Shqiperia

“Fati” i mashtruesit indian, si u bë shtetas shqiptar brenda ditës

Në Shqipëri mund të hysh si shtetas i huaj dhe brenda ditës bëhesh shqiptar. Por jo kushdo mund ta ketë këtë “fat”.

Ky privilegj i është dhënë vetëm shtetasit Nitin Sandesara, që nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë së Tiranës rezulton të ketë marrë pasaportën shqiptare brenda pak orëve.

Ky konkluzion rezulton nga hetimet paraprake të nisura mbi dyshimet se, zyrtarë të institucioneve kanë shpërdoruar detyrën për mënyrën sesi kanë pajisur me pasaportë shqiptare 3 shtetasit indianë, Nitin Sandesara, Chetankumar Sandesara dhe Ditpiben Sandesara.

Nitin Sandesara, pronari i kompanisë farmaceutike që përgjatë 3 viteve ka përvetësuar në Indi gati një miliard dollarë, rezulton të ketë hyrë në vendin tonë në datën 6 shkurt 2018, në orën 13, dhe pikërisht atë ditë ai ka marrë edhe pasaportën shqiptare.

Në kohën që kërkohej në vendin e tij, ai hyn përmes Aeroportit të Rinasit si shtetas indian, qëndron një javë në Tiranë dhe më tej largohet me të njëjtën shtetësi, për t’u rikthyer një vit më vonë, kësaj radhe duke iu treguar autoriteteve në Rinas pasaportën shqiptare.

Ndërkohë, i vëllai i tij Chenatkumar Sandesara kishte hyrë në dhjetor të vitit 2017, ndërsa nuk ka asnjë të dhënë se kur ka hyrë në Shqipëri, Diptin Sandesara, gruaja e njërit prej dy vëllezërve që kërkoheshin në vendin e tyre për skandalin financiar të mashtrimit, por që ndërkohë në Shqipëri jo vetëm kishin marrë pasaporta, por njëri prej tyre kishte marrë edhe mandatin e Konsullit të Nderit në Nigeri.

OPINIONE