Erdogan refuzon të vizitojë Tiranën, i vendos kusht Ramës “kokën” e Skënder Bruçajt?

Në fund të këtij viti, punimet në xhaminë e Namazgjasë në Tiranë do të kenë përfunduar dhe pala shqiptare po përgatitet për ceremoninë e inaugurimit të asaj që do të jetë xhamia më e madhe në Ballkan.

Por në ceremoni rrezikon të mos jetë financuesi i këtij xhamie, presidenti turk Rexhep Taip Erdogan. Burime brenda Komunitetit Mysliman të Shqipërisë bëjnë të ditur se Erdogan i ka vendosur një kusht të rëndësishëm kryeministrit Edi Rama, shkarkimin e Skënder Bruçajt.

Bruçaj drejton Komunitetin Mysliman që prej vitit 2014, por Ankaraja e konsideron si njeri në shërbim të Lëvizjes Gylen, e shpallur organizatë terroriste në Turqi.

Erdogan nuk pranon të tërhiqet nga kushti që ka për të vizituar Tiranën dhe kjo e ka vënë në vështirësi kryeministrin Rama, i cili nuk po arrin të sigurojë prej vitesh asnjë vizitë të nivelit të lartë nga partnerët strategjikë, Itali, Greqi, SHBA, apo nga fqinjët, Maqedoni dhe Mal i Zi.

Të njëjtat burime sqarojnë për Politiko.al se, Rama i ka ofruar disa poste të rëndësishme Skënder Bruçajt, si ambasador apo kryetar të Komitetit të Kulteve, nëse ai pranon të dorëhiqet, por kreu i KMSH-së i ka refuzuar.

Kryetari i Komunitetit Mysliman është drejtuesi kryesor dhe përfaqëson komunitetin në të gjitha veprimtaritë fetare brenda dhe jashtë vendit, në marrëdhëniet zyrtare me organet shtetërore dhe gjyqësore. Ai zgjidhet nga Këshilli i Përgjithshëm në bazë të procedurave dhe kritereve të përcaktuara në statutin e KMSH, ndaj ndërhyrja e qeverisë është pamundur.

Lidhur me përpjekjet e Erdogan për të shkarkuar kreun e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Politiko ka raportuar që në maj të 2017-ës, bazuar në akuzat që vinin nga Ankaraja. Kërkesa e Erdogan për Ramën është bërë vitin e kaluar, një vit pas tentativës për grusht shteti në Turqi, ngjarje për të cilën akuzohet Fethulla Gylen.

Sulme ndaj Skënder Bruçajt ka patur nga disa media në Turqi, përfshirë median shtetërore ‘Anadolu Agency’ dhe ‘Yeni Akit’, e konsideruar si gazetë e afërt me Erdogan./Politiko.al

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne