Emiri i Katarit premtoi 20 milionë dollarë në Samitin e Vaksinave

Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, premtoi një kontribut prej 20 milionë dollarësh në Samitin Botëror të Vaksinave që u zhvillua në Londër.

Gjatë adresimit përmes video-konferencës në samitin e mbajtur më 4 qershor, Al Thani tha se pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19) është një sfidë e paprecedent dhe rrezik për gjithë njerëzimin dhe në të gjitha nivelet.

“Kjo krizë tregoi se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe këmbimi i përvojave janë të domosdoshme”, deklaroi Al Thani.

“Kjo kërkon përpjekje të përbashkëta për ta eliminuar COVID-19 duke përdorur vaksina dhe ilaçe efektive dhe duke u përgatitur për t’u përballur me pandemi në të ardhmen në mënyrë afatgjate”, shtoi ai.

Emiri i Katarit theksoi se vendi i tij ka reaguar me shpejtësi gjatë krizës duke marrë masa parandaluese në mbrojtje të qytetarëve, duke shtuar se vendi i tij po ashtu u ka ofruar ndihmë me pajisje mjekësore mbi 20 vendeve.

Ai po ashtu riafirmoi mbështetjen për Organizatën Botërore të Shëndetësisë në përpjekjen për mposhtjen e virusit dhe forcimin e përgatitjeve kundër pandemive të ardhshme.

“Dua të deklaroj zotimin e ri të Katarit për të siguruar një ndihmë shtesë prej 20 milionë dollarësh”, tha Al Thani.

Ndryshe, Samiti Botëror i Vaksinave u mbajt me pjesëmarrje të liderëve të vendeve të ndryshme, përfaqësues të fondacioneve, sektorit privat dhe shoqërisë civile.

Samiti synonte të mobilizojë 7.4 miliardë dollarë për mbrojtjen e gjeneratave të ardhshme përmes vaksinave, të reduktojë pabarazinë gjatë sëmundjeve dhe të kontribuojë në shëndetin botëror.

Kjo ngjarje, sipas qeverisë britanike, ka tejkaluar qëllimin dhe ka arritur të grumbullojë zotime në vlerë prej 8.8 miliardë dollarësh./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne