Fati i Olta Xhaçkës nesër te Këshilli i Mandateve, opozita kërkon heqjen mandatit për resortin në Dhërmi

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin shqyrton të hënën dosjen për konstatimin e pavlefshmërisë dhe mbarimit të mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka.

Në 18 janar të vitit 2023 Gjykata Kushtetuese vendosi pushimin e një padie të deputetëve të opozitës që kërkuan shfuqizimin e vendimeve të Kuvendit, që nuk miratoi raportin e PD-së që pretendon se deputetja Xhaçka ishte në papajtueshmëri të ushtrimit të mandatit të saj për shkak të statusit të investitorit strategjik të përfituar nga Bashkëshorti!

Kushtetuesja tha se për këtë çështje duhet të shprehet Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, ndërsa në deklarata të vazhdueshme kryetarja e Kushtetueses ka deklaruar se të vësh në pikëpyetje vendimin është e paimagjinueshme në një shtet demokratik.

14 muaj nga vendimi Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla lajmëroi pak ditë më parë se dosja e Olta Xhaçkës do të shqyrtohet në Këshillin e mandateve të hënën.

Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin përbëhet nga 10 deputetë, në përfaqësim të barabartë mes shumicës dhe pakicës parlamentare, i cili verifikon mandatin e deputetit.

Përballë njeri-tjetrit do të jenë Bledi Çuçi, Gazment Bardhi, Enkelejd Alibeaj, Ervin Salianji, Klotilda Bushka, Arben Pëllumbi dhe Ermonela Felaj.

Çështja e mandatit të Xhaçkës u risoll në qendër të vëmendjes nga kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, pas arrestimit të ish kryebashkiakut të Himarës me akuza për tjetërsimin e një prone në Himarë ku bashkëshorti i ish ministres po ndërton një kompleks turistik.

Përfaqësues të opozitës kanë akuzuar Partinë Socialiste se është bërë mburojë politike për Xhaçkës, pretendime që janë mohuar nga anëtarët e mazhorancës qeverisëse./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne