Erdogan: Do të bojkotojmë produktet elektronike amerikane

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) tha se Turqia do të bojkotojë produktet elektronike amerikane.

Këto deklarata Erdoani i bëri në fjalën që mbajti në simpoziumin “Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) në vitin 16-të të qeverisjes”, organizuar nga Fondacioni për Studime Politike, Ekonomike dhe Shoqërore (SETA) në Sallën e Kongreseve (Congresium) të Dhomës së Tregtisë së Ankarasë (ATO).

“Kemi të bëjmë me një sulm të hapur kundër Turqisë. Na turren kapërdimthi”, tha kreu i shtetit turk në vlerësimin që i bëri vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për të zbatuar sanksione kundër Turqisë, ndërsa shtoi se i kanë marrë dhe vazhdojnë ti marrin të gjitha masat.

Erdoani theksoi se ekonomia turke po bëhet gjithnjë e më e madhe. “Ne po kalojmë një periudhë, ku po thyejmë rekorde në punësim, në turizëm. Sidomos në turizëm këtë vit po përjetojmë një ‘bum’. Jemi një vend që garanton sigurinë dhe stabilitetin. Kemi një nga sistemet më të fuqishme bankare në botë nga të gjitha aspektet”,- tha ai.

Duke theksuar se ShBA-ja ka hapur luftë ekonomike kundër shumë vendeve, Erdoani tha se “vendi i tij po përballet me një operacion më të madh se kaq”.

Ata që nuk e ‘honepsin’ dot zhvillimin e Turqisë nuk hezitojnë ta përdorin ekonominë si një armë,- u shpreh Erdoani në vazhdim të fjalës së tij dhe shtoi se Qeveria bashkë me popullin ashtu siç sprapsi tentativën e grushtit të shtetit më 15 korrik 2016, në të njëjtën mënyrë do të rezistojë edhe përballë dollarit, kursit valutor dhe inflacionit.

Presidenti Erdoan përsëriti edhe një herë thirrje e tij drejtuar qytetarëve për të këmbyer në lira turke kursimet e tyre në valutë. “Mbrojtja e dinjitetit të Lirës Turke do të jetë përgjigja më e mirë për këta”, tha ai.

“Ne do të bojkotojmë produktet elektronike amerikane. Brenda javës do të kemi shumë takime në Perëndim, në bashkësinë ndërkombëtare. Ne po i krijojmë kontaktet tona dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Miqtë nga Perëndimi na marrin në telefon, bisedojmë me ta. Punojmë për të realizuar një takim në Turqi dhe kështu në këtë mënyrë do të vazhdojë solidariteti ynë”,- tha Erdoan./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne