Bota

Erdogan: Turqia do të blejë 120 avionë F-35

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se vendi i tij do të vazhdojë me vendosmëri luftën kundër terroristëve, raporton Anadolu Agency.

“Jemi gjithmonë në mendjen e terroristëve, jemi duke i varrosur nëpër istikamet të cilat vetë i gërmojnë dhe kështu do të vazhdojmë”, tha Erdoğan në ceremoninë e përfundimit të disa projekteve në Stamboll.

Ai theksoi se do të bëjnë çmos për zhdukjen e terroristëve nga Turqia.

Erdoğan gjithashtu potencoi se Turqia do të blejë 120 avionë F-35 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

“Amerika prodhon avionët F-35 dhe neve do të na vijnë 120 sosh. Turqia prodhon disa pjesë për këta avionë”, tha presidenti turk.

Turqia planifikon që me këta avionë, të cilët kanë performancë të lartë nga aspekti i shikueshmërisë së ulët, teknologji senzorike dhe sistemin e radarëve, të rrisë efikasitetin operacional të forcave të saj ajrore.

Në qershor, Turqia mori avionin e parë të projektit F-35 në një ceremoni zyrtare në Fort Worth të Teksasit.