Fidan në Podgoricë: Mbështesim të gjitha nismat që sjellin paqe dhe stabilitet në Ballkan

Ministri i Punëve të Jashtme të Türkiye-s, Hakan Fidan tha sot në Podgoricë se vendi i tij mbështet të gjitha iniciativat që do të sjellin paqe, prosperitet dhe stabilitet në Ballkan, raporton Anadolu.

“Me rolin e pandashëm të SEECP në gjetjen e zgjidhjeve për problemet në rajon, Tturqia mbështet të gjitha iniciativat që do të sjellin paqe, prosperitet dhe stabilitet në Ballkan”, tha Fidan në fjalimin e tij para pjesëmarrësve të Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Podgoricë.

Në margjinat e Samitit në Podgoricë, Fidan u takua me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj dhe Vjollca Osmanin.

Presidentja Vjosa Osmani, nga Podgorica e Malit të Zi ka rikonfirmuar edhe njëherë përpjekjet e Kosovës për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, si dhe angazhimin për një të ardhme të sigurt brenda institucioneve euroatlantike.

Osmani ka përgëzuar homologun e saj malazez, Jakov Milatoviq për kryesimin e suksesshëm të Procesit të sivjetmë të bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Shefi i diplomacisë turke gjatë ditës së sotme ka biseduar edhe me presidentin e Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Në samit marrin pjesë zyrtarë të lartë të pjesëmarrësve të SEECP: Presidenti i Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë Ivica Daçiq, zëvendëskryeministri i Moldavisë Oleg Serebrian, ministri i Jashtëm i Türkiye-s Hakan Fidan, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Shërbimit Evropian për Punët e Jashtme, Rumanisë, Greqisë dhe Sllovenisë.

Presidenti Begaj, i cili kryesonte delegacionin shqiptar në takimin e nivelit të lartë, mbajti një fjalë për të pranishmit, si dhe dha një prononcim për mediet.

Gjatë prononcimit për mediet, Begaj përgëzoi Malin e Zi për kryesinë e radhës të SEECP, duke konsideruar çdo nismë që ka synim afrimin dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal, të domosdoshme dhe të nevojshme.

“Vetë prezenca në këtë nismë e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian tregon mbështetjen e tyre për Shqipërinë dhe për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe në rrugëtimin e tyre euroatlantik”, tha Presidenti.

Kreu i Shtetit shtoi më tej se sfidat e shumta me të cilat po përballen shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve të Evropës Juglindore janë të ngjashme, ndaj për zgjidhjen e tyre kërkohet angazhim i përbashkët, ku të përdoren praktikat dhe eksperiencat më të mira.

Duke u ndalur tek sfidat e sigurisë, Presidenti Begaj nënvizoi se situata e sigurisë në Evropë për shkak të luftës në Ukrainë ka ndryshuar.

“Fokusi i Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor është rritur, është fuqizuar, dhe ne si vende të Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore duhet të bashkëpunojmë më mirë rreth sfidave të cilat shqetësojnë më shumë popujt tanë, siç është sfida e sigurisë, sfida e bashkëpunimit ekonomik, sfidat e lidhura me energjinë, me infrastrukturën, me agjendën e gjelbër apo me transformimin digjital”, tha ai.

Duke e konsideruar samitin si të suksesshëm, Presidenti shtoi më tej se vetëm duke qenë të bashkuar e të unifikuar, mund të përballohen sfidat e së ardhmes.

Në fund të prononcimit të tij, Presidenti Begaj përgëzoi Maqedoninë e Veriut për kryesimin e ardhshëm të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës.

Më 1 korrik, Maqedonia e Veriut do të marrë kryesimin e SEECP nga Mali i Zi./AA/GazetaImpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne