Erdogan: Besoj në zgjidhjen paqësore të çdo çështjeje ndërmjet Turqisë dhe Greqisë

“Besoj se të gjitha çështjet ndërmjet Turqisë dhe Greqisë mund të zgjidhen mbi themelet e barazisë dhe në mënyrë paqësore”, deklaroi kreu i shtetit turk në një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit në Ankara me Kryeministrin grek, Alexis Tsipras.

Duke folur për ish-ushtarakët puçistë turq të arratisur në Greqi pas tentativës për grusht shteti në Turqi dhe për refuzimin nga gjyqësori grek të ekstradimit të tyre dhe të dyshuarve të tjerë të kërkuar nga drejtësia turke, Erdogani tha vendi i tij pret që shteti grek të mos bëhet vend i sigurt për pjesëtarët e organizatave terroriste.

“Turqia pret nga Greqia që të mos shndërrohet në vend të sigurt, ku strehohen anëtarët e organizatave terroriste FETO, PKK dhe DHKP-C”, theksoi presidenti turk.

Erdogani shtoi se gjatë bisedimeve me Kryeministrin Tsipras dhe delegacionin e tij, palës greke i kanë përcjellë sërish pritjet e Turqisë për ekstradimin e puçistëve të FETO-s.

Lideri turk foli edhe për marrëveshjen e refugjatëve të nënshkruar ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian në mars të vitit 2016. Ai vuri në pah se BE-ja nuk e ka zbatuar liberalizimin e vizave dhe marrëveshjen duke kërkuar nga Unioni besnikëri ndaj premtimeve të dhëna.

Marrëveshja e vitit 2016 synonte të parandalonte emigracionin e parregullt përmes detit Egje duke marrë masa më të rrepta kundër trafikantëve, të përmirësonte kushtet e më shumë se 3 milionë refugjatëve sirianë në Turqi, si dhe të mundësonte përshpejtimin e aspiratave të Turqisë për anëtarësim në BE dhe udhëtimin pa viza për shtetasit turq në hapësirën Schengen.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, tha se vendi i tij nuk dëshiron “të ndëshkohet” me probleme rajonale, por të zgjidhë çështjet me Turqinë përmes dialogut.

“Ramë dakord me Turqinë që të avancojmë bashkëpunimin në lidhje me çështjet e sigurisë”, u shpreh Tsiprasi.

Ai konfirmoi konsensusin ndërmjet Athinës dhe Ankarasë për të ulur tensionet në Egje dhe për të marrë masa për rritjen e besimit.

I pyetur rreth ekstradimit të munguar të puçistëve turq të arratisur në Greqi pavarësisht marrëveshjes për ekstradim ndërmjet dy vendeve, Tsiprasi u përgjigj se refuzimi i kërkesës për ekstradimin e tyre është vendim i gjyqësorit grek./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne