Shqiperia

Elbasan, banorët e Labinotit në protestë për fabrikën e peshkut: Nuk hapim dot dritaret, vjen erë e keqe, është ndotur uji

Ditën e sotme janë ngritur në protestë banorët e njësisë Administrative në Labinot-Fushë në Elbasan për ndotjet që shkakton një fabrikë peshku.

Ata shprehen se kanë marrë edhe kërcënime nga pronarët e kësaj fabrike, të cilët sipas tyre u kanë marrë ujin dhe u kanë zaptuar tokat e fshatit.

Banorët kanë theksuar se problem tjetër është edhe ndotja e ambientit nga mbetjet e fabrikës. Ata shprehen se nuk hapin dot dritaret e shtëpive, pasi vjen erë e keqe.

“Ne kemi bërë disa kërkesa edhe në polici edhe në njësinë administrative, nuk na janë përgjigjur fare.

Kur ne ishim të izoluar në shtëpi kamionët e fabrikës së peshkut vazhdonin shkarkonin mbetje dhe nuk vinte policia, më në fund erdhi një patrullë dhe ajo u largua.

Vajtëm te administratorja i thamë hajde se kështu është puna, nuk erdhi dhe tani u detyruam të dalim në protestë. Mirë kjo por nuk po marrim as pronat. Ka patur rast që na kanë kërcënuar, rasti më i freskët është pak ditë më parë na kanë nxjerr armën, nuk e njohim personin që na ka kërcënuar, janë makinat e firmës.

Mbetjet i kemi para shtëpisë, nuk hapim dot dritaren sepse vjen erë e keqe. Thirrja jonë sot është mos të ndotin ambientin, mos të na marrin ujin, na kanë marrë ujin.” u shpreh një nga banorët për Fax News.

Banorët theksojnë se nëse nuk do ketë një zgjidhje për këtë situatë, nuk do i ndalin protestat e tyre. Ata deklarojnë se do të bllokojnë aksin Elbasan-Librazhd./faxnews