Publikohet emaili që djali i Gjon Shkëmbit i ka dërguar ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, që në vitin 2021, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë komunikim zyrtar, Mikael Shkambi kërkonte ndihmë urgjente për të liruar një ndërtesë që, sipas tij, ishte uzurpuar padrejtësisht dhe për të shmangur përplasjet e përditshme mes banorëve që ndodheshin aty dhe familjes Shkambi.
Ai paralajmëronte se situata po agravonte rrezikshëm, një alarm që, siç dëshmon koha, u materializua në mënyrë tragjike pak ditë më parë, me vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit nga Elvis Shkambi, nipi i Gjon Shkëmbit. Të dy sot ndodhen në burg.
Dokumentet tregojnë se Mikaeli, student në SHBA në atë kohë, i shkruante Nano-s se babai i tij, Gjon Shkambi, ishte i ekspozuar çdo ditë ndaj konflikteve, kërcënimeve dhe tensioneve të vazhdueshme. Ai kërkonte ndërhyrjen e policisë për të zbatuar vendimin e gjykatës që, sipas tij, ishte injoruar nga strukturat lokale të Shkodrës./fb

















