Falimenton ARMO e Sulajt: 50 milionë euro borxhe. Rama e kishte quajtur histori suksesi

Falimentimi i radhës për ARMO!

Kësaj radhe jo nga ish-bosi Rezart Taçi dhe azerbajaxhanasit që e blenë atë bashkë me disa qindra milionë euro borxh, por nga IRTC apo Ionian Refining dhe Trading Co. SH. A., e cila ka si administrator Mitat Sulajn, vëllain e Besnik Sulajt, apo “Beson e Tajvanit”.

Një kompani e krijuar vetëm një vit e gjysmë më parë dhe që kishte marrë në shfrytëzim dy rafineri nafte: në Ballsh dhe në Fier.

Lajmin e bëri publik ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Arben Ahmetaj, që theksoi se punonjësit do të marrin asistencë si të papunë.

IRTC u krijua 8 qershor 2016 dhe në shtator të po këtij viti mori në shfrytëzim rafinerinë e ARMO-s sipas një marrëveshje me kreditorët privatë.

Shkrimi i Reporter.al

Kryeministri Edi Rama e quajti marrëveshjen me këtë kompani si shumë të suksesshme.

Sipas të dhënave nga doganat, vetëm në vitin 2017 kompania ka prodhuar dhe shitur në tregun vendas 156 mijë tonë karburant.

Por edhe pse ka arkëtuar mbi 220 milionë euro nga shitja e naftës, ka krijuar mbi 50 milionë euro borxhe ndaj administratës tatimore, për taksa të papaguara kryesisht TVSH dhe taksë qarkullimi.

 

Kush fshihet pas ARMO?

Kombinati i thellë i përpunimit të naftës në Ballsh

Ioninan Refining and Trading CO– shkurt IRTC, u shfaq në skenën e kompanive që prodhojnë naftë në Shqipëri në 1 shtator të vitit 2016. Një njoftim për shtyp i “Bankers Petroleum” zbuloi lidhjen e një kontrate, ku Bankers zotohej t’i jepte 65% të prodhimit të naftës firmës IRTC, lëndë e parë që më pas do të përpunohej në rafinerinë e ARMO-s.

Të dhënat e Qendrës Kombëtare të Bizneseve tregojnë megjithatë se kompania e re IRTC e amerikanit Sargeant mban të njëjtën adresë me kompaninë ARMO: “TIRANE, Rruga Papa Gjon Pali II, pallati nr 12, ABA Business Center, kati 8”.

Nga dokumentet e QKB-së, ARMO rezulton një shoqëri aksionare ku 85% e aksioneve janë në pronësi të grupit azer me kryetar të Këshillit Drejtues Nazim Mustafayev dhe 15% i ka shteti shqiptar.

Deri në shfaqjen e IRTC, dy uzinat ishin dhënë me qira për “Deveron Oil” dhe Trading Petrol and Drilling, TP&D. “Deveron Oil” kishte në zotërim përmes një kontrate qiraje uzinën e Ballshit, ndërsa ajo e Fierit shfrytëzohej nga TP&D Oil.

IRTC, e regjistruar fillimisht në ishujt Virgjin Britanikë, kishte në krye të Këshillit Mbikqyrës Mustafa Abu Naba’a- biznesmen domenikan i njohur në arenën ndërkombëtare të tregtisë së naftës bashkë me Harry Sargeant IV.

Naba’a dhe Sargeant janë të njohur në lobet amerikane të Partisë Republikanëve dhe janë hetuar për ndërhyrje në financimet e fushatës së ish- kandidatit për president John McCain, ku Naba’a dyshohet se me ndihmën e Sargeant ka dhënë 50 mijë dollarë donacione nga një burim i jashtëm i familjes të mbretit Abdullah të Jordanisë.

Çështjet që drejtësia në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka hapur kundër tyre nuk janë të pakta. Një hetim i Pentagonit e akuzonte Sargeant se kishte mashtruar dhe korruptuar zyrtarë të lartë në Jordani për të marrë monopolin e furnizimit të ushtrisë amerikane me naftë gjatë luftës së Irakut në vitin 2004, duke i shkaktuar shtetit amerikan një dëm ekonomik në vlerën e 200 milionë USD.

Harry Sargeant është zv/president i i kompanisë Global Oil Management Group Ltd, një korporatë ndërkombëtare në fushën e naftës me bazë në Florida dhe IRTC është degë e saj. Sargeant u shfaq si përfaqësues i grupit investitor në rafinerinë e Ballshit shtatorin e shkuar, gjatë inspektimit që i bënë rivënies në punë të uzinës, ish ministri i financave Arben Ahmetaj dhe zv/kryeministri Niko Peleshi.

Në 8 maj 2017, Sargeant IV nderohet me një post në bordin e drejtuesve të kompanisë Pennie Petroleum Corporation, e cila mori në zotërim bllokun e naftës së Velçës në qarkun e Vlorës.

Ndërkohë që prej dhjetorit 2016, administratori i IRTC në Shqipëri është emëruar Mitat Sulaj, vëllai i pronarit të kompleksit ‘Taiwan’ në Tiranë, Besnik Sulaj.

Përpara se të kalonte nën administrimin e IRTC, rafineria e Fierit shfrytëzohej nga Trading Petrol and Drilling prej shtatorit 2013, përmes një kontrate qiraje me ARMO.

Dokumentat e siguruara nga BIRN vërtetojnë se marrëveshja është bërë mes administratorit të ARMO-s në vitin 2013, Fation Veizaj dhe ish përfaqësuesit të kompanisë TP&D Oil, Pajtim Braçaj.

Pajtim Braçaj njihet si një individ i lidhur me aksionerët e kompleksit “Taiwan” në Tiranë. Vëllai i tij Avni Braçaj zotëron 10 % të aksioneve të kompleksit ‘Taiwan.’

Në tetor 2015, Braçaj është arrestuar së bashku Ajet Sulaj –vëllai tjetër i Besnik Sulajt- si pjesë të një grupi kriminal i akuzuar për trafikimin e 700 kilogramëve kanabis. Braçaj dhe Sulaj i kanë mohuar akuzat përpara gjykatës.

Që nga viti 2012 e deri tani, administratorët e kompanisë TP&D Oil kanë ndryshuar disa herë. Taulant Musabelliu, Përparim Çaushi dhe Pajtim Braçaj rezultojnë të kenë qënë shpesh në drejtimin e grupit të TP&D Oil.

Gjithashtu, administratori aktual i IRTC, Mitat Sulaj ka shërbyer si administrator i TP&D nga vitit 2012 deri në 2013, ndërkohë që ai vazhdon të jetë pjesë e këshillit mbikëqyrës të kompanisë.

Në një postim në Facebook në shtator 2016, ish kryeministri Sali Berisha denoncoi se pas kompanisë IRTC fshihet biznesmeni Besnik Sulaj.

Ndryshe nga IRTC dhe TP&D Oil, pronësia e Deveron Oil nuk është e qartë. Megjithatë, burime pranë ARMO-s i thanë BIRN se ka dyshime se mbas saj mund të fshihet biznesmeni Rezart Taçi, ndaj të cilit janë hapur disa hetime penale në Shqipëri dhe në vende të tjera.

“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur hetime mbi mënyrën se si firma përdori një skemë mashtrimi të njëjtë me atë të biznesmenit Taçi dhe më pas u largua nga Shqipëria duke lënë një mal me borxhe,” i tha BIRN një burim nga qeveria shqiptare.

“Kontrata që Deveron Oil bëri me ARMO-n ishte mjaft favorizuese. ARMO kishte detyrime për të gjitha: pagat, taksat, energjinë, ekspertizën teknike… çdo gjë. ARMO funksiononte, rriste borxhet dhe Deveron mund të punonte e qetë,” sqaroi i njëjti burim për BIRN. (Marrë nga Reporter.al,  shkrim i datës 7 shtator 2017).

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne