Bota

“Ekstremi i djathtë është kërcënimi më i madh i sigurisë në Gjermani”

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, tha se ekstremi i djathtë në vend është kërcënimi më i madh për sigurinë publike.

Në një konferencë për shtyp në Berlin, Seibert, rikujtoi se këshilli i ministrave muajin e kaluar vendosi formimin e një bordi koordinues për një luftë efektive me të djathtën ekstreme dhe racizmin.

“Formimi i bordit koordinues, tregon rëndësinë që qeveria gjermane i kushton luftës me ekstremin e djathtë. Ekstremi i djathtë, aktualisht është kërcënimi më i madh për sigurinë publike”, tha Seibert.

Pasi ka ndarë informacionin se në këtë bord do të diskutohet për ofendimet, dhunën dhe diskriminimin me të cilët përballen në jetën e përditshme emigrantët dhe hebrenjtë, Seibert, tha se “Këto janë gjëra të papranueshme”.

Një tjetër objektiv i bordit është ndjekja dhe zhvillimi i masave të reja të mara në luftën kundër ekstremit të djathtë dhe racizmit, shtoi Seibert.

Ndërsa edhe ministrja e Drejtësisë, Christine Lambrecht, në një deklaratë me shkrim ka bërë të ditur se ky bord i ri është tregues që në shoqëri mbrohet diversiteti dhe kundërshtohet urrejtja. “Është një situatë e pa tolerueshme që racistët dhe persona të ekstremit të djathtë në vendin tonë sulmojnë çdo ditë njerëz të tjerë. Nxitësit e të djathtës ekstreme, përdorin edhe krizën e koronavirusit për të përhapur teoritë e tyre të urrejtjes dhe komplotiste”, tha Lambrecht.

“Kam propozuar një bord për mbrojtjen e viktimave të dhunës raciste”, njoftoi Lambrecht e cila ka deklaruar se shteti duhet të qëndrojë më fuqishëm pranë të prekurve nga racizmi dhe se muajt e ardhshëm do të vijojnë punimet lidhur me këtë çështje.

Bordi i koordinimit u formua si rezultat i bisedimeve të kryera pas sulmit terrorist racist në muajin shkurt në qytetin Hanau.

Në këtë bord janë të përfshirë kancelarja gjermane, Angela Merkel, ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, ministri i Jashtëm, Heiko Maas, ministrja e Familjes, Franziska Giffey, ministrja e Drejtësisë, Christine Lambrecht si dhe dy ministret e shtetit Monika Grütters dhe Annette Widmann-/AA

OPINIONE

INTERVISTA