Emiratet e Bashkuara Arabe fshijnë Katarin nga harta botërore

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), kanë përjashtuar gadishullin e vogël të Shtetit të Katarit nga një hartë botërore e ekspozuar në një muze të hapur kohët e fundit në Abu-Dabi, sipas një eksperti veteran të çështjeve të Gjirit.

Në një pjesë të analizës me titull “EBA/Katar, rivaliteti është shkallëzuar”, shkruar herët këtë javë nga Simon Henderson i Institutit të Uashingtonit, theksohet se një hartë e madhe e botës, e cila ekspozohet në muze “përjashton tërësisht” Shtetin e Katarit.

“Në pavijonin për fëmijë të Muzeut të Luvrit në Abu-Dabi, një hartë e zonës jugore të Gjirit harron tërësisht gadishullin kataras – një fshirje gjeografike që është ndoshta e papajtueshme me marrëveshjen e Francës për të lejuar Abu-Dabin që të përdorë emrin e Luvrit”, ka shkruar Henderson.

Vitin e kaluar, EBA-ja i pagoi Muzeu të Luvrit, simbol i Francës, një shumë të majme prej 520 milionë dollarësh për përdorimin e emrit të tij në muzeun adash të Abu-Dabit, i cili më në fund hapi dyert nëntorin e kaluar pas një vonese pesëvjeçare. Në vijim, u bë e ditur se Abu-Dabi do t’i bëjë administratës së Luvrit edhe një pagesë shtesë prej 747 milionë dollarësh për kreditë artistike, ekspozitat private dhe konsulencë menaxhimi, shumë kjo që do ta çojë faturën e përgjithshme të këtij muzeu në 1,3 miliardë dollarë.

“Përjashtimi gjeografik” i vërejtur nga Hendersoni vjen mes tensioneve në rritje për hapësirën ajrore midis dy shteteve të Gjirit të pasur me naftë.

Javën e kaluar, Katari akuzoi formalisht Emiratet e Bashkuara Arabe për dërgim të avionëve ushtarakë mbi territorin e tij muajin e kaluar, në atë që Doha e përshkroi si një shkelje të hapësirës ajrore sovrane të saj – një pretendim ky i mohuar nga Abu-Dabi.

Këtë javë, EBA-ja u kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë duke pretenduar se reaktivët luftarakë të kataras kishin “interceptuar” dy avionë civilë të saj në fluturim drejt Bahrejnit, por që u mohuan në mënyrë të ngjashme nga Doha.

Të dyja vendet në fjalë janë përballur me një krizë të paprecedentë në marrëdhëniet ndërarabe që prej qershorit të vitit 2017.

Verën e kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe – së bashku me Arabinë Saudite, Egjiptin dhe Bahrejnin – shkëputën befasisht marrëdhëniet diplomatike me Katarin duke e akuzuar atë për mbështetje të grupeve terroriste në rajon.

Doha, nga ana e saj, i mohon me forcë akuzat në fjalë duke i përshkruar përpjekjet për izolimin e Katarit nga shtetet e tjera arabe si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne