Erdogan: Janë të rëndësishme hapat që do të bëjë Greqia

Kreu i shtetit turk realizoi bisedime me Presidentin e Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel dhe Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel.

Siç bën të ditur Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës, në këtë samit trepalësh me videokonferencë u trajtuan në mënyrë gjithëpërfshirëse marrëdhëniet Turqi-BE.

Në këtë samit, ku u vlerësuan gjithashtu zhvillimet në Mesdheun Lindor, u tha se Turqia dhe Greqia janë gati të nisin bisedimet eksploruese.

Duke theksuar se hapat që do të bëjë Greqia, janë të rëndësishme për atë se si do të përparojë mirëkuptimi për gjallërimin e kanaleve të dialogut; presidenti turk shprehu bindjen se një konferencë rajonale me pjesëmarrjen e të gjitha palëve, përfshi këtu edhe turqit qipriotë, do të prodhonte vendime konstruktive.

Pasi tha se shpreson që samiti i liderëve të BE-së, i cili do të fillojë ditën e enjte, të sjellë një frymë të re në marrëdhëniet Turqi-BE, Erdogani vuri në pah se ai nuk ka asnjë dyshim që raportet Ankara-Bruksel mund të rivendosen në një kurs pozitiv në rast se bëhen hapa konkrete dhe vullnetmira në lidhje me marrëveshjen e Unionit Doganor, liberalizimin e vizave dhe akordin për emigracionin.

Ai nënvizoi po ashtu se zhvillimi i një bashkëpunimi të shëndoshë të BE-së me Turqinë do të kontribuonte fuqishëm në zgjidhjen e problemeve rajonale.

Mes të tjerash, Presidenti Erdogan u shpreh i kënaqur në lidhje me përpjekjet e Kancelares Merkel dhe Presidentit Michel për t’u dhënë një agjendë pozitive marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne