Festa e Republikës Popullore të Kinës dhe nostaligjia kino-shqiptare

Nga: Gjergji Thanasi

Muaji i mjaltit shqiptaro-kinez (1961-1978) pati mjaft folklorizma, servilizma, marifete ballkaniko-levantine, madje edhe kinezëri, një neologjizëm ky i krijuar nga Dulla udhëheqsi i shtrenjtë i popullit shqiptar.

Ndër këto “xhevahire” është edhe bejteja e famshme: Dy luanë ka sot në botë/ një në Azi e një në Evropë. Kuptohet luani azitik ishte Mao Ce Duni, ndërsa luani evropian ishte komandanti legjendar, Dulla nga Gjirokastra.

Për të përkujtuar ish miqësinë kino-shqiptare si edhe 1 tetorin e vitit 1949, kur Perandoria (republika Sunjatsen-iste) e Kinës u shdërrua në Republikën Popullore të Kinës po ofrojmë për lexuesin 3 foto të viteve 50 dhe 70 të shek XX.

Fotoja e parë i përket një posteri të prodhuar nga propaganda shtetërore kineze në vitin 1967, me temën e famshme të takimit të 2 “luanëve” Maos dhe Dullës. Në poster bien në sy parrulla të shkruara me jeroglife kineze, në të cilat ngrihet lart miqësia e pathyeshme kino-shqiptare. Në sfond mbas shpinës së Dullës është edhe një flamur shqiptar, si për t’i treguar të huajve (jo shqiptarëve dhe kinezëve) se, për cilat vende e për cilët udhëheqës e timonierë të mëdhenj bëhet fjalë.

Fotoja e dytë në mënyrë të stilizuar na ofron një balerinë shqiptare të veshur me kostum popullor të Shqipërisë së Mesme (zona e Tiranës)dhe fotoja e stilizuar e personazhit Wu Qinghua të Baletit revolucionar kinez “Detashmenti i Kuq i Grave” . Wu Qinghua është vajza fshatare nga Ishulli i Hajnanit, që i bashkohet komunistëve kinezë në revolucion dhe bën kërrierë ushtarake duke u bërë madje komisare e detashmentit të grave partizane. Fotoja e stilizuar ngjan shumë me kryebalerinën e famshme kineze Xue Jinghua, ndërsa balerina shqiptare me kostum kombëtar, nuk ngjan me asnjë nga yjet e baletit shqiptar të kohës. Ky poster me flamujt kinezë dhe shqiptarë në sfond u publikua masivisht në Kinë pas vizitës së Presidentit Nikson në Kinë dhe. Gjatë kësaj vizite Presidenti Nikson ndoqi në sallë në Pekin shfaqjen e Baletit “Detashmenti i Kuq i Grave”. Posteri ka rëndësi të madhe për marëdhëniet shqiptaro-kineze, sepse ishte një përgjigje me spond alla kinezce për gërr-vërret e Dullës sonë, të cilit i kishte ngelur hatëri, pse Mao Ce Duni nuk i mori leje Dullës paraprakisht, para se të zhvillonte takimin epokal me Presidentin Nikson në Pekin.

Fotoja e tretë është fotoja e një pulle pjesë e një serie prej tre pullash të emetuara për të shenjuar vizitën e Mao Ce Dunit në Bashkimin Sovjetik në periudhën dhjetor 1949-shkurt 1950. Takimi i Timonierit Mao dhe gjeneralisimit Stalin në këtë pullë na kujton menjëherë posterin propagandistik me takimin e Maos me Dullën tonë. Propaganda shablloniste kineze nuk e ka vrarë shumë mendjen për ide origjinale.Thjeshtë kanë hequr Stalinin dhe kanë vënë Enverin. Më pas posteri propagandistik ka kaluar direkt e në rotativin e shtypshkronjës.

Shpresojmë që këto foto të jenë më se të mjaftueshme për ata shqiptarë, që mbeten nostalgjikë të miqësisë së pathyeshme shqiptaro-kineze.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne