Erdogan në vizitë njëditore në Iran, referendumi në KRG dhe zhvillimet rajonale në fokus

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, udhëtoi sot drejt Iranit për një vizitë zyrtare njëditore, me ftesë të homologut Hassan Rouhani.

Sipas komunikatës me shkrim të bërë nga Qendra e Informimit pranë Presidencës në Ankara, Presidenti Erdogan në kuadër të vizitës zyrtare në Iran do të takohet me liderin fetar, Ajatullahun Seyyid Ali Khamenei dhe Presidentin Hassan Rouhani.

“Referendumi i jashtëligjshëm, i cili u mbajt më 25 shtator në administratën rajonale kurde të Irakut (KRG), si dhe zonat pa konflikt të formuara në Siri do të jenë kryefjalët e kësaj vizite”, theksohet në komunikatën e lartpërmendur.

Në kuadër të kësaj vizite do të mbahet edhe mbledhja e katërt e Këshillit të Bashkëpunimit me Nivel të Lartë Turqi-Iran, e cila do të kryesohet nga presidentët e të dyja vendeve.

Gjatë kësaj vizite, ku pritet të bisedohet për të gjitha dimensionet e marrëdhënieve dypalëshe, do të merren në shqyrtim gjithashtu çështjet aktuale rajonale dhe ato ndërkombëtare.

Me këtë vizitë synohet zhvillimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore me Iranin, me të cilën Turqia ka lidhje rrënjësore, historike dhe kulturore, si dhe avancimi i dialogut e bashkëpunimit mes dy shteteve.

Ky udhëtim i Presidentit Erdogan ka cilësinë e vizitës së kthimit, që Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, kishte zhvilluar në Turqi, më datë 16 prill 2016./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne