Bota

Evropa drejt krijimit të “pavarësisë” nga SHBA

Deri më tani të gjithë kemi qenë dëshmitarë se Evropa ka ndjekur një politikë vasale ndaj SHBA, duke mos qenë në gjendje të ndërmarrë asnjë veprim në mënyrë të njëanshme, bile edhe për çështje më të vogla, kur ka qenë rastin i formimit të qeverive të ndonjë shteti evropian.

Edhe pse historikisht dihet se disa popuj evropianë kanë luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e SHBA, me kalimin e kohës, amerikanët kanë qenë ata që kanë bërë ligjin në Evropë. Pas shumë aventurave ushtarake nëpër të cilat ka kaluar bota, evropianët gjithmonë kanë ndjekur urdhrat dhe interesat e SHBA. Mirëpo, a mund të thuhet se akoma ekziston një klimë e tillë, sidomos me ardhjen në Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump? Sipas të gjitha gjasave, evropianët me në krye Gjermaninë dhe Francën e kanë kuptuar se tani ka ardhur koha që gjërat të cilat i takojnë Evropës, duhet të menaxhohen nga vetë evropianët dhe çdo superfuqi botërore do të trajtohet sipas interesit të vetë Evropës, kushdo qoftë ajo superfuqi (SHBA, Rusia, Kian, apo ndonjë vend tjetër). Rasti më i freskët dhe që ka bërë të qartësohen për opinionin e gjerë ndërkombëtar, është ai i samitit të G7, ku morën pjesë liderët e vendeve anëtare të këtij grupi. Edhe pse deklaratat dhe lojërat e presidentit të SHBA, Donald Trump, të gjithë liderët e vendeve të fuqishme evropiane i kishin mësuar që nga koha kur ai kishte filluar fushatën për zgjedhjet presidenciale, takimi G7 vetëm sa ndikoi për t’i bërë publike vërejtjet që liderët evropianë i mbanin të fshehta për publikun. Duke pasur parasysh se presidentit amerikan sipas të gjitha gjasave i interesojnë vetëm dollarët dhe asgjë tjetër, pikërisht kjo gjë ka ndikuar që të irritohen liderët evropianë dhe të shfaqin publikisht mospajtimet e tyre. Gjermania si vendi më i fuqishëm në Evropë, padyshim se ka marrë primatin e liderit të vendeve të BE dhe jo rastësisht udhëheqësja e këtij vendi ka shfaqur e para publikisht mospajtime rreth qëndrimeve të presidentit amerikan ndaj aleatëve të tij të deritanishëm. Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se Evropa më nuk do të varet nga SHBA.

“Kohërat kur mund të mbështeteshin plotësisht tek të tjerë, janë duke mbaruar. E kam parë këtë gjatë ditëve të fundit. Ne evropianët duhet të marrim në duart tona, fatin tonë. Sigurisht që do të jemi miq me SHBA dhe Britaninë e Madhe, do të jemi fqinj të mirë, kur është e mundur edhe me vende të tjera, përfshirë Rusinë. Por duhet ta dimë tani se na duhet të luftojmë për të ardhmen tonë, për fatin tonë si evropianë”, tha Merkel. Në vërejtjet e saj të rëndësishme, kancelarja gjermane gjithashtu theksoi rëndësinë e kërkimit të aleancave të reja “kudo që është e mundur, duke përfshirë edhe me Rusinë, por edhe me të tjerët”. “Ne duhet t’a dimë se duhet të luftojmë për të ardhmen tonë, si evropianë, për fatin tonë”, tha Merkel. Si duket, amerikanët edhe më herët kishin punuar për një dobësim të Evropës, sidomos me përkrahjen e hapur që presidenti amerikan i jep Britanisë për rastin Brexit. Ata tentuan që të zhveshin tërësisht Gjermaninë, duke pritur një fitore të kandidates së ekstremit të djathtë në zgjedhjet presidenciale në Francë Marine Le Pen, e cila kishte shfaqur publikisht bindjet e saj kundër BE dhe kundër kancelares gjermane. Këtu vlen të theksohet se fitorja e presidentit francez Emanuel Macron i ka dhënë një fuqi të madhe kancelares gjermane për të shfaqur publikisht mospajtimet e saj me SHBA. Trump, një manjat i biznesit i cili nuk kishte bërë asnjë punë në qeverisje apo në diplomaci përpara se të bëhej president i SHBA dhe grupet e tij në të kaluarën kanë treguar interes në rënien e BE-së si një bllok politik-ekonomik./ PT

Etiketa

OPINIONE