Bota

Emiri i Katarit: Duam zgjidhje të krizës por pa cënimin e sovranitetit tonë

Emiri i Katarit, Temim bin Hamad Al Thani, ka theksuar se dëshirojnë përfundimin e krizës së Gjirit, porse kjo gjë nuk duhet të jetë në kundërshtim me sovranitetin e shtetit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Për ne krijoi një efekt tronditës. Sepse javë parë saj ne ishim në mbledhjen e njëjtë me këto shtete ku gjendej presidenti amerikan Donald Trump dhe kishim biseduar për luftën kundër terrorizmit. Atëbotë, asnjë nga këto shtete nuk na ka njoftuar për ndonjë shqetësim apo gjë tjetër”, ka thënë Al Thani në një program në kanalin amerikan CBS, duke rikujtuar mbledhjen e mbajtur më 20 dhe 21 maj në Riad.

“Përkundrazi, ne folëm fjalë të mira për përpjekjet e njëri-tjetrit dhe qeshnim së bashku. Biseduam rreth asaj se si mund ta zgjidhim çështjen e terrorizmit”, ka shtuar ai.

Duke theksuar se kanë refuzuar kërkesat e parashtruara për Katarin si kusht për tejkalimin e krizës, siç ishte mbyllja e kanalit Al Jazeera, Al Thani është shprehur: “Sovraniteti është vija jonë e kuqe. Nuk pranojmë që askush të ndërhyjë në të. Pas 50 viteve, historia do të flasë se si Al Jazeera ka ndryshuar konceptin e lirisë së shprehjes në tërë rajonin. Ne nuk mund ta mbyllin Al Jazeeran”.

Emiri i Katarit po ashtu ka tërhequr vëmendjen se shtetet që kanë bllokuar Katarin “përpiqen ta ndryshojnë regjimin në Katar”, duke shtuar se një gjë të tillë janë përpjekur ta bëjnë edhe në vitin 1996, kur babai i tij ishte emiri i Katarit.

Më pas, Al Thani ka theksuar gatishmërinë për zgjidhjen e krizës, por kjo të mos ndodh në kundërshtim me sovranitetin e shtetit.

“Po, ne duam përfundimin e krizës, por jo në një mënyrë që është në kundërshtim me reputacionin dhe sovranitetin tonë. Nëse më afrohen për zgjidhje një metër, unë u afrohem atyre dhjetë mijë milje”, ka thënë Al Thani.

Ndryshe, kriza në rajonin e Gjirit filloi më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për “mbështetje të grupeve terroriste”.

Teksa Doha zyrtare i ka mohuar të gjitha akuzat, katër shtetet i kanë parashtruar Katarit një listë me 13 kërkesa, për të cilën Katari ka theksuar se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

 

 

 

 

 

 

 

 

OPINIONE