Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, po qëndron në Republikën Popullore të Kinës për një sërë kontaktesh zyrtare.
Kreu i Shtetit turk u takua me homologun e tij kinez, Xi Jinpign, që e priti me ceremoni zyrtare në hyrje të Kuvendit të Madh Popullor në Pekin.
Pas ceremonisë shtetërore të pritjes, Erdogan dhe Jinping biseduan për rreth 45 minuta dhe drejtuan takimin ndërmjet delegacioneve.
Në fund të takimeve pa praninë e gazetarëve, delegacionet zyrtare nënshkruan një sërë marrëveshjesh bilaterale në prani të dy liderëve.
Disa nga akordet e firmosura janë “Marrëveshja për Ekstradimin e Ndërsjellë të Personave të Inkriminuar”, “Marrëveshja për Transportin në Rrugët Ndërkombëtare” dhe “Marrëveshja për Ngritjen e Qendrave Kulturore Turke në Kinë dhe Qendrave Kulturore Kineze në Turqi”.
Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve në fjalë ishin gjithashtu ministri Drejtësisë, Bekir Bozdag, ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu dhe ministri i Transportit, Detarisë dhe Komunikacionit, Ahmet Arslan.
Në ditën e parë të kontakteve në Pekin, përpara takimit me Xi Jinping, Presidenti Erdogan priti veçmas gjithashtu Kryeministrin e Greqisë, Aleksis Tsipras, atë të Pakistanit, Nawaz Sharif dhe shefin e qeverisë së Hungarisë, Victor Orban.
Gjatë takimit me Kryeministrin Tsipras, Presidenti Erdogan tërhoqi vëmendjen se çështja e “refuzimit të ekstradimit të puçistëve” përbën një problem serioz ndërmjet Ankarasë dhe Athinës, ndërsa theksoi se strehimi në Greqi i këtyre personave, që janë të implikuar në tentativën për grusht shteti të 15 korrikut 2016, nuk është një veprim i drejtë. Ai tha se Athina duhet të ndërmarrë hapat e nevojshme për zgjidhjen e kësaj çështjeje.
Në vijim të takimit me kryeministrin grek, Erdogan u ndal mbi problemin e Qipros, ndërsa bëri me dije se, pavarësisht mungesës së rezultatit të dëshiruar deri më tani, palët kanë rënë dakord për vazhdimin e bisedimeve në lidhje me problemin qipriot dhe për të punuar mbi zgjidhjen e tij me një agjendë pozitive.
Kurse në takim me Kryeministrin e Pakistanit, Nawaz Sharif, lideri turk u shpreh i kënaqur veçanërisht për ecurinë e mirë të marrëdhënieve dypalëshe.
Erdogan dhe Sharif ranë dakord për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike, tregtare, energjetike dhe të investimeve ndërmjet dy vendeve. Palët gjetën konsensusin edhe në lidhje me përshpejtimin e përgatitjeve për nënshkrimin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për tregti të lirë ndërmjet Turqisë dhe Pakistanit.
Po ashtu në takim u planifikuan një sërë aktivitetesh me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve, me synimin për të krijuar një atmosferë festive të jashtëzakonshme.
Nga ana tjetër, dy liderët biseduan me hollësi luftën kundër terrorizmit dhe çështjet e sigurisë në rajon e më gjerë, sidomos për situatën në Siri dhe zhvillimet në Afganistan.
Menjëherë pas këtij takimi, Erdogan priti Kryeministrin hungarez, Victor Orban, të cilin e falënderoi për mbështetjen e tij në lidhje me raportet e Turqisë me Bashkimin Evropian.
Presidenti Erdogan vuri në pah se nevojitet një punë më intensive sidomos për rritjen e vëllimit tregtar ndërmjet Turqisë dhe Hungarisë.
Kryeministri Orban, nga ana e tij i përcolli Erdoganit ftesën e Presidentit hungarez, Janos Ader, për të marrë pjesë në vjeshtë në ceremoninë e përurimit të Tyrbes Gul Baba./ trt