Bota

Erdogan: Turqia s’do të jetë oborr i të tjerëve

Turqia nuk do të jetë oborri i dikujt tjetër, deklaroi të shtunën në Stamboll Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Ai iu drejtua qytetarëve të mbledhur në Basaksehir të Stambollit, ku u organizua ceremonia e hapjes ceremoniale të një parku kombëtar, ndërsa me këtë rast ai foli edhe për zhvillimet aktuale.

“Atyre që duan ta kthejnë vendin tonë në një oborr të tyre, ne si popull iu kemi dhënë përgjigjen e duhur në Çanakala, në Luftën e Pavarësisë së Turqisë dhe më 15 Korrik 2016”, tha Erdogan.

Kreu i shtetit turk kritikoi Partinë Popullore Republikane (CHP) në opozitë për pikëpamjet e saj mbi projektet e rëndësishme infrastrukturore turke, përfshi këtu edhe Kanalin e Stambollit.

“Ne themi do ta ndërtojmë Kanalin e Stambollit, ndërsa ata thonë ‘nuk e duam, mos e ndërtoni!’. Por ne do ta ndërtojmë, doni apo s’doni ju”, theksoi Presidenti Erdogan.

Kanali i Stambollit, ndërtimi i të cilit do të fillojë vitin e ardhshëm dhe do të përfundojë deri në vitin 2023, është një kanal detar 45 km i gjatë që do të lidhë Marmaranë me Detin e Zi. / AA

OPINIONE

INTERVISTA