Turqia, avionët F-35 dhe kontributi i kompanive turke në ndërtimin e tij

Nëse SHBA-ja ndal shitjet e avionit të gjeneratës së pestë, F-35, për Turqinë, apo nëse Turqia tërhiqet nga projekti, atëherë kjo gjë do të sjellë dëme me vlerë miliarda dollarë për Programin F-35, kostoja e të cilit është rreth 400 miliardë dollarë, sipas Agjencisë Anadolli.

Debati për avionët F-35 erdhi pasi nënsekretarja e Forcave Ajrore të SHBA, Heidi H. Grant, duke folur për sistemin raketor S-400 që Turqia do të blejë nga Rusia, tha për mediat amerikane se Uashingtoni mund ta ndalë shitjen e avionëve F-35 për Turqinë ose të zbatojë sanksione ndaj Turqisë për sa i përket këtyre avionëve.

Megjithatë fakti që Turqia është një nga nëntë pjesëmarrësit e Programit F-35 që nga fillimi dhe është prodhues i përbashkët i pjesëve, kontraktues për shërbimet e mirëmbajtjes motorike dhe porositës i tipit F-35A, dobëson mundësinë për ta nxjerrë Turqinë jashtë këtij programi.

Vazhdimi pa Turqinë i programit me kosto prej 400 miliardë dollarësh, për të cilin veçmas ka debate të mëdha në SHBA, supozohet se do të shtojë një ngarkesë prej 12 miliardë dollarësh për partnerët e tjerë.

Nëse merret parasysh edhe mbështetja teknologjike e kompanive turke për programin, atëherë tërheqja e Turqisë do të godasë në masë të madhe edhe avancimin teknologjik të projektit.

Siç vlerësohet, kjo gjendje e bën Programin F-35 një kartë për Turqinë, jo për SHBA-në.

Mosmarrja e porosive nga Turqia do të kushtojë 12 miliardë e 360 milionë dollarë

Avioni F-35 prodhohet në tre versione, F-35A, i cili bën ulje dhe ngritje konvencionale, F-35B/STOVL, i cili bën ngritje të shkurtra dhe ulje vertikale, si dhe F35C, i cili mund të ulet në aeroplanmbajtëse.

Kostoja për një avion të serisë F-35A, të cilën Turqia pritet ta marrë në vitin 2018, ishte 275 milionë dollarë në vitin e parë të prodhimit 2007, ndërsa ka rënë në 95 milionë nga korriku i këtij viti.

Ndërkaq, duke marrë parasysh ndryshimin, kostoja mesatare e një avioni F-35A për Turqinë shfaqet në vlerën prej 103 milionë dollarësh.

Në këtë gjendje, nëse Turqia nuk merr 120 avionët e porositur, atëherë partnerët e programit F-35 do të ngarkohen me një kosto shtesë prej 12 miliardë e 360 milionë dollarë.

Kompanitë turke të mbrojtjes luajnë rol të rëndësishëm në projekt

Bashkëpunimi i Turqisë me gjigantin e mbrojtjes Lockheed Martin, kontraktuesin kryesor të programit F-35, i njohur ndryshe si Programi i Goditjes së Përbashkët, daton që nga vitet 90, kur u bë blerja e avionëve luftarakë F-16.

Po ashtu pritet që kontributi i kompanive turke të arrijë në gjithsej 12 miliardë dollarë për sa i përket furnizimit të pjesëve për Programin F-35.

Dhjetë kompani turke, siç janë ASELSAN, Aviacioni Kale, Mikrovalë dhe Sistemet Elektronike (MiKES), ROKETSAN dhe Industria Turke e Aeronautikës (TUSAŞ-TAI), luajnë rol të madh në prodhimit e pjesëve dhe atë elektronik dhe furnizimin e motorëve.

Teksa ASELSAN zhvillon pjesët e rëndësishme të Sistemit Synues Elektrooptik të avionëve F-35, ajo po ashtu bashkëpunon me kompaninë amerikane Northrup Grumman për pajisjen CNI për kontroll të ndërfaqes.

Ndërkaq, TUSAŞ-TAI luan rol të rëndësishëm në trupin e avionëve duke qenë burimi i vetëm jashtë SHBA-së për pjesën e mesme të trupit, që është pjesa më e ndërlikuar.

TUSAŞ-TAI po ashtu bën edhe mbulimin e jashtëm dhe prodhimin e kapakëve dhe fibërkanaleve për ventilim.

Kompania me seli në Ankara, AYESAŞ, është gjithashtu furnizuesi i vetëm i ndërfaqes për komandimin e largët raketor dhe kartave elektronike për ekranin panoramik për F-35.

Edhe MiKES po ashtu siguron komponentët dhe pjesët e avionit F-35 për British Aerospace Engineering (BAE) dhe Northrop Grumman.

Ndërkohë, kompania ROKETSAN dhe Këshilli i Kërkimeve Shkencore dhe Teknologjike të Turqisë (TUBITAK) bëjnë zhvillimin, integrimin dhe prodhimin e Predhës Stand-Off (SOM), që përdoret si pajisje e montuar brenda në F-35.

Nëse merren parasysh të gjithë këta faktorë, kërcënimet për përjashtimin e Turqisë, si një nga partnerët kryesorë të programit, nuk janë realiste.

UASHINGTON (AA) – KASIM İLERİ

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne