Erdogan: Tashmë i duhet dhënë fund islamofobisë dhe ksenofobisë në rritje në botë

Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha se tashmë i duhet dhënë fund islamofobisë dhe ksenofobisë në rritje në botë.

Erdogan publikoi një videomesazh në adresën e internetit weremember.gov.tr të përgatitur nga Drejtoria e Komunikimeve të Presidencës me rastin e Ditës Ndërkombëtare Përkujtimore të Holokaustit.

Duke deklaruar se si njerëzim po kalojmë një periudhë të vështirë dhe ashtu si virusi edhe racizmi po përhapet gjithnjë e më shumë, Erdogan tha: “Ka një rritje serioze të akteve të dhunës ndaj vendeve të adhurimit të tilla si xhamitë, sinagogat dhe kishat. Krimet e urrejtjes kundër shoqërive me identitet të ndryshëm etnik, fe, gjuhë dhe pamje po rriten dita ditës. Terrori racist është kthyer në kërcënim për sigurinë që i vë dinamitin paqes shoqërore dhe vullnetin të njerëzve për të jetuar së bashku. Sidoqoftë, tragjedia që ndodhi në shekullin e kaluar ka treguar se çfarë lloj dhimbjeje mund të shkaktojnë ideologjitë raciste.”.

Ai u shpreh se secili gjenocid si ai i Holokaustit, Bosnjës, Ruandës dhe Kamboxhias, ku miliona njerëz humbën jetën, janë shembuj të gjallë që i kujtojnë shoqërisë ndërkombëtare përgjegjësinë e saj. Presidenti theksoi se lufta kundër gjuhës së urrejtjes është detyrë e përbashkët e të gjithëve jo vetëm ndaj viktimave por edhe njerëzimit.

Erdogan tha se në mënyrë që të mos përsëriten gjenocidet si ai i Holokaustit, Bosnjës, Ruandës dhe Kamboxhias duhet që komuniteti ndërkombëtar të vihet në veprim.

“Tashmë i duhet thënë “ndal” islamofobisë dhe ksenofobisë që është në rritje në botë me ndikimin veçanërisht të platformës digjitale dhe organeve të medias dhe shtypit”, tha Erdogan.

Në adresën e internetit weremember.gov.tr do të shpjegohen me informacione, dokumente dhe pamje gjenocidet si ai i Holokaustit, Srebrenicës, Ruandës dhe Kamboxhias.

Këtu do të zënë vend mesazhet e përfaqësuesve hebrenj dhe rom, viktima të Holokaustit dhe aty mund të ketë qasje në artikuj e libra të publikuar në lidhje me gjenocidet./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne