Bota

Eurozonë – Rritet Indeksi i Klimës së Ekonomisë, por sërish nën zero

Indeksi i Klimës së Ekonomisë në Eurozonë vazhdon të mbetet në zero pavarësisht rritjes në -6,3 pikë gjatë tremujorit të parë të vitit 2019.

Instituti i Kërkimeve Ekonomike (Ifo), me seli në qytetin Mynih të Gjermanisë, publikoi rezultatet e anketës mbi perspektivën ekonomike për tremujorin e dytë të vitit në Eurozonë.

Siç bëhet e ditur përmes një komunikate me shkrim nga instituti gjerman në fjalë, Indeksi i Klimës së Ekonomisë të Ifo-s në Eurozonë ka arritur në nivelin e -6,3 pikëve në tremujorin e dytë, nga -11,1 pikë që ishte në çerekun e parë të këtij viti. Instituti theksoi gjithashtu se ky tregues, i cili në tremujorin e parë të 2019-s ra për herë të parë nën zero që nga viti 2014 e këtej, vazhdoi të jetë nën zero edhe në çerekun e dytë.

Pasi sqarohet se perspektiva ekonomike është “më e ndritur” në shumë vende që përdorin euron, në komunikatë nënvizohet se ekspertët janë më pak optimistë për situatën aktuale, me përjashtim të Francës, Spanjës dhe Lituanisë.

“Ekspertët bënë një revizionim ‘të mprehtë’ me kah negativ në vlerësimet e tyre për ekonomitë e Gjermanisë, Austrisë dhe Italisë. Megjithatë ekonomistët janë më pak pesimistë në lidhje me investimet, konsumin privat dhe eksportet në të ardhmen”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e Ifo-s.

Sipas institutit gjerman të kërkimeve ekonomike; këtë vit pritet që inflacioni në Eurozonë të jetë 1,5 për qind dhe normat e interesit afatshkurtër dhe afatgjatë të rriten, ndërsa problemi më i madh për ekonomitë do të jetë deficiti i punëtorëve të kualifikuar.

Komunikata e Ifo-s njofton po ashtu se ekspertët presin që rritja ekonomike në Eurozonë për këtë vit të jetë 1,3 për qind./trt

OPINIONE