajnë zyrtarisht marrëveshjen muajin tjetër në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, personalisht deklaroi se Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli kishin arritur një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve bilaterale. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ishte një sukses historik.

EBA kështu u bënë vendi i tretë arab që arriti marrëveshje me Izraelin për normalizimin e marrëdhënieve, siç kishin bërë më parë Egjipti (1979) dhe Jordania (1994).

Udhëheqja palestineze, përfshirë lëvizjet Fatah, Hamas, Xhihadi Islam dhe Frontin Popullor për Çlirimin e Palestinës, pajtohen që marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve midis EBA dhe Izraelit është një tradhti e madhe./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne