Edi Rama është akuzuar shpesh nga opozita për udhëtimet e tij luksoze me charter. Asnjëherë nuk i ka mohuar akuzat dhe nuk ka bërë transparencë. Madje, në disa raste e ka pranuar që udhëton me avionë privatë, por është justifikuar duke thënë se janë Air Albania dhe me të cilët ka marrëveshje për to.
Të njëjtën gjë ka bërë edhe sot zëdhënësi i tij, Endri Fuga, i cili nuk e ka mohuar udhëtimin luksoz të Ramës për në Hagë (Samiti i NATO-s), por përsëri ka thënë se avionin privat na e ka sjellë ‘Air Albania’ pasi ishin prishur avionët që përdorim përherë.
Një reagim qesharak ku nuk përmendet as shifra dhe asnjë detaj nga marrëveshja që kryeministri ka për udhëtimet, gjë për të cilën e detyron ligji të bëjë transparencë.
Opozita ka kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për udhëtimet e kryeministrit me Charter, gjë që u hodh poshtë me forcën e kartonëve nga mazhoranca.
Në 2022, në një dokument të publikuar nga media, i cili u nxor nga “Home Land Justice” rezultonte se Edi Rama kishte kryer 252 udhëtime me avion personal, ose thënë ndryshe charter.
Dokumenti i publikuar nga mediet tregonte hyrje-daljet nga pika kufitare e Rinasit të kryeministrit.
Aso kohe, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha shkruante në një postim në Facebook se këto udhëtime u kishin kushtuar shqiptarëve, të paktën 19 milionë euro shpenzime.
Ndërkohë ish-numri 2 i qeverisë së Edi Ramës, Arben Ahmetaj, ka denoncuar me fakte se si kryeministri Edi Rama ka falimentuar Air Albania, duke shkaktuar një dëm prej 20 milionë euro duke e përdorur avionin si taksi personale.
Gjatë intervistës së tretë në ‘Çim Peka’ Live në SYRI TV, Ahmetaj theksoi se shqiptarët vetëm për një devijim të udhëtimit të Ramës nga Tirana për në Romë, kanë paguar 14 mijë euro.
Pjesë nga intervista e Ahmetajt në Syri Tv me Çim Pekën:
“Projekti Air Albania. Do ju sjell një gjë shumë interesante. Ky Air Albanian e ka falimentuar. Kreu i organizatës e ka falimentuar. Më vjen keq për pronarët, në respekt të qytetarëve, kam këtu bilancin e Turkish. Që nga 31 dhjetori, bëhet fjalë për 1 janar 2024 dhe është edhe viti 2023. Që nga 31 dhjetori i 2019, humbja e Air Albania, e cila tejkalon gjithë totalin e aksionit të grupit, pra grupit ku ishte krijuar Air Albania, nuk e fusin në këtë bilanc të konsoliduar është 20-milionë euro. Dhe vuri figurat e kombit si imazh. Shqiptarët kanë paguar nga xhepat e tyre për çarterin e tij. Aty jemi duke folë për devijim, nga Tirana për në Romë, një fluturim është 14 mijë euro. Sipas këtyrë dokumenteve ky kapital është shkrirë. Le ta investigojnë dhe unë kërkoj të faluar nëse nuk është kështu. Ose le të më çojnë në gjyq për këtë. Meqë deshën dokumenta këta analistët që merr ti atje.”.
Pra, siç shihet udhëtimet e Ramës janë të kushtueshme dhe me fakte. Deri më sot nuk ka asnjë lëvizje nga Fuga i Ramës për të përgënjeshtruar akuzat e opozitës, publikimin e mediave me data dhe orë të udhëtimeve, por as ish-numrin 2 të tij nuk e ka hedhur kush në gjyq për shpifje./syri