Bota

“Evropa duhet të rishikojë politikën e migracionit”

Në Stamboll zhvilloi punimet për dy dite Konferenca e 6-të Ministrore e Procesit të Budapestit, forumi ndër-rajonal për migrimin, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Sandër Lleshaj.

Ministri i Punëve të Brendshme, Sulejman Sojllu (Süleyman Soylu) në fjalimin e tij tha se migrimet kanë lënë gjurmë mbi politikat në Evropë dhe se këto politika duhet të rishikohen dhe rinovohen.

“Rritja e racizmit dhe diskriminimit janë pengesë e vullnetit të mirë të qeverive evropiane. Evropa duhet të marrë masa për të luftuar racizmin dhe diskriminimin, si dhe në kuadër të politikës së migracionit ajo të miratojë parimin e integrimit të diversitetit”, tha Soylu.

Soylu tha se migrimet masive nuk paraqesin vetëm një problem të sotshëm, por që ky fenomen ka qenë i pranishëm në të gjithë historinë e njerëzimit.

“Duhet të përpiqemi të rregullojmë së bashku migracionin, jo të parandalojmë atë”, tha Soylu. Ai tha gjithashtu tha se masat aktuale në agjendën globale ishin të pamjaftueshme.

“Qëllimi ynë është të arrijmë maksimumin në këtë fushë dhe të kemi një botë në të cilën në plazhet do të gjejmë vetëm guaca dhe yje deti”, tha Soylu, duke kujtuar fatin tragjik të fëmijës nga Siria, Aylan Kurdi, trupi i pajetë i të cilit u gjet në vitin 2015 në një plazh të Turqisë.

Ai gjithashtu theksoi se migrimet paraqesin një problem të madh për sigurinë e Turqisë, e cila po lufton në kufijtë e saj kundër organizatave terroriste PKK, FETO dhe DAESH.

Turqia aktualisht kujdeset për të paktën 3,6 milionë refugjatë sirianë. Ky është numri më i madh i njerëzve nën kujdesje dhe të strehuar në një vend të botës, tha ministri i brendshëm turk.

Për kujdesin e këtyre refugjatëve, Turqia ka shpenzuar të paktën 37 miliard dollarë nga burimet e veta që nga viti 2011.

Soylu tha se takimi i ministrave në Stamboll ka qëllim të bëjë hapa drejt zbatimit të Deklaratës së Stambollit të vitit 2013, për të cilën tha se është dokumenti më i mirë i miratuar në atë nivel.

Deklarata e Stambollit promovon vazhdimin e dialogut dhe bashkëpunimit në menaxhimin e flukseve të migracionit.

Procesi i Budapestit është një forum që ka mbledhur më shumë se 50 vende dhe organizata të shumta ndërkombëtare që nga viti 1993, me qëllim zhvillimin e një sistemi gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të rregullimit të migracionit./ trt

OPINIONE