Facebook fshiu 1.5 milionë video të sulmit terrorist ndaj muslimanëve në xhami

Sulmi terrorist kundër muslimanëve në Zelandën e Re alarmoi edhe rrjetin social Facebook, pasi momenti i vrasjes së 50 muslimanëve u transmetua Live.

Kjo bëri që brenda pak orësh videoja me ndjeshmëri të lartë shoqërore të qarkullojë në shumë profile. Për këtë Facebook thotë se brenda 24 orëve 1.5 milion video nga momenti i ekzekutimit, u fshinë nga platforma.

“Në 24 orët e para kemi hequr 1.5 milionë video të sulmit , nga të cilat mbi 1.2 milionë janë bllokuar gjatë ngarkimit”,tha në një njoftim Mia Garlick, shefja e Komunikimeve dhe Politikave në Facebook për Australinë dhe Zelandën e Re.

“Në respekt për njerëzit e prekur nga kjo tragjedi dhe shqetësimet e autoriteteve lokale, ne gjithashtu po i heqim të gjitha versionet e redaktuar të videos”, u shpreh Mia Garlick.

Ndërsa autoritetet në Zelandën e Re thonë se personi i akuzuar për masakrën në xhami, ka vepruar i vetëm.

Duke folur për gazetarët kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern tha se takimet e kabinetit do të zhvilloheshin të hënën për të diskutuar çështjen, duke përfshirë edhe ligjin për armët.

 “Do të ketë ndryshime në ligjet tona të armëve”, tha ajo.

Policia mori një dokument nga autori nëntë minuta para se ai të kryente sulmin, por nuk tregoheshin detaje, si vendndodhja.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne