Emiratet e Bashkuara Arabe të premten njoftuan për një paketë shpëtimi prej 3 miliardë dollarësh për shpëtimin e ekonomisë së ngadalësuar të Pakistanit.
Fondi i Zhvillimit të Abu Dhabit tha në një deklaratë se do të depozitojë 3 miliardë dollarë (11 miliardë AED) në Bankën e Shtetit të Pakistanit në ditët e ardhshme “për të rritur likuiditetin dhe rezervat monetare të valutës në bankë”.
Kjo ndjek një paketë tjetër prej 6 miliardë dollarësh të njoftuar nga Arabia Saudite në tetor për Pakistanin.
Kryeministri Imran Khan menjëherë u prononcua në Twitter për të falënderuar qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe “për mbështetjen bujare ndaj Pakistanit në këto kohë të veshtira”.
“Kjo reflekton angazhimin dhe miqësinë tonë që ka mbetur e patundur gjatë viteve,” shtoi ai.
Ekonomistët i shohin dy paketat e ndihmës si të mjaftueshme për të përgjysmuar gjysmën e hendekut neto të financave të jashtme që kapin shifrën 10-12 miliardë dollarë.
Islamabadi tha se kishte shqyrtuar edhe një paketë shpëtimi nga Kina, por ende nuk i ka zbuluar detajet.
Duke luftuar me një deficit kolosal prej 18 miliardë dollarësh, Pakistani tashmë ka kërkuar ndihmën e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për t’u marrë me çështjen e përkeqësimit të bilancit të pagesave. Një mision i FMN-së është angazhuar në bisedime me Islamabadin për të diskutuar kushtet dhe madhësinë e kredisë.
Borxhi aktual i jashtëm i Islamabadit qëndron në afërsisht 100 miliardë dollarë – pjesa më e madhe e huazuar nga Banka Botërore, FMN, Banka Aziatike e Zhvillimit, Banka Islamike për Zhvillim, Shtetet e Bashkuara, Kina, Franca dhe vende të tjera./yenisafak/Gazeta Impakt