Faza e dytë e luftës kundër “terrorizmit” fillon kundër Hezbollahut menjëherë pas eliminimit të…

Faza e dytë e luftës kundër “terrorizmit” fillon kundër Hezbollahut dhe menjëherë pas eliminimit të “Shtetit Islamik” dhe “Al-Nusra”-s, eliminim i cili është afër… Skenari kuvajtian përsëritet fjalë për fjalë… Por shanset e suksesit janë të kufizuara për këto arsye

Abdul-Bari Atuan

Lufta që po zhvillon aleanca amerikane kundër “Shtetit Islamik” nën sloganin e luftës kundër terrorizmit mund të jetë legjitime në sytë e shumë njerëzve, sidomos në sytë e anëtarëve të kësaj aleance dhe të arabëve në veçanti, por në këndvështrimin tonë, kjo luftë është një mbulesë ose një shashkë tymuese për të nisur apo legjitimuar një tjetër kundër Rezistencës, dhe në veçanti, kundër Hezbollahut.

Nëse lufta e Amerikës në Kuvajt në vitin 1991 ishte një kurth që u ngrit me zgjuarsi dhe pas një planifikimi të menduar mirë dhe një ndarjeje të saktë të roleve me qëllim tërheqjen e presidentit irakian Sadam Husein, si një prelud për shkatërrimin e Irakut dhe për dështimin e rilindjes shkencore e ushtarake të tij, si dhe bllokimin e rolit të tij rajonal, nuk ekzagjerojmë nëse themi se edhe lufta siriane erdhi për të njëjtin qëllim; jo vetëm për shkatërrimin dhe copëzimin e Sirisë, por edhe për të implikuar Hezbollahun libanez dhe për të zvogëluar popullaritetin e tij masiv që e posedoi dhe e nguliti në zemrat e dhjetëra, madje qindra milionë arabëve, pas fitores së madhe kundër Izraelit dy herë; për herë të parë, në vitin 2000, kur çliroi pas një rezistence të ashpër territoret e pushtuara libaneze dhe për herë të dytë, kur luftoi ashpër dhe qëndroi me rezistencë legjendare përballë agresionit izraelit i cili synonte ta shkatërronte dhe ta çrrënjoste atë në korrik të vitit 2006.

***

Shumica e veprimeve që udhëhiqen momentalisht në rajon nga Shtetet e Bashkuara dhe presidenti i tyre i ri Donald Trump, duke përfshirë edhe vizitën e tij në Riad dhe manovrat “Eager Lion” në Jordani, sillen rreth një qëllimi themelor: ai është deklarimi i luftës – me të gjitha format – kundër Hezbollahut për tharjen e burimeve të tij financiare dhe kriminalizimi i tij në të njëjtën mënyrë siç u bë kriminalizimi i presidentit irakian Sadam Husein dhe para tij kriminalizimi i lëvizjes së rezistencës palestineze në epokën e Organizatës për Çlirimin e Palestinës dhe fraksioneve të saj, si dhe më pas në epokën e lëvizjeve “Hamas” dhe “Xhihadi islamik” dhe fraksioneve të tjera luftarake.

Problemet e Iranit me Perëndimin janë komplekse dhe ambicia e tij bërthamore është një nga aspektet më të spikatura. Por kjo është një ambicie që mund të jetohet me të, madje edhe të kontrollohet – në shumë mënyra -, por “gabimi i madh” që ka bërë Irani, në sytë e Perëndimit, është mbështetja e tij për Hezbollahun në Liban dhe kthimi i tij në një krah ushtarak, i cili përbën një kërcënim ekzistencial për shtetin izraelit, ndërkohë që arabët i janë dorëzuar atij shteti dhe kanë filluar t’ia heqin statusin “armik”, të vendosin urat e bashkëpunimit dhe normalizimit me të, si dhe ta konsiderojnë një aleat strategjik rajonal.

Hezbollahu i ka tejkaluar të gjitha vijat e kuqe amerikane dhe izraelite kur ai posedoi aftësi të mëdha ushtarake e raketore (100 mijë raketa) dhe përvoja luftarake që nuk i posedojnë ushtritë më të mëdha të rajonit – duke përfshirë edhe ushtrinë izraelite – sepse ato variojnë nga përvojat luftarake klasike (ushtritë tradicionale) deri te përvojat e luftës guerile. Luftimet në Siri për katër vjet rresht i kanë kristalizuar dhe përforcuar këto përvoja dhe i kanë zhvilluar e modernizuar ato.

Raportet dy ditëve të fundit që flasin për mbajtjen e një takimi të fshehtë me dyer të mbyllura në Uashington me pjesëmarrjen e disa vendeve arabe të Gjirit (Persik) dhe të tjerave arabe – në mesin e të cilave Arabia Saudite, Jordania, Kuvajti, Bahrejni, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe – për të diskutuar një strategji rreth përballjes me Hezbollahun në fazën e ardhshme, nuk na befasojnë, sepse lëvizja e tanishme – duke u nisur nga samitet e Riadit që i kryeson presidenti Trump – është kulmi i asaj lëvizjeje.

Informacionet e rrjedhura në lidhje me këtë takim thonë se plani i përbashkët arabo-ndërkombëtar për t’u përballur me Hezbollahun, përfshin vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj anëtarëve mbështetës dhe bashkëpunëtorë kudo në botë, veçanërisht në Afrikë dhe në Evropë, të cilët e mbështesin atë financiarisht, si dhe monitorimin e lëvizjeve të transfertave financiare dhe tharjen e të gjitha burimeve të financimit, gjë e cila do të krijojë vështirësi për udhëheqjen e Hezbollahut në aspektin e financimit të institucioneve të tij politike dhe ushtarake.

Luftës kundër grupeve radikale “xhihadiste”, të tilla si “Al-Nusra” dhe “ISIS”, po i vjen fundi. E para, pra “Al-Nusra”, tani është nën rrethim në Idlib, në rrethinat e Damaskut dhe në disa xhepa të provincës së Alepos. Marrëveshja e fundit e Astanas ka ngarkuar me detyrën e likuidimit të saj të ashtuquajturat “fraksione të moderuara” të mbështetura nga SHBA, Turqia, Arabia Saudite dhe Katari. Ndërsa i dyti, pra “ISIS”, humbi shumicën e Mosulit. Lufta që do të udhëhiqet nga Forcat kurde të Sirisë Demokratike (SDF apo QSD) të mbështetura nga amerikanët për të “çliruar” qytetin Rakka është e pashmangshme dhe do të fillojë pasi të marrin fund operacionet amerikane të armatimit të këtyre forcave me tanke, me automjete të blinduara dhe me raketa moderne.

Me fjalë të tjera, eliminimi i këtyre fraksioneve “islamike” të klasifikuara në listat e terrorizmit, do të hapë derën për luftën më të rëndësishme, atë ndaj Hezbollahut, jo vetëm në Siri, por edhe në Liban, gjithashtu, duke filluar me luftën ekonomike dhe duke përfunduar me sulmin ushtarak. Nëse do të kthehemi pak mbrapa – dhe në mënyrë të veçantë tek kriza e Kuvajtit në vitin 1990 – do të gjejmë se kundër Irakut është aplikuar i njëjti skenar, d.m.th. bllokada, ndalimi i eksportit të naftës, pastaj ndërhyrja ushtarake dhe pushtimi.

***

A do të arrijë ky skenar që po zbatohet me faza kundër Hezbollahut, si rrjedhojë edhe kundër Iranit, të njëjtin sukses që arriti në Irak? Si dhe më parë, kundër pranisë palestineze në Liban (që përfundoi me ndërhyrjen e vitit 1982)?

Është e vështirë për t’iu përgjigjur kësaj pyetje hipotetike me “po” ose “jo” të qartë dhe eksplicite. Por ajo që mund të thuhet është se rrethanat kanë ndryshuar. Edhe Izraeli, gjithashtu, ka ndryshuar. Por edhe Hezbollahu përbën boshtin e një sistemi rajonal dhe doktrinar që ka një mbështetje të qartë dhe eksplicite nga Irani – dhe Iraku, në një masë më të vogël – dhe çdo luftë e zhvilluar kundër tij nuk do të jetë e lehtë, edhe pse ky skenar ka arritur sukses në Irak. Ajo ndodhi, së pari, për shkak të bashkëfajësisë arabe dhe të tradhtisë, si dhe për shkak të rënies së Bashkimit Sovjetik në atë kohë dhe veçimit të Amerikës në botë si një fuqi e vetme dominuese.

E gjithë ajo që po ndodh momentalisht në rajon, prej luftërave dhe komploteve, është për arsye të sigurisë dhe stabilitetit të Izraelit dhe për të ruajtur superioritetin e tij ushtarak në zbatim të një plani të vendosur nga “2 Bernardët” – Bernard Lewis dhe Bernard Levy – dhe më të madhit të tyre që “u mësoi atyre magjinë”, Henry Kissinger.

Nuk është një rastësi që zbatimi i kësaj skeme të fillojë me rastin e 100-vjetorit të Deklaratës së Balfourit dhe Marrëveshjet Sykes-Picot. Titulli më i spikatur i njëqindvjeçarit të dytë është fragmentimi i shteteve diagonale – të cilat u lindën nga mitra e këtyre marrëveshjeve – dhe fortifikimi i pranisë hebreje izraelite në Palestinë dhe në rajon edhe për njëqind vjet të tjera… Koha është ajo që do të dëshmojë./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne