Erdogan: Soros përdor pasuritë e tij për të përçarë dhe shkatërruar kombet

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzoi të mërkurën George Sorosin për ndihmën që i ka dhënë një filantropi të burgosur turk që përballet me akuza për përmbysjen e qeverisë turke , duke e përshkruar miliarderin amerikan të lindur në Hungari si një “çifut i famshëm hungarez”.

Erdogan deklaroi se Soros kishte mbështetur financierin dhe filantropin turk Osman Kavala i cili organizonte eventet e shoqërisë civile dhe ka qenë në burg që nga viti i kaluar në pritje të gjykimit. Ai në mënyrë të veçantë filloi me akuza kundër vetë aktivistit turk, duke e implikuar atë në financimin e protestave të famshme të Parkut Gezi në Stamboll në vitin 2013, të cilat ishin një nga sfidat më të mëdha gjatë mandatit të Erdoganit. “Është një person që ka financuar terroristët në ngjarjet e Parkut Gezi dhe tani ai është prapa hekurave”, tha Erdogan, duke iu referuar Kavalas pa e përmendur atë. “Dhe kush është prapa tij, çifuti i famshëm hungarez Soros, i cili dërgon njerëz në mbarë botën për të përçarë dhe për të shkatërruar kombet dhe që përdor shumën e madhe të parave që zotëron për këtë qëllim”, theksoi Erdogan. Ai e përshkroi Kavalan si “përfaqësuesin në Turqi” të Sorosit dhe e akuzoi atë se “është duke përdorur pasuritë e tij për të mbështetur ata që përpiqen ta shkatërrojnë këtë vend”. Sulmi verbal i Erdoganit kundër Sorosit përsëriti gjuhën e kryeministrit hungarez Viktor Orban, qeveria e të cilit ka zbatuar një paketë ligjore “Stop Soros” që synon punën e 88-vjeçarit në Hungari, duke përdorur imazhe që grupet hebraike kanë thënë se mund të ushqejnë antisemitizmin . Kontestimet mbi rastin Kavala janë intensifikuar në javën e fundit pasi 14 akademikë dhe aktivistë turq u arrestuan të premten për lidhjet me filantropin e burgosur. Këto arrestime u pritën me protesta të forta nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe opozita turke. Përkrahësit e Kavalas thonë se akuzat se ai ka kërkuar të përmbysë qeverinë janë absurde dhe se ai kishte punuar pa u lodhur për të ndërtuar ura në shoqëri, në veçanti me armenët. Ndër të tjera, Presidenti Erdogan në lidhje me kërkesën për lirim drejtuar Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të Selahatin Demirtash, ndaj të cilit vazhdon procesi gjyqësor me pretendim për kontakt me organizatën separatiste terroriste PKK, theksoi: “Vendimet e gjykatës në fjalë nuk kanë obligim ndaj nesh. Deri më sot, pothuajse të gjitha vendimet në lidhje me organizatën kanë qenë kundër. Në shkëmbim ka shumë për tu bërë. Ne bëjmë kundërlëvizjen tonë. Lufta kundër terrorit vazhdon”. Erdoan tërhoqi vëmendjen se bota perëndimore, në emër të ambientalizmit, i del për zot atyre që djegin rrugët. Duke iu referuar ngjarjeve të Parkut Gezi, të zhvilluara në vitin 2013 dhe të mbështetura nga Perëndimi, me pretekstin e ambientalizmit, Erdogan tha: “Ata që i vunë zjarrin rrugëve, të vijnë e të shohin Parqet Kombëtare, të shohin ambientalizëm. Në lidhje me ngjarjet e Parkut Gezi pati të arrestuar. Vijnë deklarata nga disa qarqe të ditura të Perëndimit. Ashtu siç ka financues në botë për këto gjëra, ashtu ka edhe persona që bëjnë financim për ngjarje të tilla në Turqi. Përse Perëndimi shqetësohet kur arrestohen këta persona. Kur bëhet fjalë për vendet e tyre ata bërtasin, por kur bëhet fjalë për Turqinë, thonë se janë akademikë etj. E kush ju beson”./PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne