Fabrika moderne turke e armatimeve të rënda në Kayseri

nga Tarkan Zengin.

Fabrikat ushtarake në Turqi kanë një përvojë të konsiderueshme. Si vende pune publike ato bartin një rëndësi të madhe në aspektin e fuqisë punëtore, aktivitetit që ushtrojnë, mundësive dhe aftësive që kanë. Rëndësinë e të gjitha këtyre Turqia e shikon më nga afër në operacionet ushtarake dhe përpjekjet që bën kundër terrorizmit. Punimet për ndërtimin e Fabrikës së Remontit Kapital Nr.2 në Kayseri kanë filluar në vitin 1951 dhe në vitin 1954 kjo fabrikë filloi nga puna në provincën e Kayserit me emrin “Fabrika e Riparimit Kapital të Mjeteve dhe Pajisjeve Ushtarake Nr.1020”. Emri i komandës së fabrikës ka ndryshuar disa herë. Në vitin 1987 ajo mori emrin “Fabrika e Riparimit Kapital të Mjeteve dhe Pajisjeve Ushtarake Nr.1009”; në vitin 2003 “Komanda Qendrore e Mirëmbajtjes dhe Remontit Kapital Nr.2”, kurse në vitin 2016 emri i saj u ndryshua në “Drejtoria e Fabrikës së Mirëmbajtjes dhe Remontit Kapital Nr.2”, emër të cilin mban edhe sot. Në këtë fabrikë janë të punësuar rreth 800 vetë, nga të cilët 480 janë punëtorë, ndërsa pjesa tjetër janë oficerë, nënoficerë dhe nëpunës civilë. Stafi drejtues dhe punëtorët e kësaj fabrike realizojnë projekte të rëndësishme.

Nëse shikojmë aktivitetin e Drejtorisë së Mirëmbajtjes dhe Remontit Kapital Nr.2, fabrika kryen këto shërbime kryesore: mirëmban, riparon të gjitha mjetet me zinxhir që ndodhen në inventarin e Forcave të Armatosura Turke; kryen aktivitete që kanë të bëjnë me rinovimin, modernizimin, përmirësimin dhe prodhimin e pjesëve të ndërrimit për mjetet me zinxhir që i përdor sot ushtria turke, të tilla si: tanke, Transportues (Personeli) të Blinduar (ZPT), Mjete Luftimi të Blinduara (ZMA), Mjet i Blinduar për Mortajë (ZMA). Përveç këtyre fabrika siguron mbështetje për të gjitha repartet dhe njësitë e tjera ushtarake. Disa detyra të tjera që kryen Drejtoria e Fabrikës së Mirëmbajtjes dhe Remontit Kapital Nr.2 në Kayseri janë edhe këto:

1. Prodhimi i pjesëve të ndërrimit për mjetet me zinxhir,

2. Analiza e vajit të motorit dhe transmisionit që përdoret në mjetet me zinxhir,

3. Kalibrimi i pajisjeve elektronike dhe mekanike,

4. Trajnimi i personelit të vendeve mike dhe aleate,

5. Mbështetja me konsulencë e reparteve vartëse.

TANKET M-60T U RINOVUAN PLOTËSISHT

Me dijen dhe përvojën e akumuluar nga punimet që ka kryer që nga krijimi i saj për rinovimin dhe modernizimin e mjeteve me zinxhir, fabrika ka modernizuar më shumë se 2.000 tanke të tipit M48AT1-T2; ka prodhuar tankun vinç “TAMAY”, Mjetin Luftarak Xhenier (İSA), tankun urë-rrëshqitës (Kayar Köprücü Tankı). Gjithashtu në këtë fabrikë janë rritur vlerat e performancës së afërsisht 2.000 transportuesve të blinduar me motor benzine (për personel) “M113 ZPT” duke modernizuar grupin e fuqisë me naftë, depon e jashtme të karburantit, si dhe pajisjet të tjera të tyre, duke i shndërruar këta transportues të blinduar në modelin “M113 A2T2”. Sipas nevojave të Forcave të Armatosura Turke për kryerjen e detyrave një pjesë të këtyre mjeteve janë përshtatur në: Mjeti i Skuadrës Xheniere, Mjeti i Vendkomandës së Blinduar, Ambulancë e Blinduar dhe Qendër e Drejtimit të Zjarrit. Vitet e fundit fabrika ka përfunduar modernizimin e tankut M60T dhe tankut me urë rrëshqitëse të kategorisë “MLC-70”. Në kuadër të projektit për modernizimin e tankeve “M-60T” për herë të parë një tank turk ka fituar aftësinë e “Mbrojtjes Reaktive Antiblind” (Explosive Reactive Armour/ERA). Gjatë remontit kapital 170 tankeve të modelit M-60, të cilët në këtë fabrikë u modernizuan duke filluar që nga ndryshimi i zinxhirëve e deri tek trupi, kulla, sistemi i armëve, iu shtua germa (T), e cila nënkupton fjalën “Turk”, dhe pas remontit këto tanke hynë në inventarin e Forcave të Armatosura Turke si modeli M-60T. Me fjalë të tjera tanket “M-60T” u dorëzuan nën urdhrat e Forcave të Armatosura të rinovuara nga ‘koka tek këmbët’. Pas modernizimit tanket në këtë fabrikë u nënshtrohen edhe testeve të ndryshme si: kalimi në pishinën me ujë, ngjitja në tatëpjetën e pjerrët. Momentalisht në Fabrikën e Mirëmbajtjes dhe Remontit Kapital Nr.2 në Kayseri vazhdon puna për realizimin e dy projekteve të tjera: 1) Projekti i automatizmit të mbështetjes me zjarr (ADOP-2000) dhe 2) Projekti i integrimit të sistemit të mbrojtjes reaktive në tanket “Leopard 2A4”.

NJË FABRIKË QË MBËSHTET OPERACIONET USHTARAKE 

Fabrika e Mirëmbajtjes dhe Remontit Kapital Nr.2 në Kayseri ka mbështetur edhe operacionin ushtarak “Mburoja e Eufratit”, i cili u zhvillua në vitin 2017, operacionin “Dega e Ullirit” në vitin 2017 si dhe operacionet e ushtrisë turke që vazhdojnë të realizohen në Afrin të Sirisë duke dërguar nga fabrika qendrore në Kayseri sisteme rezervë për vënien në punë të motorit, pjesë ndërrimi, komplete me vegla e pjesë ndihmëse. Gjithashtu fabrika ka punuar në mënyrë aktive edhe si qendër e mirëmbajtjes dhe riparimit të mjeteve me zinxhir që kanë pësuar dëme të rënda. Për të mbështetur operacionet në fjalë fabrika ka punuar me dy turne duke e dyfishuar kapacitetin prodhues, riparues dhe rinovues të saj. Me ekipet e lëvizshme që janë dërguar në zonat operacionale fabrika ka kryer edhe detyra të tjera si: mirëmbajtja, riparimi, shpëtimi dhe evakuimi i mjeteve me zinxhir të dëmtuara rëndë në terrenin ku është zhvilluar operacioni. Këtë mbështetje fabrika e ka dhënë pa ndërprerje duke filluar që nga dita e parë e operacioneve të ushtrisë turke si brenda vendit, ashtu edhe përtej kufirit. Punëtorët dhe personeli ushtarak me detyrë në këtë fabrikë nëpërmjet ekipeve të lëvizshme kanë ndërhyrë tek mjetet me zinxhir në vendet ku janë zhvilluar operacionet ushtarake “Mburoja e Eufratit”, “Dega e Ullirit” dhe në Afrin.

NJË FABRIKË ME SHUMË CERTIFIKATA CILËSIE 

Fabrika e Mirëmbajtjes dhe Remontit Kapital Nr.2 në Kayseri është e pajisur me disa certifikata cilësie. Një nga këto është certifikata AQAP-2110, e cila përshin aktivitetin projektues dhe prodhues dhe është Dokumenti i NATO-s për Sistemin e Garantimit të Cilësisë Industriale (në fazën e projektimit, zhvillimit dhe prodhimit); certifikata e Sistemit të Menaxhimit të Mjedisit, që tregon se çdo lloj aktiviteti në këtë fabrikë kryhet sipas legjislacionit që rregullon mbrojtjen e ambientit dhe në përshtatje me standardin TS EN ISO 14001; certifikata e cilësisë OHSAS 18001, e cila tregon se në këtë fabrikë respektohet legjislacioni në lidhje me sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës sipas standardeve ndërkombëtare. Krahas detyrave kryesore që ka, Fabrika e Mirëmbajtjes dhe Remontit Kapital Nr.2 në Kayseri u kushton një rëndësi të veçantë edhe punimeve në drejtim të rritjes së cilësisë. Gjithashtu ajo është fabrika e parë ushtarake që ka shënuar disa risi: në 4 mars 2017 është bërë anëtare juridike e Shoqatës së Cilësisë në Turqi dhe në 18 tetor 2017 ka iniciuar Lëvizjen Kombëtare të Cilësisë. Ajo është zgjedhur nga Ministria e Mbrojtjes Kombëtare si fabrikë pilot. Drejtoria e Fabrikës së Mirëmbajtjes dhe Remontit Kapital Nr.2 në Kayseri është vlerësuar edhe me “Certifikatën e kompetencës me 3 yje” për punimet dhe përgatitjet që ka bërë.

*Drejtor i Trajnimeve të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Ushtarak Turk, Ankara

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne