Erdoğan: Besoj që vizita në shtetet e Gjirit ishte hap i rëndësishëm drejt stabilitetit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha sot në Ankara se beson që turneu i tij në shtetet e Gjirit të kenë qenë hap i rëndësishëm në rindërtimin e besimit të ndërsjellë dhe stabilitetit, raporton Anadolu Agency (AA).

“Biseduam lidhur me atë se çfarë mund të bëjmë dhe si mund të kontribuojmë në zgjidhjen e çështjes së Katarit. Fillimisht, dua të theksoj se është e vështirë të rrënohen gjërat, por çdo herë është e vështirë të ndërtohet ajo që rrënohet. Besoj që vizita dhe takimet tona të fundit të kenë qenë hap i rëndësishëm në rindërtimin e besimit të ndërsjellë dhe stabilitetit”, tha Erdoğan pas kthimit nga Katari, ku sot zhvilloi vizitën zyrtare në kuadër të turneut të tij në shtetet e Gjirit.

Ndërkaq, lidhur me bazën turke në Katar, Erdoğan tha se për këtë çështje është diskutuar vetëm me zyrtarët e Katarit.

“Çështja e bazës nuk u diskutua në Arabinë Saudite dhe Katar. Ndërkaq, ishte e natyrshme të diskutohet në Katar. Atje ne kishim mundësinë të bisedojmë lidhur me atë se çfarë mund të bëjmë tutje. Nga ana tjetër, qëndrimi i Katarit kohëve të fundit është për t’u vlerësuar”, tha Erdoğan.

Presidenti i Turqisë ka folur edhe në lidhje me tensionet e fundit në Jerusalem pas mbylljes së Xhamisë Al Aksa.

“Kemi potencuar se kufizimet e qeverisë izraelite në Al Aksa janë të papranueshme. Këto hapa që shpërfillin të drejtën e muslimanëve për adhurim dhe shkelin shenjtërinë e Xhamisë Al Aksa i ngritin edhe më tepër tensionet. Vërtetë është verbërim i arsyes që muslimanët që vijnë t’i kryejnë ritet e tyre të barazohen me terroristë”, u shpreh Erdoğan.

“Edhe njëherë e ftoj Izraelin të respektojë ligjin, normat dhe vlerat njerëzore”, shtoi ai.

Ai kritikoi deklaratën e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili më herët tha se Izraeli po bën hapat e duhura në Jerusalem.

“Nuk ka asnjë pjesë të deklaratave të Netanyahut që mund të pranohet. Kjo është në kundërshtim me të drejtën universale, konventën e të drejtave të njeriut, lirinë e besimit dhe të gjitha deklaratave dhe dokumenteve të ngjashme ndërkombëtare”, potencoi presidenti turk Erdoğan, duke shtuar se kompleksi Al Aksa është vend i veçantë dhe kibleja (orentimi) e parë e të gjithë muslimanëve.

“Të gjithë ne kemi përgjegjësi mbi këtë vend dhe po bëhen gjërat e nevojshme që kërkon kjo përgjegjësi. Kjo çështje do të jetë në rendin e ditës së Kombeve të Bashkuara, të Këshillit të Sigurimit. Po afrohet muaji shtator dhe kjo çështje do të jetë njëlloj në rendin e ditës. Izraeli po shkon drejt së gabuarës me këto hapa dhe, e them haptazi, po shkon drejt vetmisë”, theksoi presidenti i Turqisë, Erdoğan.

Ndryshe, në turneun e tij në shtetet e Gjirit, Erdoğan u shoqërua nga një delegacion me figura të larta qeveritare, në mesin e të cilëve edhe ministri i Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu, ministri i Ekonomisë, Nihat Zeybekci, ministri për Energji dhe Resurse Natyrore, Berat Albayrak, dhe ministra të tjerë.

Para Katarit, Erdoğan zhvilloi takime me krerët e Arabisë Saudite dhe Kuvajtit në kuadër të përpjekjeve të tij për të zgjidhur krizën e Gjirit të cilës i parapriu prishja e marrëdhënieve diplomatike të katër shteteve arabe me Katarin, të cilin e akuzojnë për mbështetje të terrorizmit.

Kriza e Gjirit u përshkallëzua më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Bahreini, Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) ndërprenë marrëdhëniet dhe bllokuan Katarin për akuza të pretenduara se mbështet terrorizmin, të cilat autoritetet në Doha i kanë mohuar dhe bllokadën e shohin si një shkelje të rëndë të normave ndërkombëtare.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne