Emigranti algjerian: Si arrita përmes Shqipërisë në zemër të Evropës

Nga Isa Myzyraj

Cila është rruga ballkanike e emigrantëve? Cila është rruga që përdorin valët e refugjatëve që nisen nga Lindja e Mesme dhe Afrika për të mbërritur në Evropë?

Dritare.net sjell ekskluzivisht historinë e një emigranti nga Algjeria, drejt Gjermanisë, duke përdorur pikërisht të ashtuquajturën rrugë ballkanike, që kalon mespërmes Shqipërisë.

Gazetari i Dritare.net ka arritur që të kontaktojë një shtetas algjerian rreth 20 vjeç i cili për arsye sigurie dhe etike nuk mund të bëhet i ditur edhe pse ne e disponojmë identitetin e tij të plotë.

I riu agjerian, së bashku me vëllanë e tij, dhe 3 miq të tjerë kanë ikur nga papunësia dhe varfëria në rritje e Algjerisë, për të synuar tregun evropian që duket se ka më shumë se kurrë nevojë për forcë punëtore.

Ai ka shpjeguar me detaje rrugën e mundimshme nëpër shtigjet evropiane kryesisht ballkanike, për të plotësuar ëndërrën e tij, një jetë më të mirë në Evropë.

I riu algjerian tregon se ka udhëtuar nga AlgjeriaStamboll të Turqisë me avion.

Më pas, ai tregon për Dritare.net, se destinacioni tjetër është krahina e Edirnesë në  Turqi, dhe për të arritur deri këtu ai thotë se duhet të kalojë disa mure betoni, ndërsa  e quan veten “ekspert” të kalimit të mureve, pjesa tjetër e rrugës mund të bëhet me autobus, tregon ai.

Pasi emigrantët arrijnë në Edirne, destinacioni tjetër është qyteti i Komotinit në Greqi.

“Rruga nga Edirne në Komotini është e gjatë dhe e mundimshme, pasi duhet ecur 7 ditë në këmbë”-tregon emigranti.

“Nuk mund të përdorim as taksi, e as mjete të tjera të udhëtimit”- thotë ai, duke shtuar se: “Ne gjejmë shtigjet e pashkelura, dhe shmangim çdo rrugë që mund të ballafaqohemi me policinë.

Pasi ai tregon se ka arritur me sukses në Komotini, ai shprehet se Selaniku është qyteti i radhës ku ata duhet të ndalojnë.

“Nëse policia na kap në këtë rrugë” ai shprehet se ata do të deportoheshin në Stamboll.

“Për të arritur në Selanik, ne vodhëm biçikleta, por mund të vidhnim edhe ndonjë makinë, por gjithmonë duhet shmangur trenat ose autobusët ku mund të kontrollohemi”-shprehet më tej ai.

Pasi ata kanë arritur në Selanik, do t’i drejtohen Kozanisë , sërish në Greqi, me synimin kryesor kufirin shqiptar.

Me të mbërritur në Kozani, Ieropigi është ndalesa  e radhës më afër kufirit shqiptar.

“Kufiri shqiptar do të kalohet përmes maleve në këmbë, për të arritur në Bilisht e më pas në Korçë”-shprehet algjeriani.

Pasi kanë arritur në Korçë, ata marrin autobusin për në Tiranë, e më pas për në Shkodër, për tu drejtuar më tej drejt Malit të Zi.

“Në Shkodër ne marrim një taksi deri afër kufirit në Han të Hotit, që më pas ngjitim malin, pastaj nëpër shtigjet e vogla, derisa arrijmë në Tuz të Malit të Zi”-vijon ai duke treguar kalavarin e rrugës së mundimshme.

“Pas Tuzit, ne shkojmë në Podgoricë, dhe më pas në Niksiç të Malit të zi”-vijon ai tregimin.

Pasi ata kalojnë kufirin mes Malit të Zi dhe Bosnjës në këmbë, ata do të shkojnë drejt Vilusit në Bosnjë dhe Hercegovinë e më pas Belicë të Kroacisë, që ndodhet mes Sllovenisë dhe Hungarisë.

“Ne zgjodhën të kalonim përmes Lubjanës, e më pas të nisemi 13 ditë këmbë drejt Italisë”-thotë emigranti.

“Pas 13 ditësh ecje ne arritëm që të kalonim kufin dhe të arrinim në Trieste të Italisë. Dhe ja ku jemi në Evropë. Ne arritëm si të vdekur më besoni. Ishte një çmenduri e madhe, Allahu na bekoftë”- thotë algjeriani i cili shton se tanimë ëndërra e tij u realizua dhe Gjermania është më afër se kurrë.

“Ne duhet të kalojmë tanimë drejt Austrisë, për të shkuar në Gjermani, por thuajse arritëm, tanimë e kemi më të lehtë” e mbyll rrëfimin e tij për Dritare.net, i riu që bashkë me shokët e tij po kërkojnë një më të mirë që pothuajse e arritën.

Ai është shprehur se sapo të arrijë në destinacion, të gjithë rrugëtimin e tij të gjatë e të mundimshëm do ta tregojë me detaje, sepse ai shprehet se kjo nuk wshtë historia e tij, por historia e mijëra njerëzve që bota duhet ta dijë

Kujtojmë se vala e emigrantëve që ka përfshirë Evropën, sidomos në vitin e kaluar ka sjellë mjaft shqetësime në vendet evropiane të cilët nxituan të hartonin politika të ashpra deri në mbyllje kufijsh për të mos lejuar fluksin e emigrantëve të vërshonin drejt vendeve të tyre.

Nga njëra anë lufta në Siri e cila ka përfshirë mjaft vende të Lindjes së Mesme, dhe nga ana tjetër varfëria ekstreme në Afrikë ka bërë që mijëra qytetarë të këtyre vendeve ta shohin Evropën si shpëtimin e tyre.

Pak javë më parë Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump deklaroi se i ashtuquajturi shteti islamik ISIS, ka marrë fund, dhe ekspertët dhanë alarmin se mijëra luftëtarë të këtij shteti do të përpiqen që të arratisen drejt vendeve evropiane, dhe rruga ballkanike ishte opsioni më i mundshëm i lëvizjes së këtyre emigrantëve./ Dritare

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne