Familja pretendonte se nuk ishte trupi i tij, Prokuroria Elbasan konfirmon: Personi i vrarë në burgun Peqin është Arben Lleshi

Prokuroria Elbasan ka konfirmuar se personi i vrarë në burgun Peqin është Arben Lleshi. Ky verifikim është bërë pas pretendimeve të familjes së të burgosurit të vrarë, se trupi i pajetë nuk ishte i familjarit të tyre. Konfirmimi është bërë përmes gjurmëve të gishtërinjve. Pasi refuzuan ta varrosnin, trupi i pajetë i Arben Lleshit, të dënuarit me burgim të përjetshëm që u ekzekutua në qelinë e tij në burgun e sigurisë së lartë Peqin mesditën e 15 dhjetorit 2023, nga Sokol Mjacaj, vijon të mbahet në morgun e Tiranës. Familja Lleshi nga fshati Rukaj i Burrelit nuk pranoi të tërhiqte trupin, për shkak se sipas disa burimeve, ka marrë sinjale se fisi me të cilin është në hasmëri mund të vijojë hakmarrjen.

Arben Lleshi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen dhe më pas djegien e trupit të pajetë të Agim Hoxhës në 2012 në Britaninë e Madhe. Lleshi u vra brenda qelisë së tij në burgun e sigurisë së lartë ne Peqin nga Sokol Mjacaj edhe ky i dënuar me burg përjetë për vrasjen e dy turistëve cekë gjatë një tentativë grabitje në 2015.

Ekzekutimi i Arben Lleshit dyshohet të jetë kryer për motive gjakmarrje. Më herët, persona të paidentifikuar kanë vrarë dy xhaxhallarët e tij ndërsa i kanë rrëmbyer e zhdukur pa gjurmë dy kushërinjtë e parë. Pavarësisht se familja Lleshi deri më tani ka humbur 5 pjesëtarë, sërish ata i frikësohen hakmarrjes, edhe pse rezulton se të afërmit e kishin braktisur 37-vjeçarin dhe asnjë prej tyre se kishte takuar në burg vitet e fundit./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne